Denisa Canameti/ Blertina Koka
6 nxënëse të shkollës 9-vjeçare “Jashar Hoxha“në Paskuqan janë dërguar gjatë paradites në urgjencën e Pediatrisë me shenja helmimi.
Pas dhënies së ndihmës së parë në këtë shërbim, nxënëset janë transferuar në shërbimin e toksikologjisë, për mjekim të specializuar.
Fillimisht u dyshua se problemet e nxënësve mund të kishin ardhur si pasojë e përdorimit të hashashit, por ky version u hodh poshtë pas hetimit nga Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5.
Burime zyrtare pranë QSUT-së konfirmojnë për “Shëndet+” se bëhet fjalë për 6 vajza të moshës 12-vjeçare. “Pas ekzaminimeve nga shefi i shërbimit të urgjencës së Pediatrisë dhe shefi i shërbimit të Toksikologjisë rezulton se helmimi nuk ka ardhur nga hashashi”, thonë burimet e QSUT-së, por pa përcaktuar se cili ishte shkaku i helmimit.
Sipas stafit pedagogjik, shkolla “Jashar Hoxha” është në gjendje të amortizuar si pasojë e mosinvestimeve për mirëmbajtjen e saj nga ana e Bashkisë së Kamzës.
Ndërkohë policia në njoftimin e saj për shtyp thotë:
Më datë 06.10.2016, në numrin e emergjencave 112, ka ardhur një telefonatë nga Drejtoresha e Shkollës 9-vjeçare “Jashar Hoxha”, në Kamëz, se 4 fëmijë në shkollë kanë pasur probleme shëndetësore.
Menjëherë në shkollë është dërguar grupi hetimor, ku Drejtoresha e kësaj shkolle ka pretenduar se mos ka patur lëndë narkotike një nga nxënësit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr 5, kanë kontrolluar të gjithë shkollën, nga ku ka rezultuar se në shkollë nuk është konstatuar asnjë lëndë e dyshuar narkotike. Nga kontrolli i imsishëm dhe aroma e ndierë nga shërbimet dyshohet se aroma ka qenë kimikat (në formë të gaztë) që përdoret për pastrim.
Nxënësit të cilët kanë shfaqur probleme me shëndetin, kanë marrë mjekimin e nevojshëm në Spital. Sipas deklaratave të tyre aroma ka qenë shumë e fortë.
Nga deklarimi i mjekut të Spitalit, figuron se këto shqetësime nuk kanë ardhur si pasojë e aromës së ndonjë lënde narkotike, por nga aroma e ndonjë kimikati të fortë.
Shërbimet e policisë po punojnë për evidentimin e llojit të kimikatit të futur në shkollë.

