Përshtati në shqip për “Shendeti.com.al”: Marsela Aliaj
Të dhembin gjunjët kur rri ulur për shumë kohë? Ndien dhimbje kur ngjit shkallët? Nuk je i vetëm. Dhimbjet e kyçeve, shkaktuar kryesisht nga artriti ose shembjet e ndryshme, prekin më shumë se 10 milion njerëz të të gjitha moshave dhe vështirësojnë aktivitetet e përditshme.
Më poshtë japim disa nga shkaqet e dhimbjeve dhe se si ti shërojmë ato.
Ngrirje qafe
Probleme specifike të qafës përfshijnë dëmtime të zverkut dhe dëmtime të disqeve ndërvertebrore , por problemet më të shumta ndodhin për shkak të tensionit.
Shenjat: Dhimbje dhe ngurtësi e me raste edhe mpirje ose therje
Shkaqet: Të fjeturit gjumë në një pozicion jo të volitshëm ose tërheqje muskujsh janë të zakonshme, por qëndrimi i keq është shkaku kryesor. Kur përkulni kokën mbi tablet, telefon apo kompjuter, muskujt e qafës tendosen shumë. Tek një njeri mesatar koka peshon 5.4 kilogramë, por për çdo përkulje prej 2 centimetrash që i bëhet kokës, shtohen edhe 4.5 kilogramë.
Kështu, nëse e përkulni kokën vazhdimisht më shumë se sa 7 centimetra, kjo i shton qafës suaj mbi 19 kilogram shtesë.
Çfarë duhet të bëni: Mundohuni ta mbani trupin në një pozicion neutral gjatë gjithë kohës. Mbajini veshët në një distancë të barabartë nga shpatullat dhe mjekrën mos e mbani as poshtë as lart.
Ushtrime: Për të rritur lëvizshmërinë rrotullojeni qafën me ngadalë majtas duke e përqendruar shikimin mbi shpatullën tuaj të majtë. Qafën rrotullojeni deri sa të mundni pa i shkaktuar dhimbje vetes. Përsëriteni të njëjtën gjë djathtas. Sigurohuni që shpatullat të jenë në qetësi. Përsëriteni këtë gjë nga 10 herë për çdo anë, dy herë në ditë.
Kapja keq e shpatullës
E quajtur ndryshe dhe ngrirja e shpatullës, sipas specialistëve kjo ndodh kur kapet keq ose pickohet tendina nga kockat e nyjës së shpatullave.
Shenjat: E keni të pamundur të flini në zonën e prekur, nuk rrotulloheni dot lirshëm dhe nuk mund ta ngrini krahun sipër kokës.
Shkaqet: Shkaku më i zakonshëm është ai i osteoartritit në shpatull. Arsye të tjera mund të jenë qëndrimi i keq, kur i mban shpatullat të përkulura përpara ose luajtja e lojërave si golfi, që kërkojnë të mbash për një kohë të gjatë të njëjtin qëndrim.
Çfarë duhet të bëni: Merrni një pako me akull dhe vendosni për 5 deri në 10 minuta mbi shpatull për të ulur inflamacionin. Është e rëndësishme që shpatulla të mbahet konstante dhe të mos lëvizet, prandaj dhe shumë pacientëve mjekët u sugjerojnë një injeksion që ul inflamacionin. Nëse këto metoda nuk funksionojnë, mbetet gjithmonë operacioni si mundësia më ekstreme për të liruar tendinën e kapur.
Ushtrime: Përkuluni përpara duke u mbajtur mbi një karrige ose tavolinë, dhe krahun e sëmurë lëreni të varur poshtë. Lëvizeni me kujdes duke përdorur lëvizje rrotulluese. Rrotullojeni një minutë sipas drejtimit orar dhe një minutë sipas drejtimit tjetër. Këshillohet të përsëritet 5 herë në ditë.
Dhimbje gjuri
Gjuri është edhe nyja më e prekshme, sepse mban peshën e gjithë trupit. Dhimbjet e papritura dhe të befasishme vijnë si rezultat i mbi lodhjes së gjurit ose shembjes së tij.
Kërcitja e gjunjëve, sidomos kur bëni stërvitje në palestër, është më se normale, por nëse edhe ju dhembin, kjo nuk është normale.
Shenjat: Një dhimbje mpirjeje dhe shpuese që zakonisht i kap të dy gjunjët në të njëjtën kohë dhe përkeqësohet nga qëndrimi i tejzgjatur ulur, në gjunjë ose duke ngjitur shkallët.
Shkaqet: Shkaktohet zakonisht nga një mosbalancim në muskujt e brendshëm dhe të jashtëm të kofshës, e cila nxit inflamacionin. Shihet më se shpeshti tek ata persona që praktikojnë sporte ku bëhen shumë rrotullime, si futbolli, ski ose edhe klasat e kërcimit.
Çfarë duhet të bëni: Të biesh në peshë ndihmon shumë. Për çdo 0.5 kile që humbisni, gjurit i hiqet një peshë prej 1.8 kg.
Të mbajturit e një qese me akull në pjesën e gjurit ul ënjtjen që krijohet gjatë ushtrimeve fizike.
Mund të praktikohet edhe fizioterapi për ushtime forcimi që ndihmojnë në mosbalancimin e muskujve , por kjo është një gjendje e cila me kalimin e kohës do kalojë dhe nuk ka nevojë për masa drastike siç është operacioni.
Ushtrime: Të punosh me kuadricepin ndihmon në forcimin e gjurit. Shtrihuni me shpinë dhe me ngadalë ngrijeni këmbën nga toka.
Kur këmba të jetë disa centimetra nga sipërfaqja, rrotullojeni atë për nga jashtë duke pasur parasysh që gishtat e këmbës të formojnë këndin 45 gradë me trupin. Kur të kryeni këtë veprim do ndieni një tërheqje në pjesën e brendshme të kofshës. Mbajeni këtë pozicion për 30 sekonda. Këshillohet të përsëritet tre herë në ditë.
Dhimbje e bërrylit
Kjo është gjendja kur ju dhemb pjesa e jashtme e bërrylit. Ndodh kur tendinat irritohen ose nxehen nga stresi.
Shenjat: Dhimbje kur përthyeni krahun ose kur ngrini objekte të ndryshme.
Shkaqet: Kur luani lojëra, si për shembull tenis, shërbejnë si nxitës, por mund të shkaktohet edhe nga mbi lodhje e parakrahut.
Çfarë duhet të bëni: Duke e mbështetur krahun mbi kofshën tuaj masazhoni lehtësisht pjesën e jashtme të parakrahut nga bërryli tek kyçi i dorës për rreth 5 minuta çdo ditë. Kjo ndihmon në reduktimin e tensionit në muskuj. Injektimet mund të jenë një mundësi nëse vazhdoni të keni dhimbje , ose në rastin më të keq , mund të duhet të kryeni operacion.
Këshillë: Gjeni arsyen që ju shkakton dhimbjen dhe ndalojeni. Nuk ka rëndësi trajtimi nëse dhimbja mund të përsëritet. Për shembull, nëse dhimbja mund të shkaktohet nga përdorimi i mausit të kompjuterit, atëherë përdorni dorën tjetër.
Burimi: Mirror / https://shendeti.com.al/






