Spitali Amerikan kërkon censurimin e investigimit të gazetës “Shëndet+”, gjykata e rrëzon

gazeta

Nga Gjergj Erebara

Spitali Amerikan, kompania private që ofron pjesën dërrmuese të shërbimit të dializës së paguar nga paratë e taksapaguesve, u paraqit me një kërkesë të pazakontë për censurë paraprake në gjykatën e Tiranës më 12 tetor, në seancën përgatitore të një procesi gjyqësor civil, në të cilin, spitali kërkon përgënjeshtrim dhe dëmshpërblim për cënim imazhi nga gazeta “Shëndet +”, pas publikimit në gazetë të një shkrimi ku paraqiten shqetësimet e disa pacientëve të dializës për kushtet e këqija higjienosanitare dhe të ushqimit të ofruar nga Spitali Amerikan. (Lexoni shkrimin).

Në kërkesën e vet, avokatët e Spitalit Amerikan pretenduan që gjykata të urdhëronte gazetën që të fshinte shkrimin nga faqja e vet në internet, deri në përfundim të gjykimit.

Duke e bazuar kërkesën në nenin 202 të Kodit të Procedurës Civile, Spitali Amerikan kërkoi: “Marrjen e masës së sigurimit të padisë, duke detyruar shoqërinë “Sh Plus” të heqë artikullin e publikuar me titull: “SKANDAL: Miliona Euro për dializën, pacientët me bukë e patate dhe çarçafët me vete” nga faqja në internet deri në përfundim të gjykimit”.

Kërkesa, e cila nëse do të miratohej do të përbënte një akt të paprecedentë censure paraprake, u kundërshtua nga avokati i gazetës “Shëndet+” dhe u rrëzua nga Gjykata.

Neni 202 i KPC lejon paditësin të kërkojë në gjykatë sigurim padie, kur ka arsye për të menduar se ekzekutimi i vendimit përfundimtar mund të bëhet i pamundur ose i vështirë. Ky është një nen që përdoret në rastet kur objekti i padisë civile të pretenduara nga palët mund të shitet, transferohet apo dëmtohet para se të merret vendimi final. Në këtë rast, pala që kërkon sigurim padie duhet të japë vetë garanci për zhdëmtim të dëmit të mundshëm të shkaktuar nga sigurimi i padisë deri në fund të procesit.

Avokati i palës mbrojtëse, Erion Kanxherri argumentoi se fshirja e shkrimit deri në përfundim të gjykimit përbën një “zgjidhje në themel të çështjes” si dhe përbën keqinterpretim të nenit 202.

“Fshirja e shkrimit deri në përfundim të gjykimit nuk e bën të pamundur zbatimin e vendimit, në rast se vendimi i jep të drejtë palës paditëse, e cila kërkon në aktpadi përgënjeshtrim dhe dëmshpërblim por jo fshirje,” tha ai.

Pala paditëse argumentoi se prania e shkrimit në internet i shkakton dëm të vazhdueshëm kompanisë, e cila, sipas tyre, rrezikon të humbasë klientë potencialë, nëse këta klientë kërkojnë në internet dhe u del përpara ky shkrim.

Gjykatësja Enkela Bajo Vlora e konsideroi pretendimin të pabazë dhe pa lidhje me çështjen në gjykim, duke argumentuar se fshirja e shkrimit nuk ndihmon ekzekutimin final të vendimit, cilido qoftë vendimi.

Spitali Amerikan pretendon se shkrimi i publikuar në prill 2016 përmban informacione të pavërteta. Në shkrim, disa pacientë të dializës ankohen për kushte të këqija. Avokatët e Spitalit Amerikan kanë ngritur dy pretendime paralele gjatë procesit gjyqësor; pretendimi i parë është që kritikat për cilësi ushqimi dhe higjienë të keqe nuk qëndrojnë për shkak se në kontratën që ky spital ka me Drejtoria e Shërbimit Spitalor Universitar dhe Kontrollit Spitalor/Drejtoria Rajonale e Fondit nuk përfshihen shërbime të ushqimit dhe të lavanderisë. Pretendimi i dytë i Spitalit konsiston në një seri dëshmish përgënjeshtruese të marra nga një pjesë e pacientëve të intervistuar nga gazeta, ku pacientët mohojnë të kenë folur për gazetarët. Përfaqësuesit e gazetës “Shëndet+” thanë në gjykatë se disponojnë regjistrimet audio të intervistave me këta pacientë.

Seanca e ardhshme është caktuar për datën 9 nëntor.

 

Postime të ngjashme

Shkarkohet drejtori i Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor! Ja kush emërohet
Kastraveci: Këto janë përfitimet e tij më të rëndësishme
Çfarë dihet për rastet e hantavirusit të lidhura me shpërthimin vdekjeprurës në anijet turistike
Zakonet që do t'ju "shpëtojnë" nga fryrja e barkut
PCOS tani quhet PMOS. Çfarë duhet të dini rreth ndryshimit të emrit dhe çfarë do të thotë kjo për kujdesin
Sterilizimi, shtyhet seanca ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj
Studimi i ISHP: Të rriten taksat për pijet me sheqer, të ulen për të shëndetshmet
Ngacmoi seksualisht pacienten 21-vjeçare, arrestohet kirurgu