Sfidat e fëmijëve me kancer në QSUT, asnjë cikël kimioterapie nuk bëhet i rregullt

pediatriaa

Për gazetën “Shëndet+”: Denisa Canameti

Për kancerin nuk ka një regjistër kombëtar. Megjithatë, mjekët konfirmojnë një rritje të numrit të fëmijëve me kancer. Ndërkaq, familjarët e këtyre fëmijëve thonë se ballafaqohen me vështirësi shumë të mëdha, për trajtimin e fëmijëve të tyre.

Medikamentet janë A-ja dhe Zh-ja e problemit. Asnjë prej familjarëve nuk di të thotë se kur fëmija ka mundur ta bëjë ciklin e kimioterapisë të rregullt. Shpesh ndodh që terapitë mungojnë, ndërsa çmimi i tyre për t’u blerë në farmaci është tepër i lartë. Mungesa e kimiopreparateve nënkupton edhe zgjatje në kohë të trajtimin, fakt që ka lodhur jo vetëm familjarët, por kryesisht fëmijët të cilët nuk po e përballojnë dot më.

Prindi i 4-vjeçares me kancer në gjak: Asnjëherë nuk e kemi mbyllur ciklin e kimioterapive

Vogëlushja S.H, vetëm 4 vjeçe, nga Korça, është diagnostikuar me një formë akute të kancerit në gjak. Familja e së voglës është shumë e varfër dhe në pamundësi ekonomike për të përballuar realitetin që ofron onkohematologjia. Muaj më parë, e gjendur përballë krizës për medikamente dhe pamundësisë për t’i blerë ato, e ëma e vajzës pati deklaruar se do të marrë një hap ekstrem të braktisjes së fëmijës në derën e Kryeministrisë apo Ministrisë së Shëndetësisë.

Drama e kësaj familje nuk përfundon këtu.  Ata kanë edhe një djalë tjetër i cili vuan nga një çrregullim i rëndë mendor.

Në një prononcim për “Shëndet+” e ëma tregon se vajza e vogël asnjëherë nuk ka mundur ta bëjë të plotë ciklin e kimioterapisë. Kjo për shkak të mungesave të theksuara në medikamente.

“Herën e fundit vajza nuk e përfundoi ciklin e kimioterapisë. Sot kemi ardhur, nuk di të them ka apo nuk ka. I thashë burrit të mos largohej se po nuk pati, duhet ta blejmë. Nuk kemi çfarë të bëjmë. Një fëmijë nuk e mori Metotrexatin, për këtë ka nevojë edhe vajza ime sot”.

Onkohematologjia vazhdon të jetë pavioni më pak shpresëdhënës për fëmijët që trajton. Gjetja  e medikamenteve ka filluar të konsiderohet “mrekulli” apo “fat”, sepse asnjë ditë, në asnjë cikël, asgjë nuk është e sigurt.

E drejta për kujdes shëndetësor është një e drejtë themelore e njeriut ku rolin themelor e luan shteti si garantues i sigurisë së pacientit bazuar në mosdiskriminimin. E megjithatë, për fëmijët e onkohematologjisë, duket se shteti është ende në gjumë.

Në muajin korrik të këtij viti, gazeta “Shëndet+” në bashkëpunim me shoqatën “Together for Life” mbështetën prindërit e fëmijëve me kancer për të ngritur zërin për mungesat e theksuara të ilaçeve në repartin e onkohematologjisë, QSUT, duke organizuar “Thirr për fëmijët me kancer”.

Kësaj kauze iu bashkuan edhe media të tjera, si dhe shoqëria civile, ndërkohë që nga “Together for Life” dhe KSHH iu kërkua edhe Komisionerit kundër Diskriminimit që të ndërhynte për çështjen e mungesave të medikamenteve për fëmijët. Pas pak ngritjes së zërit, nga ana e QSUT-së u siguruan ilaçet. Megjithatë, prindërit vazhdojnë të raportojnë marrje jo të rregullta të ilaçeve të nevojshme për fëmijët e tyre, jeta e të cilëve është çdo ditë në rrezik./ https://shendeti.com.al/

Postime të ngjashme

Shkarkohet drejtori i Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor! Ja kush emërohet
Kastraveci: Këto janë përfitimet e tij më të rëndësishme
Çfarë dihet për rastet e hantavirusit të lidhura me shpërthimin vdekjeprurës në anijet turistike
Zakonet që do t'ju "shpëtojnë" nga fryrja e barkut
PCOS tani quhet PMOS. Çfarë duhet të dini rreth ndryshimit të emrit dhe çfarë do të thotë kjo për kujdesin
Sterilizimi, shtyhet seanca ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj
Studimi i ISHP: Të rriten taksat për pijet me sheqer, të ulen për të shëndetshmet
Ngacmoi seksualisht pacienten 21-vjeçare, arrestohet kirurgu