Pacientët e dializës, shteti s’u rimburson paratë e transportit

Shqetësimi i ngritur nga gazeta “Shëndet+” në muajin shtator për pacientët e dializës në Lushnjë, pas ankesave të shumta të ardhura në redaksi (lexo këtu), është trajtuar para disa ditësh edhe nga emisioni investigativ “Stop”.

pacientet-e-dializes

Pacientët ankohen se u kanë ulur ndjeshëm buxhetin për transportin, ku nga 16 mijë lekë të reja që merrnin deri në qershor, tani kjo shumë është ulur në 4 mijë lekë të reja. Aktualisht Lushnja ka 39 pacientë që marrin shërbimin e hemodializës në 4 qytete të ndryshme, si Tiranë, Durrës, Berat e Fier.

Këta pacientë duhet të udhëtojnë tre herë në javë (13 herë në muaj) drejt qyteteve të përcaktuara për të marrë shërbimin e dializës, por, sipas tyre, tarifat e vendosura janë tejet qesharake dhe nuk mbulojnë koston e transportit.

E pyetur nga gazeta “Shëndet+”, drejtoresha e Spitalit Rajonal Lushnje, Panorea Veliu, pati deklaruar se ka nisur disa shkresa ndaj Ministrisë së Shëndetësisë dhe Fondit, ku i ka njohur me problemet e pacientëve dhe përgjigja e tyre ka qenë “Të zbatohet urdhri i ministrit!”

“Unë nuk mund ta shkel urdhrin,- deklaron znj. Veliu,- pavarësisht presionit të pacientëve”.

Të njëjtën gjë ka deklaruar edhe për emisionin “Stop”, ndërkohë që saga e mundimit të pacientëve vazhdon.

“Stop” ka bërë për një ditë provën e udhëtimit me një nga pacientët e hemodializës nga Plugu i Lushnjës në spitalin e Fierit.

Skënderi niset me taksi nga Plugu deri në Lushnjë, pasi fugon nuk ka në atë orar të mëngjesit kur ai niset. Nëse do të niset më vonë, ai nuk kap dot seancën e dializës. Më pas shkon në rotondon e Savrës, nga ku merr fugon për t’u nisur drejt spitalit të Fierit. Gazetarja përllogarit, se kostoja ditore për Skënderin është 1500 lekë të reja dhe për 13 seanca i duhen 19 500 lekë të reja.

Skënderi ka një pyetje për drejtoreshën e spitalit dhe për ministrin Beqaj:
“Shkoj dot unë me 40 mijë lekë të vjetra deri në Fier?”

Shpresojmë që Skënderi dhe shumë pacientë të tjerë si ai të marrin një përgjigje nga ministri Beqaj.

Postime të ngjashme

Për herë të parë, turistëve të huaj u vihet tarifë për shërbimet shëndetësore
Reduktim i mjekëve në qendra shëndetësore dhe spitale, reagon Ministria e Shëndetësisë
Vrau 15 pacientë, mjeku dënohet me burgim të përjetshëm! Dëshmia: Mendova se ishte më e mira për ta
Kur një nënë e kuptoi menjëherë se vajza e saj ishte dhunuar, pse nuk u aktivizuan mekanizmat e sistemit shëndetësor?
Raporti i OBSH-së: Rastet e kancerit pritet të rriten ndjeshëm në mbarë botën
E sëmura me kancer në protestë: Jep para për koncert dhe nuk rimburson ilaçet tona
5 kura shtëpiake për pickimet e mushkonjave
5 mënyra për të mbajtur kockat tuaja të forta pas moshës 50 vjeç