Elena Beta, Elona Tereziu, gazeta “Shëndet+”
“Të promovojmë barazinë gjinore në marrëdhëniet e punës dhe në arsimin profesional” ishte tema e aktivitetit të sotëm të organizuar nga shoqata “Together for Life” në kuadër të Fushatës Ndërkombëtare UNiTE “16 ditë aktivizëm kundër dhunës me bazë gjinore”, e mbështetur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri dhe me fonde të Qeverisë Suedeze.

Ky aktivitet u zhvillua pranë ambienteve të kompanisë “SosTariffe” në kryeqytet, drejtuesit e së cilës vendosën të bashkëpunojnë në drejtim të kësaj kauze, në mënyrë që punonjësit e tyre të kenë më tepër informacion lidhur me barazinë gjinore.
Gjatë bashkëbisedimit me përfaqësues të shoqatës “Together for Life”, të rinjtë u informuan dhe sensibilizuan lidhur me rëndësinë e barazisë gjinore në punë, pse është e rëndësishme që arritjet profesionale, rritja në detyrë të jenë në bazë të meritave dhe aftësive, dhe jo në bazë të stereotipeve gjinore dhe se pse barazia gjinore është një hap drejt një shoqërie më të mirë.
Ada Shkëmbi, supervizore në këtë kompani thotë: “Kam gati pesë vjet që punoj në call center. Në këtë kompani kam një vit e gjysmë dhe siç mund ta vini re edhe vetë, këtu ka më shumë vajza që drejtojnë se sa djem. A mendoj se ekziston barazia gjinore? Mund të them se secili nga ne lufton fort që të ekzistojë. Ndaj i inkurajoj të gjitha vajzat që të punojnë fort. Të pasurit 7 supervizore dhe dy supervizorë nënkupton që ne i kemi vlerësuar drejtuesit në bazë të meritës së tyre”, thotë Shkëmbi.
Tristant Tare, supervizor, thotë se grupi që drejton ka 10 vajza dhe dy djem. “Unë mundohem që në grupin tim t’u flas 12 punonjësve, dhe jo vajzave apo djemve në mënyrë të veçantë. Sigurisht, jemi rritur në një shoqëri patriarkale, por koha nuk po e favorizon më këtë ide. Sot vajzat po ia dalin të jenë të pavarura dhe ta përballojnë jetën me forcat e tyre. Ndaj mendoj se vajzat dhe djemtë janë absolutisht të barabartë, sidomos kur bëhet fjalë për vendin e punës”.
Ajo çka u vu re ishte dëshira e të gjithëve për të dhënë mesazhet e tyre lidhur me këtë çështje kaq të mprehtë në shoqërinë tonë. Të rinjtë e pranishëm përcollën mesazhe të forta, të bindur se krijimi i mundësive të barabarta për të dy gjinitë, është kontributi më i madh për komunitet dhe shoqëri më të fortë dhe më të pasur.
“Together for Life” do të vazhdojë aktivitete të tjera për promovimin e barazisë gjino
re në marrëdhëniet e punës dhe në arsimin profesional.






