Denisa Canameti/ Shëndet+
Tefta Tralo është emri i laborantes që ndërroi jetë në spitalin e Burrelit ‘Xhavit Mara’, ditën e djeshme. Personeli mjekësor i atij spitali rrëfen për “Shëndet+”, gjithë rrjedhën e ngjarjes.
“Ishte thirrur për një urgjencë pasdite. Erdhi. Mori analizat e pacientit dhe shkoi në laborator. Kur shkojnë të afërmit për të tërhequr përgjigjen e gjetën pa jetë”.
Të pyetur nëse kishin dijeni për ndonjë problem shëndetësor që mund të kishte shfaqur e ndjera kohët e fundit, ata shprehen që jo.
“Tefta, nuk ka pasur ndonjë problem shëndetësor që ta dinim, prandaj jemi kaq të habitur”.
Ndërkohë, kolektivi i punës nëpërmjet një postimi në rrjete sociale, në faqen “Urdhri i Infermierit Qarku Dibër” shprehin dhimbjen për ndarjen nga jeta të koleges së tyre:
“Një profesioniste e shkëlqyer. Punoi për shumë vite pa u ankuar. Punoi një jetë të tërë pa u lodhur kurrë. Sot gjithë spitali është në zi e me lot në sy. E lë jetën tënde shumë parakohe, në vendin e punës ku i kushtove gjithë sakrificat e tua. Tefta le pas respektin, dashurinë, mirënjohjen dhe vlerësimin e gjithë matjanëve. Prehu në paqe Tefta Tralo” përfundon postimi.
Pas kryerjes së ekspertizës mjeko-ligjore, dyshohet se e ndjera ka ndërruar jetë si pasojë e një arresti kardiak. / shendeti.com.al

