Vjollca Braho nuk do të jetë më në krye të Fondit të Sigurimeve. Ky lajm është bërë i ditur nga vetë znj. Braho, e cila në një postim në Facebook njofton se do ta largohet nga Fondi i Sigurimeve për të marrë një detyrë tjetër, atë të zëvendës ministres së Mirëqenies Sociale. FSDKSH tani do të drejtohet nga Erjon Manohasa.
Znj. Braho qëndron në krye të FSDKSH-së që prej dhjetorit të vitit 2015, ndërsa më parë ka drejtuar Institutin e Sigurimeve Shoqërore. Nën drejtimin e saj, janë realizuar një sërë projektesh dhe reformash, mes tyre dhe shpërndarja e kartave të shëndetit.
Postimi i Vjollca Brahos
Pas 10 muajsh në krye të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, largohem nga kjo detyrë për të vijuar angazhimet si zëvendësministre e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Drejtimi i këtij institucioni shumë të rëndësishëm për të gjithë qytetarët shqiptarë ka qenë një sfidë dhe një përgjegjësi shumë e madhe. Gjatë kësaj periudhe të drejtimit të institucionit në fokusin e punës time ka qenë shërbimi me cilësi dhe në kohë e qytetarëve dhe garantimi i përdorimit të lekëve të fondit vetëm për qëllimet që janë përcaktuar dhe shmangien e abuzimeve.
Në funksion të këtyre objektivave, angazhimi im ka qenë maksimal në përballje me problemet dhe sfidat që paraqiste drejtimi i këtij institucioni. Përveç sfidave normale që ky pozicion dhe aktiviteti i Fondit mbart në vetvete, jam përballur edhe me problematikën e trashëguar dhe të njohur tashmë.
Gjatë kohës që drejtova këtë institucion u përfundua me sukses shpërndarja e kartave të Shëndetit, një projekt ky që pothuajse ishte i bllokuar në momentin që e mora këtë detyrë, duke shtuar sportelet në të gjithë vendin si dhe duke aplikuar programet e reja informatike që u mundësuan qytetarëve marrjen e këtij dokumenti vetëm me kartën e identitetit nga çdo kompjuter ku ata mund të aplikojnë. Falë kësaj pune është bërë e mundur që nga rreth 692 mijë karta shëndeti të lëshuara gjatë vitit 2015 për vitin 2016 të lëshohen 1,190,193 karta në të gjithë vendin.
Një sfidë tjetër nga problemet e trashëguara ka qenë edhe lufta kundër informalitetit në FSDKSH. Falë angazhimit të të gjitha strukturave të FSDKSH-së, pas një sërë kontrollesh të bëra është depozituar një kallëzim penal në Prokurori, ndërkohë që vijojnë në të gjithë vendin kontrollet me një vëmendje të madhe për konstatimin e çdo rast abuzimi me barnat e listës me rimbursim.
Një risi tjetër ka qenë edhe shmangja e konfliktit të interesit të punonjësve të FSDKSH-së me ofruesit dhe furnizuesit e barnave dhe shërbimeve që rimbursohen dhe kontrollohen nga Fondi. Për këtë, janë firmosur nga të gjithë punonjësit e fondit deklaratat kundër konfliktit të interesit, duke eleminuar kështu lidhjet nepotike që mund të krijonin dyshime për abuzime dhe favorizime të mundshme.
Nuk mund të lë pa përmendur hartimin e listës së barnave me rimbursim për vitin 2016, e cila përmban 1070 barna alternative tregtare, nga të cilat 546 barna alternative të para nga 490 që përmbante lista e vitit 2015. Gjithashtu kjo listë përmban 322 principe aktive nga 280 që përmbante lista e vitit të shkuar. Këto barna përmirësojnë dhe zgjerojnë trajtimin e pacientëve në shërbime si: Onkologjik, Gastro-hepatologji, Pneumologji, Reumatologji, Infektiv, në terapinë kardiake, Parkinson, Diabet, Psoriaz, Dislipidemi, sëmundjeve të gjakut etj. Ndërkohë që disa nga barnat e reja në këtë listë janë barna inovatore të prodhuara në vitet e fundit të cilat janë në protokollet e mjekimit të mjekëve në të gjithë botën prej pak kohësh, duke bërë të mundur trajtimin e të sëmurëve me ilaçet më të mira dhe efikase sot në qarkullim.
Nga ana tjetë,r falë mirëmenaxhimit dhe kontrollit të gjithë sistemit për këtë periudhë kemi arritur të mbajnë nën kontroll buxhetin e Fondit për rimbursimin, duke e ruajtur atë brenda parashikimeve.
Paralelisht me këto procese është ecur shumë mirë me pastrimin e regjistrit të shtetasve nga mjekët e familjeve, si një nga elementet kyç për eliminimin e fiktivitetit.
Nga ana tjetër, është pothuajse drejt përfundimit të implementimit të projektit të recetës elektronike në qarkun e Tiranës. Ky projekt do të bëjë të mundur që për herë të parë në këtë qark të kemi një monitorim të plotë online të të gjithë sistemit të rimbursimit në qarkun më të madh të vendit. Unë besoj dhe jam e bindur se brenda vitit që vjen ky projekt do të shtrihet në të gjithë vendin, duke i dhënë mundësi jo vetëm FSDKSH-së të kontrollojë në kohë reale lëvizjen e çdo bari dhe të çdo qindarke të përcaktuar nga buxheti i shtetit për rimbursimin e barnave për qytetarët, por edhe duke i dhënë më shumë kohë mjekut të familjes për të kryer detyrën e tij.
Sigurisht që i gjithë ky volum pune është realizuar me mbështetjen e stafit të FSDKSH-së në të gjithë vendin, të cilin dëshiroj ta falënderoj thellësisht, ndërkohë që dua të shpreh kënaqësinë time për rikthimin e bashkëpunimit me Ministrin e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, bashkëpunim që e kemi pasur gjatë kohës që mbaja detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të ISSH-së.
Njëkohësisht dua të shpreh një falënderim të veçantë për Kryeministrin dhe Kabinetin qeveritar për besimin me këtë emërim në një post të rëndësishëm si zv. ministre e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Gjithashtu dua të falënderoj edhe Kryetarin e PDIU-së, z. Shpëtim Idrizi për vlerësimin që më dha duke më propozuar në detyrën e zv. Ministres dhe ta garantoj që ashtu si edhe në të kaluarën në detyrat që kam ushtruar, përkushtimi im do të jetë maksimal në arritjen e objektivave të përcaktuara. Në mbyllje dua t’i uroj suksese z. Erjon Manohasa në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të FSDKSH-së, duke pasur besim të plotë se do ta çoj akoma edhe me tej punën e nisur në rritjen e imazhit dhe cilësisë së shërbimit të FSDKSH-së.

