Elona Tereziu / Shendeti.com.al
Problemet për pacientët e hemodializës duket se nuk kanë të sosur. Një situatë mjaft e tensionuar paraqitet në Lushnjë, ku pacientët akuzojnë drejtuesit e Spitalit “Ihsan Çabej” se po abuzojnë me fondet që shteti akordon për transportin e tyre.
Shkak për këtë konflikt është bërë shkurtimi i thellë në buxhet nga ana e institucionit për transportin e këtyre pacientëve. Aktualisht Lushnja ka 39 pacientë që marrin shërbimin e hemodializës në 4 qytete të ndryshme si Tiranë, Durrës, Berat e Fier. E janë pikërisht këta të fundit që janë prekur më tepër nga ky shkurtim, ku nga 13500 lekë rimbursim transporti në muaj i është dhënë vetëm 3600 lekë. Ndërkohë, për pacientët që e marrin këtë shërbim në Tiranë e Durrës, rimbursimi është përgjysmuar. Përkatësisht, për pacientët e Tiranës nga 1850 lekë është bërë 9600 lekë në muaj, dhe nga 18900 lekë për pacientët e Durrësit është bërë 9000 lekë të vjetra në muaj. Skandali thellohet edhe më tej pasi pacientët pretendojnë se nuk janë lajmëruar për këtë ndryshim, por e kanë konstatuar gjatë tërheqjes së parave.
Drejtoresha e Institucionit, Panore Veliu e justifikon këtë ndryshim me zbatimin e urdhrit të ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja. Sipas drejtoreshës, në këtë institucion është bërë një shkelje ligjore nga titullarët paraardhës, të cilët kanë abuzuar me fondet e akorduara për pacientët e dializës duke i dhënë atyre shuma që nuk i përmban ligji. Mbarimi i fondit ishte ai që nxori në pah këto shkelje, sipas drejtoreshës, dhe për këtë arsye u detyruan t’i bëjnë edhe njëherë llogaritjet sa i takon secilit pacient, përllogaritur kjo me tarifat e transportit urban sipas distancave kilometrike.
Këta pacientë duhet të udhëtojnë tre herë në javë (13 herë në muaj) drejt qyteteve të përcaktuara për të marrë shërbimin e dializës, por, sipas tyre, tarifat e vendosura janë tejet qesharake dhe nuk mbulojnë koston e transportit.

Urdhri i ministrit Beqaj, i cili ndryshon urdhrin e ministrit të mëparshëm për tarifat e transportit të pacientëve në hemodializë
Problemi qëndron tek fakti se urdhri i datës 3/3/2015 i nxjerrë nga ministri Beqaj bazohet në tarifat e vjetra të transportit rrugor datë 7/2/2007 (Rruga Lushnjë – Fier llogaritet me 100 lekë, ndërkohë tarifa aktuale është 200 lekë).
Urdhri nuk merr parasysh detaj të tilla si:
1-Mungesa e transportit urban Lushnjë-Fier.
2-Transporti urban nuk siguron dot shërbim nga shtëpia në dializë dhe anasjelltas.
3-Dializa bëhet me tre turne. Pacientët e turnit të parë detyrohen të marrin taksi për të arritur në kohën e duhur, dhe turni i tretë nuk kthehet dot me transport publik në 11 të natës.
Një fakt të tillë e pranon dhe drejtoresha e institucionit, e cila pohon se urdhri duhet rishikuar.
Mosmarrja parasysh e hollësirave të tilla bën që disbalanca mes tarifa të përcaktuara dhe kostos mujore të jetë tejet e lartë.
Të gjendur në një situatë të tillë, ku drejtoresha u thotë se do të zbatojë urdhrin e ministrit, pacientët e dializës kërcënojnë me mosvajtje në seancat e dializës nëse situata do të vazhdojë të mbetet e tillë.
Ndërkohë që aktualisht KLSH po kryen edhe një audit lidhur më këtë çështje për të përcaktuar dëmin e shkaktuar.
Alma Sheme:
Kjo që po ndodh në Lushnjë është një skandal i vërtetë. Pacientëve të dializës u është hequr risku që i takon me të drejtë. Shifra prej 3600 lekësh që ka përcaktuar administrata e spitalit për një muaj, është tepër e ulët.
Nuk e di si kanë bërë këta llogaritë, kur dihet që dializa ka pacientë të sëmurë, pacientë që u bie të fikët, pacientë me paterica, pacientë të paralizuar që ecin me karroca, që detyrimisht u duhet të marrin dhe një tjetër automjet veç urbanit që i lë në stacion.
