26 Shtator, Dita Botërore e Kontracepsionit: Pse është i rëndësishëm planifikimi familjar

dita-boterore-e-kontracepsionit

Çdo vit,  më 26 shtator organizohet Dita Botërore e Kontracepsionit. Është një fushatë mbarëbotërore e lançuar qysh në vitin 2007, e cila përqendrohet në vizionin për një botë ku çdo shtatzëni të jetë e dëshiruar.

Misioni i saj është të përmirësojë ndërgjegjësimin mbi kontracepsionin, për të  mundësuar që çdokush të bëjë zgjedhje të informuara lidhur me shëndetin seksual e riprodhues, për të pakësuar numrin e rritur të shtatzënive të paplanifikuara dhe aborteve.

Përfitimet e kontracepsionit, planifikimit familjar:

Promovimi i planifikimit familjar për të siguruar përdorimin e metodave të preferuara kontraceptive për gratë dhe çiftet është thelbësor për të siguruar mirëqenien dhe pavarësinë e grave, duke mbështetur shëndetin dhe zhvillimin e komuniteteve. Planifikimi familjar lejon çiftet të kenë numrin e dëshiruar të fëmijëve dhe të përcaktojnë distancën midis shtatzënive, duke përdorur metoda kontraceptive.

  • Parandalon shtatzënitë me rreziqe shëndetësore

Aftësia e një gruaje për të zgjedhur nëse dëshiron, si dhe kur dëshiron të jetë shtatzënë ka një ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin dhe mirëqenien e saj. Planifikimi familjar lejon përcaktimin e hapësirës midis shtatzënive dhe mund të vonojë shtatzëninë te gratë e reja nga rreziku në rritje i problemeve shëndetësore dhe vdekjes nga shtatzënitë në moshë të hershme. Ai parandalon shtatzënitë e padëshiruara, duke përfshirë edhe ato të grave në moshë të madhe që përballen me rreziqe të rritura që lidhen me shtatzëninë. Planifikimi familjar u mundëson grave të cilat dëshirojnë të kufizojnë madhësinë e familjeve të tyre ta bëjnë këtë. Evidencat tregojnë se gratë që kanë më shumë se katër fëmijë janë në rrezik në rritje për vdekshmëri amtare. Duke ulur numrin e shtatzënive të padëshiruara, planifikimi familjar gjithashtu redukton nevojën për abort të pasigurt.

  • Redukton vdekshmërinë foshnjore

Planifikimi familjar mund të parandalojë shtatzënitë me interval të ngushtë nga njëra- tjetra dhe sëmundjet e lidhura me këto shtatzëni dhe lindje, të cilat kontribuojnë në norma më të larta të vdekshmërisë foshnjore në botë. Gjithashtu, foshnjat e nënave që vdesin si pasojë e lindjes kanë një rrezik më të madh për vdekje dhe shëndet të dobët.

  • Parandalon HIV/AIDS

Planifikimi familjar zvogëlon rrezikun e shtatzënive të padëshiruara te gratë që jetojnë me HIV, duke rezultuar në foshnje më pak të infektuar, si dhe në më pak jetim. Përveç kësaj, prezervativët (si një metodë e planifikimit familjar) sigurojnë mbrojtje të dyfishtë si kundër shtatzënive të padëshiruara ashtu dhe kundër Infeksioneve Seksualisht të Transmetueshme (IST) përfshirë HIV.

  • Ndihmon në fuqizimin e njerëzve dhe rritjen e arsimimit

Planifikimi familjar u mundëson njerëzve të bëjnë zgjedhje të informuara në lidhje me shëndetin e tyre seksual dhe riprodhues. Planifikimi familjar përfaqëson një mundësi për gratë për të rritur arsimimin dhe pjesëmarrjen në jetën publike, duke përfshirë punësimin. Përveç kësaj, duke pasur familje të vogla iu lejon prindërve për të investuar më shumë në secilin fëmijë. Çiftet me më pak fëmijë janë më mirë në gjendje tu sigurojnë atyre ushqim, veshje, strehim e shkollim. Fëmijët me më pak vëllezër e motra janë më të prirur për të vazhduar më gjatë shkollimin se ata me shumë vëllezër e motra.

  • Redukton shtatzënitë tek adoleshentët

Adoleshentet shtatzëna kanë më shumë gjasa të kenë lindje parakohe apo fëmijë me peshë të ulët në lindje. Foshnjat e lindura nga adoleshentet kanë norma të larta të vdekshmërisë foshnjore. Shumë vajza adoleshente shtatzëna duhet të lënë shkollën. Kjo ka implikime afatgjata për ato si individ, familjet dhe komunitetet e tyre.

  • Ngadalëson rritjen e popullsisë

Planifikimi familjar është çelësi për të ngadalësuar rritjen e paqëndrueshme të popullsisë dhe ndikimet negative në ekonomi, mjedis, dhe zhvillimet kombëtare dhe rajonale.

Burimi: Instituti i Shëndetit Publik / https://shendeti.com.al/

Postime të ngjashme

Ozempic, bari inovativ antidiabetik me mbrojtje nga risqet kardiovaskulare edhe në Shqipëri
Dërgonin pacientët e Onkologjikut në klinika private, Prokuroria mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim zyrtarë dhe mjekë të QSUT (EMRAT)
Pse luleshtrydhet myken kaq shpejt? Gabimi që bëjmë të gjithë
Këto janë efektet anësore të ujit me limon
Mishrat e dhëmbëve: Çfarë tregon ngjyra e tyre për shëndetin tonë
Shifra shqetësuese: Vdekjet nga kanceri i rektumit po trefishohen te të rinjtë
5 superushqime që do t'ju ndihmojnë të flini më mirë dhe më gjatë
Erëzat që zvogëlojnë inflamacionin dhe forcojnë trupin