Është rikonceptuar tërësisht shërbimi i urgjencës mjekësore. Tashmë do të jetë një qendër e vetme, e cila do të bëjë koordinimin për të çuar ambulancat në të gjithë territorin e Shqipërisë, sipas një harte dixhitale, që tregon vendndodhjen më të afërt të tyre.
Kryeministri Edi Rama ka vizituar sot zyrat e Qendrës Kombëtare të Urgjencës, nga ku njoftoi se qendra do të jetë plotësisht funksionale brenda pranverës së ardhshme.
Ai tha se çdo qytetar mund të telefonojë në çdo orë një numër unik që do të funksionojë për të gjithë Shqipërinë dhe në harkun kohor të 10 deri në 15 minutave do të ketë ambulancën në vendin që e kërkon.
“Ky qendërzim e sjell shërbimin në kohë reale pranë qytetarit në nevojë. Garantohet një shpejtësi 10-15 minuta nga çdo pikë ku flota e urgjencës do të jetë e shpërndarë, në çdo pikë ku do të ketë nevojë për praninë e urgjencës. Do të kemi 140 autoambulanca dhe hartëzimi në territor do të mundësojë që t’i përgjigjemi në kohë reale qytetarëve. Brenda pranverës së ardhshme, Qendra Kombëtare e Urgjencave Mjekësore do të jetë plotësisht funksionale dhe i gjithë sistemi i dixhitalizuar për marrjen e thirrjeve pa pagesë përmes një numri unik dhe për dhënien e komandave në kohë reale, duke ndjekur në kohë reale gjithë lëvizjet e autoambulancave në territor, do të sjelli një ndryshim themelor në raportin e shtetit me qytetarin në këtë shërbim.”
Një personel prej 90 specialistësh do të komandojë në 24 orë flotën e 140 ambulancave. Nga një shërbim që ka qenë i komanduar sipas spitaleve rajonale, tashmë ajo do të menaxhohet nga qendër e vetme./ https://shendeti.com.al/

