Denisa Canameti / Shendeti.com.al
Epilepsi, infeksione të përsëritura pulmonare, glaukomë kongenitale bilaterale, prapambetje motore e të tjera diagnoza që përshkruhen në kartelën e një vajze vetëm 4 vjeçe.
E vogla ka lindur në muajin e tetë të shtatzënisë. Që prej lindjes e deri më sot, Xhensila dhe familja e saj nuk kanë mundur të gjejnë qetësi.
Çdo muaj në dyert e spitaleve, e thuajse çdo muaj e shtruar në spital.
Përmes telefonatave të panumërta në redaksinë e “Shëndet+”, e ëma e vogëlushes na tregon për një kalvar vuajtjesh, të cilave, për shkak të gjendjes së keqe financiare, nuk ka mundur t’u japë zgjidhje.
“Vajza vuan nga shumë sëmundje. Nuk di të numëroj sa herë është shtruar në QSUT. Mjekët më kanë thënë që duhet dërguar jashtë. Komisioni ndërspitalor i ka kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë që e mitura të dërgohet në një klinikë të specializuar jashtë vendit. Nuk kemi mundur që ta çojmë. Ministria na mbulonte vetëm shpenzimet e spitalit. Jo biletat apo qëndrimin atje.
“Këtë vit i kam kërkuar sërish Ministrisë së Shëndetësisë që të më jepte një tjetër mundësi për t’u larguar jashtë. Më kanë marrë me datë 1 dhjetor nga Ministria e Shëndetësisë për të më thënë që më është aprovuar një tjetër mundësi për ta çuar vajzën jashtë, brenda dhjetorit të këtij viti. Sërish nuk do mundem ta çoj. Nuk kam mundësi ekonomike”.
Ministria e Shëndetësisë: Nuk është në dorën tonë!
Të kontaktuar nga redaksia e “Shëndet+”, burime brenda Ministrisë së Shëndetësisë bëjnë me dije se janë në dijeni të rastit. Ata konfirmojnë gjithçka ka thënë nëna e Xhensilës.
“Po e dimë se për cilin rast po flisni. E kemi dosjen mbi tavolinë. Na ka kërkuar komisioni ndërspitalor për t’u vlerësuar për dërgim jashtë. E kemi miratuar në 2014-n, por nëna nuk e shfrytëzoi.
Nëna e vajzës ka ardhur sërish në Ministri dhe ka kërkuar një miratim të dytë. Sërish e kemi miratuar. Tani nuk është më në dorën tonë.
Ne i mbulojmë shpenzimet spitalore.”
Është varfëria dhe pamundësia e familjes për të dërguar vajzën e vogël jashtë. Ata nuk kanë para për të bërë të mundur atë udhëtim që mund t’i lehtësonte dhimbjen Xhensilës, 4 vjeçe.
E ëma shpreson që përmes publikimit të rastit në media dhe rrjete sociale të mund të sensibilizojë njerëzit për ndihmë.
Nr. celulari: 0695810467


