Blertina Koka / Shëndet+
“Një gjë jo e gjallë nuk mund të na mposhtë ne të gjallat!” Janë këto fjalët e një gruaje të fortë tropojane, të cilën fati deshte të sprovonte betejën më të vështirë të jetës: përballjen me kancerin e gjirit.
Mane Danaj është gruaja heroinë nga Tropoja, e cila luftoi fort, rezistoi përballë sëmundjes vdekjeprurëse dhe në fund ia doli të qëndrojë triumfatore duke u kapur pas jetës.
Pavarësisht kushteve ekonomike, sociale dhe spitalore që mund të ofrojë qyteti i Tropojës, me dëshirën e saj të madhe për të jetuar, vullnetin e saj të fortë dhe dashurinë e përkushtimin e paepur të familjarëve, znj. Mane arriti të mposhtë sëmundjen dhe të bëhet burim frymëzimi për shumë gra të tjera.
E ndërsa vetë ia doli të fitojë mbi të keqen, znj. Mane vjen edhe me një mesazh të fortë për të gjithë gratë dhe vajzat në muajin kundër kancerit të gjirit: “Të mbrojmë e të përpiqemi për shëndetin tonë, sepse familjet e forta duan nëna të forta dhe pas një gruaje të fortë qëndron kujdesi i saj për shëndetin”
Historia e saj u bë publike nga deputetja demokrate Mimoza Hadarmataj, e cila organizoi dje një takim me gratë tropojane në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit.
Ky ishte ndër takimet e vetme të organizuara në Tropojë me qëllim ndërgjegjësimin e tropojanëve për të kryer kontrolle.
Sipas deputetes Hadarmataj, në qytetin e Tropojës Ministria e Shëndetësisë nuk ka organizuar asnjë fushatë sensibilizuese në muajin tetor, që shënon edhe muajin e ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit.
“Ky tetor po ikën pa asnjë fushatë sensibilizimi nga Ministria e Shëndetësisë në Tropojë.
Zero ekzaminime, asnjë pajisje për mamografi në Tropojë”, deklaron znj. Hadarmataj.
“Një keqardhje e thellë për gratë që nga varfëria e madhe nuk zbresin dot në Tiranë apo Kosovë për mamografinë, pasi nuk kanë para për ekzaminim. Këtë vit nuk pati mamografi të lëvizshme që të mundësonte ekzaminim falas në Tropojë. Shëndetësia falas nuk ekziston!”, shkruan deputetja në një postim në llogarinë e saj zyrtare në Facebook.
Ashtu si Tropoja janë edhe shumë qytete të tjera në Shqipëri ku nuk është kryer asnjë fushatë sensibilizuese nga Ministria e Shëndetësisë, jo vetëm gjatë këtij muaji, por edhe më parë./ https://shendeti.com.al/

