
(Majtas) Alma Sheme, nënkryetare e shoqatës së pacientëve duke folur për mediat në protestë kundër tarifave të reja për transportin. (Djathtas) Takimet e pacientëve të hemodializës me drejtoreshën e spitalit të Lushnjës
Elona Tereziu, Shëndet+
“Të të bjerë fjala në vesh të shurdhër”. Është kjo shprehja që i përshtatet më së miri pacientëve të dializës për problemet që kanë. Teksa ka kaluar pothuajse një muaj nga bërja publike e çështjes së shkurtimit të tarifave të transportit për 39 pacientët e dializës në Lushnjës, gjendja vazhdon të mbetet e njëjtë. Zërit të tyre për rishikim të tarifave që nuk kanë bazë reale, Ministria e Shëndetësisë i është përgjigjur me shmangie përgjegjësish.
Ndërsa ministri i Shëndetësisë i orienton pacientët që për këtë çështje t’i drejtohen Drejtorisë së Administrimit Spitalor, drejtori i kësaj të fundit thotë se nuk ka asgjë në dorë dhe se çështjen duhet ta zgjidhë ministri. Ndërkohë, me gjithë këto sorollatje, pacientët e dializës duhet të paguajnë nga xhepi transportin e tyre, pavarësisht se me ligj, këtë transport duhet t’ua sigurojë shteti.
Situata
Janë 39 pacientë nga Lushnja, të cilët marrin shërbimin e dializës në katër qytete të ndryshme: Tiranë, Durrës, Berat e Fier, tarifat e rimbursuara të të cilëve janë shkurtuar prej disa muajsh. Për pacientët që shkojnë në Fier 3 herë në javë, tashmë rimbursimi është vetëm 3600 lekë, krahasuar me 13500 lekë që ishte më parë.
Pacientët kanë protestuar duke qenë se tarifat me të cilat u llogaritet rimbursimi janë ato të transportit publik (autobus), ndërkohë që transporti publik Lushnjë – Fier mungon. Pra, këtyre të sëmurëve u rimbursohet një shumë prej 100 lekësh për transportin Lushnjë – Fier, ndërkohë që shuma më e vogël që ata paguajnë për shkak të mungesës së këtij transporti është 200 lekë të reja (furgon).
Takimet
Janë realizuar dy takime të njëpasnjëshme me drejtoreshën e spitalit “Ihsan Çabej” Lushnjë , Panorea Veliu (lexo këtu), e cila ia kaloi përgjegjësinë Ministrisë së Shëndetësisë, duke u shprehur se për tarifat e vendosura ajo ka zbatuar urdhrin e ministrit dhe se nuk mund të vepronte ndryshe.

Urdhri i ministrit Beqaj, i cili ndryshon urdhrin e ministrit të mëparshëm për tarifat e transportit të pacientëve në hemodializë
Si rrjedhojë, nënkryetarja e Shoqatës së Dializës, Alma Sheme, iu drejtua Ministrisë së Shëndetësisë dhe madje në kontakt telefonik iu drejtua ministrit Ilir Beqaj.
Në këtë komunikim, ministri ia kaloi përgjegjësinë drejtorit të Drejtorisë së Administrimit Spitalor, Petro Mersini. “Kemi vajtur tre herë për takim në ministri dhe dy herë në Lushnjë. Secili ia kalon përgjegjësinë tjetrit. Në Lushnjë thonë se është urdhër i ministrit, ministri thotë që duhet të flisni me Petro Mersinin, zoti Petro Mersini të pret e të përcjell me pretendimin se nuk është kompetencë e tij, por e ministrit”, u shpreh Sheme.

Urdhri i mëparshëm i ministrit Vasili merrte parasysh edhe faktin e mungesës së transportit publik urban
Mësohet se drejtori Mersini është shprehur se “urdhri që ka nxjerrë Ministria e Shëndetësisë për transportin e pacientëve të dializës, është i njëjtë në të gjithë Shqipërinë, dhe po u ndryshua, do të ndryshojë për të gjithë, jo vetëm për Lushnjën. Kjo nuk është kompetencë e imja, por do t’ia përcjell z.Ministër shqetësimin tuaj”.
Nga ana tjetër, urdhri i nxjerrë nuk merr parasysh aspak faktin që në qytete të caktuara NUK ekziston transporti publik me autobus, por vetëm ai me furgonë, të cilët kanë një çmim të konsiderueshëm krahasuar me autobusët (të paktën dyfish).
Pas lënies pa një zgjidhje edhe pas sorollatjeve disaditore, nënkryetarja e Shoqatës së Hemodializës, Alma Sheme, paralajmëron se pacientët do të ngrihen në protestë.

