Denisa Canameti/ Shendeti.com.al
Fluksi i pacientëve në shërbimin e urgjencës së sëmundjeve të brendshme është shumë i lartë, veçanërisht gjatë këtyre muajve. Më shumë se 200 pacientë për 24 orë.
Bluzat e bardha shpesh herë flasin për një situatë të papërballueshme që çon në kaos dhe rrëmujë brenda shërbimit. Kaos që degradon deri në përballje verbale e fizike midis mjekëve dhe pacientëve.
Pre e një përballje fizike ka rënë mbrëmë mjeku P.Gj. Ai ka qenë duke kryer shërbimin si mjek roje kur situata me një pacient ka degjeneruar në sherr.
Mjeku ka preferuar të mos e denoncojë këtë rast, duke e mbyllur çështjen brenda institucionit të QSUT-së.
Nuk është hera e parë që mjekët përballen me të tilla situata të pakëndshme. Ashtu sikurse nuk është hera e parë që asnjë nga instancat përgjegjëse nuk reagon për dhunën që ushtrohet mbi bluzat e bardha, duke e bërë terrenin e tyre të punës të pasigurt./ https://shendeti.com.al/