Unë, si përfaqësuese e pacientëve të dializës, premtoj se do ta ndjek këtë çështje deri në fund. Askush nuk do t’ua ‘’hajë’’ hakun pacientëve të mi. Ne kërkojmë që pacientët të rimbursohen me një shifër që e mbulon koston e transportit, ose në të kundërt t’i jepet shërbim, le t’i marrin e t’i sjellin vetë.
Pacientët
Skënder Bilimani: Jam pacient i dializës prej 3 vitesh. Problemi me lekët e transportit doli sapo erdhi drejtoresha e re në pushtet. Nuk kemi pasur asnjëherë probleme të tilla. Më e bukura është se nuk na lajmëruan fare. Shkuam për të tërhequr lekët e na dhanë 3600 lekë nga 13600 që e kishim. Si mund të vete unë në Fier 26 herë me 3600 lekë. A janë në vete këto?! Kush i ka bërë këto llogari! Unë jam turn i parë dhe jetoj në fshat. Çohem në orën 5:30 të mëngjesit që të dal në rrugën kryesore e të gjej makinë, se është 2 km rrugë që të dal gjer atje. Po mirë tani se është ende verë dhe unë jam ende me shëndet, se ka dhe të tjerë me karroca, po në dimër si do ja bëjmë ne?! Është shi, ftohtë, furtunë, me se do shkoj unë kur shteti nuk më përgjigjet?! Unë po nuk bëra tre herë dializë radhazi vdes. Po ato që janë turni i tretë dhe me raste u shkon seanca deri në 10-11 të natës a janë marrë parasysh, apo do vazhdojnë të flenë në stola, siç flenë tani se s’ka urban në këtë orë. E ka menduar këtë ministri kur nxori urdhrin?!
Për mua këtu ka një shkelje të madhe dhe duhet të ndërhyjë qeveria. Drejtoresha po abuzon me fondet që jepen për ne dhe duhet të hetohet. Nëse do kishte shkelje, siç pretendon ajo, do të kishte që në kohën kur u hap dializa për pacientët e Lushnjës, se gjithmonë kemi pasur këto tarifa, 160-135, por asnjëherë kaq sa tani.
Ne kërkojmë që të zbatohet kontrata “nga shtëpia në dializë dhe nga dializa në shtëpi”. Ore të mos m’i japin lekët, nuk i dua, unë dua shërbim. Le t’i bëjë drejtoresha lulishte, të blejë aparatura e krevate, siç ka bërë gjer tani, por mua të më shërbej,.
Nëse nuk zgjidhet kjo çështje ne do ngrihemi në protestë. Do të dënojmë veten duke mos shkuar në seancat e dializës dhe të bëhet ç’të bëhet me jetët tona, se ne të vdekur pa varrosur jemi.
Gëzim Shuaipi: Kam 10 vjet që bëj dializën në Spitalin Universitar ‘’Nënë Tereza’’. Më parë ne nuk kemi pasur asnjëherë probleme, kemi qenë të kënaqur si nga këta, si nga qeveria. Sa erdhi Panoreja filluan problemet. Merrja 1600 lekë rimbursim transporti, tani ma kanë bërë 9000 lekë. Drejtoresha dhe shefja llogarisë po vjedhin lekët tona. Na thotë i ka prerë shteti, ndërkohë që s’ka asnjë urdhër qeverie.
Pretendimi i Drejtoreshës
Drejtoresha Panorea Veliu: Çështja e dializës është një problem i mbartur ndër vite këtu. Çdo drejtor që ka mbajtur këtë post e ka nisur me këtë problem. Në vitin 2007 drejtori i asaj kohe, Vasil Lushnjari, mjek kardiolog, ka nxjerrë një urdhër të brendshëm ku thotë që transporti i pacientëve të dializës nga Lushnja në Fier të bëhet 1000 lekë, Lushnjë-Tiranë 1200 lekë dhe Lushnjë-Durrës 900 lekë, vajtje ardhje, pra dyfishi i tarifave të përcaktuara, dhe si duket ndër vite nuk është kapur kjo shkelje. Një muaj pasi mora postin unë vjen shefja e financës e më thotë se kemi edhe një muaj lekë për transportin e dializës, këtu u njoha dhe më problemin. Kjo çështje duhet të ishte mbyllur me daljen e urdhrit të ri, datë 3 mars 2015, dhe shefja e financës bashkë me administratën duhet ta kishin zbatuar, por përsëri nuk është bërë asgjë, për rrjedhojë jemi sot në këtë situatë. Parashikohet që shifrat e përcaktuara nga urdhri të jenë tejkaluar me mbi dy milionë të vjetra për çdo muaj.
