Maternitetet në “garë” për foshnjën e parë të vitit. Ja ekipet e mjekëve në krye të detyrës në ndërrimin e viteve

familje-beb

Denisa Canameti, gazeta Shëndet + dhe Shëndeti Online

Maternitetet janë vendet “e magjishme”, prej së cilës bota merr çdo ditë jetë. Është kthyer në traditë, në shumë vende të botës që natën e ndërrimit të viteve të gjithë t’i kenë sytë nga “foshnja e parë e vitit”. Të gjithë duan të mësojnë gjininë dhe emrin e foshnjës, duke e përcjellë këtë lajm si një mesazh të rëndësishëm për vazhdimësinë e jetës.

Foshnja e parë e vitit 2015 në Tiranë lindi në maternitetin “Koço Gliozheni”, ndërsa në 2016-n “garën” e fitoi materniteti “Mbretëresha Gerladinë”. Disa mund të mos e quajnë garë, por është padiskutim një kënaqësi e veçantë mbajtja në duar e fëmijës që lind në minutat e para të ndërrimit të viteve. Prandaj edhe ekipet e mjekëve që do të jenë në shërbim, e konsiderojnë një moment emocionues. Në një prononcim për “Shëndet Plus”, mjekët primarë që do të jenë në krye të shërbimit në dy maternitetet e Tiranës, shprehen: “Pritja e fëmijës së parë është emocion”.

maternitete

Rexhina Bajo, mjeke obstetre-gjinekologe pranë materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, është pjesë e ekipit të mjekëve që do të jenë në shërbim natën e ndërrimit të viteve. Për gazetën “Shëndet +” ajo rrëfen:

“Nuk ishte zgjedhja ime të isha roje natën e ndërrimit të viteve. Më ra shorti. Më ka ndodhur shumë herë të jem roje. Nata është si çdo natë tjetër. Vetëm se njerëzit janë më të kënaqur. Ke një lloj përgjegjësie më shumë sesa herët e tjera, sepse duket sikur të gjithë kanë kthyer sytë nga ty, por në fakt është po ajo punë e përditshme që bëhet gjithandej.

“Ajo natë ka një domethënie të veçantë, e para sepse fillon një vit i ri dhe të gjithë dëshirojnë të shkojë sa më mbarë, qoftë për supersticion, qoftë edhe për faktin se pritet fëmija e parë dhe fëmija e parë ka dhe emocion.

“Dokumentacioni është i ri dhe firma e parë është e imja. Në fakt, në kaq shumë vite pune dhe në aq shumë vënie firmash, shpesh kthehet në një ditë normale, gjithsesi njerëzit e konsiderojnë emocion dhe mezi e presin ta marrin vesh cili lindi i pari. Ne këtu presim 7000 fëmijë gjatë vitit dhe secili prej tyre është njësoj i çmuar.

“Lidhur me natën e Vitit të Ri, më vjen keq që s’jam me familjen se nuk dua ta lë nënën time vetëm, megjithatë kjo ëshët puna ime si mjeke dhe sigurisht për këtë nuk jam pishman.

Stafi në maternitetin tonë do të jetë si çdo natë tjetër. Do të shërbejnë 3 mjekë obstetër-gjinekolog me një primar, dy reanimatorë dhe një mjeke pediatre dhe staf personel i mesëm në çdo lloj reparti”.

Kur fëmija merr emrin e mjekut

Mjekja Bajo rrëfen edhe një rast në të cilin familja i ka vendosur fëmijës emrin e saj. “Nuk më ka ndodhur ndonjëherë që të vendos emrin e fëmijës, por fëmijës i kanë vënë emrin tim. I njoh disa nga ata fëmijë sepse, sa herë kanë ditëlindjen, më kujtojnë. Një nga ato që i kanë vënë emrin ka qenë vajza e tretë e një familje që familja kishte menduar ta hiqte. Këmbëngula që të mos e hiqnin. Dhe prindërit e mbajtën dhe u vunë emrin tim. Vajza sot është 3 vjeçe. I takoj rastësisht dhe më thonë që është bërë shumë grindavece. Dhe unë u them se dhe unë dikur kam qenë e prapë, por tashmë jam shtruar dhe jam doktoreshë (qesh).

***

Rezart Ajazi, mjek obstetër-gjinekolog, pranë maternitetit “Koço Gliozheni ”, është pjesë

Dr. Rezart Ajazi duke folur për gazetën "Shëndet +"

Dr. Rezart Ajazi duke folur për gazetën “Shëndet +”

e ekipit të mjekëve që do të jenë në shërbim natën e ndërrimit të viteve

Për mua është një ditë e zakonshme pune. Prandaj kam zgjedhur të jem. Është e disata herë që zgjedh të jem mjek roje më datë 31. Do të jemi tre obstetër. Do të jetë stafi i plotë. Megjithëse është Viti i Ri, kemi të njëjtin angazhim, të njëjtin përqendrim pune.

Lidhur me të ashtuquajturën “garë” mes materniteteve të Tiranës, mund të themi se gjithçka është në dy drejtim: Një “garë” në mendje se në cilin maternitet do të kryhet lindja e parë e vitit dhe e dyta, është që ecuria, qoftë për shërbimin, qoftë për pacientin, të mos ketë komplikacione të natyrave ekstreme ku të duhet të koordinohesh me specialitetet e tjera. Dëshira më e madhe për Vitin e Ri? Të kesh një natë me sa më pak komplikacione.

***

Megjithëse drejtuesit e materniteteve nuk pranojnë ta quajnë garë mes materniteteve fëmijën e parë që do të lindë në vitin 2017, Blenard Nonaj, drejtor i maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” nuk ngurron të thotë: “Gjatë drejtimit tim, kjo “garë” është fituar nga ne tre herë!”

Postime të ngjashme

Shkarkohet drejtori i Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor! Ja kush emërohet
Kastraveci: Këto janë përfitimet e tij më të rëndësishme
Çfarë dihet për rastet e hantavirusit të lidhura me shpërthimin vdekjeprurës në anijet turistike
Zakonet që do t'ju "shpëtojnë" nga fryrja e barkut
PCOS tani quhet PMOS. Çfarë duhet të dini rreth ndryshimit të emrit dhe çfarë do të thotë kjo për kujdesin
Sterilizimi, shtyhet seanca ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj
Studimi i ISHP: Të rriten taksat për pijet me sheqer, të ulen për të shëndetshmet
Ngacmoi seksualisht pacienten 21-vjeçare, arrestohet kirurgu