Kam nisur jo një, por disa shkresa ndaj Ministrisë së Shëndetësisë dhe Fondit. I kam njohur me situatën dhe të gjitha problemet që ka dializa këtu, listën e pacientëve dhe shpenzimet e transportit, me sa janë paguar dhe sa duheshin paguar. Përgjigja që kam marrë nga Fondi ka qenë: Të zbatohet urdhri i ministrit, dhe unë nuk mund ta shkel atë, pavarësisht presionit të pacientëve.
Bashkë me pjesën tjetër të administratës bëmë llogaritjet dhe dolëm në përfundimin se sa i takon pacientëve, bazuar në urdhrin e ministrit dhe tarifat e shërbimit urban sipas distancave kilometrike.
Pacientët më akuzojnë sot se po u mbaj unë lekët! Unë gjithmonë kam qenë dhe vazhdoj të jem në mbështetje të tyre, edhe pse ndoshta bie në kundërshtim me urdhrin e ministrit, por të gjithë jemi koshient që transporti urban nuk e merr dhe çon pacientin nga shtëpia në dializë, ashtu siç parashikon urdhri. Unë u bëj thirrje ministrisë të rishikohet edhe njëherë urdhri, të dalin tarifat e reja të për transportin e dializës e të zgjidhet njëherë e mirë kjo çështje, se pacientët janë mjaft të irrituar dhe kanë të drejtë, por ky nuk është faji im.
Aktualisht me kërkesën time Kontrolli i Lartë i Shteti pa kryen një audit lidhur me këtë çështje dhe ne po presim konkluzionet se si do të procedohet më vonë. Është kryer një dëm i madh ekonomik dhe janë miliona për t’u kthyer. Dikush duhet të paguajë për këtë.
Ekonomistja Elona Gjordeni: Është e vërtetë që këtu është shkaktuar një dëm ekonomik, por urdhri është nxjerrë që nga koha e Vasil Lushnjarit në vitin 2008, dhe unë nuk kam lekë sot t’i kthej shtetit për dëmin e shkaktuar.
Sipas urdhrit të ministrit, një pacienti dializë nuk i takon të marrë më shumë se 500 lekë për një seancë (Lushnjë-Fier), problemi është se ne i kemi dhënë dyfishin e kësaj tarife. Megjithatë duhet të merret parasysh edhe fakti që Lushnja nuk ka transport urban për në Fier, dhe pacientët detyrohen të marrin furgon. Për rrjedhoje kuptohet që do të kemi një kosto shumë më të lartë. Pacientët me të drejtë irritohen, por ne jemi të detyruar të zbatojmë urdhrin e ministrit, ndryshe penalizohemi.
Doktoresha Anila Karavaqiri: Unë kam 20 vjet që jetoj me hallet e këtyre pacientëve. Pacientët e Lushnjës dikur flinin nëpër stolat e spitalit e ktheheshin në mëngjes në shtëpi se s’ka Lushnja, por asnjë qytet besoj nuk ka transport urban në 11 të natës siç e përmend urdhri. Duke parë situatën, nxorëm një urdhër të brendshëm që këta pacientë të kishin mundësi të shkonin në shtëpi e mos të flinin më nëpër stola. Ky ishte gabimi jonë dhe u quajt shkelje madhore, pavarësisht arsyes që e bëmë dhe askush nuk do t’ia dijë. Është fatkeqësia jonë që jetojmë në një shtet që nuk u jep mbështetjen e duhur këtyre pacientëve. Unë kam firmosur dhe një peticion bashkë me këta pacientë që t’ia çojmë ministrit në mënyrë që të ndryshohet urdhri, pasi ai thekson transport urban, por a është marrë parasysh fakti që Lushnja nuk ka transport urban për në Fier dhe ky transport urban që përmendet aty nuk të merr nga shtëpia dhe të çon në spital, por të lë në stacion?! Po që ka pacientë që vijnë nga fshatra dhe zona të thella?! Po që ka të sëmurë që lëvizin vetëm me karroca dhe barela?! Pacientët vijnë dhe ankohen tek ne dhe kanë të drejtë, por ne marrim urdhra dhe jemi të detyruar t’i zbatojmë, në të kundërt po japim dorëheqjen./ https://shendeti.com.al/





