Kandidatët për specializantë në mjekësi protestuan gjatë paradites së sotme (30 dhjetor 2016) para fakultetit të tyre. Shkak i protestës, rifutja e kriterit të gjuhës së huaj
Denisa Canameti, gazeta Shëndet + dhe Shëndeti Online
Një vendim i dhënë në mungesë të dekanit të Fakultetit të Mjekësisë duket se ka sjellë një rrëmujë jo të vogël në specializimet në këtë fakultet, i pasuar sot me një protestë nga ana e të skualifikuarve. Mësohet se përkundër kritereve të fillimit, ku mjekëve të përgjithshëm u lejohej të regjistroheshin edhe nëse nuk kishin dëshminë e mbrojtjes së gjuhës së huaj, rikthimi i dekanit ka bërë që të anulohet vendimi i parë me një të dytë që e shkurton listën e konkurrentëve nga 313 në 167.
I kontaktuar nga gazeta Shëndet + dekani i Fakultetit të Mjekësisë Xheladin Draçini thotë se gjithë ngatërresa ka ndodhur në mungesë të tij, kur është dhënë një njoftim në të cilin thuhet:
“Të gjithë kandidatët që nuk kanë paraqiur dëshmi të njohjes së gjuhës së huaj në nivelin C1, por që plotësojnë kriteret për të marrë pjesë në konkurrim, në rast se do të rezultojnë fitues do të regjistrohen, me kusht që, nëse do të rezultojnë fitues brenda vitit të parë të specializimit, duhet të paraqesin dëshminë e mbrojtjes së gjuhës së huaj në nivelin C, sipas përcaktimeve të Udhëzimit të MAS nr. 52, datë 03.12.2015 “Për përcaktimin e niveleve të gjuhëve të huaja dhe testeve ndërkombëtare, për pranimet në programet e studimit të ciklit të dytë dhe të tretë, në insititucionet e arsimit të lartë”, i ndryshuar. Në rast mosparaqitjeje të dëshmisë së kërkuar brenda afatit të mësipërm, specializantët do të çregjistrohen duke humbur të gjitha të drejtat e fituara”.
Mësohet se një vendim i tillë është marrë në kundërshtim me ligjin, i cili i detyron institucionet e arsimit të lartë që t’i pranojnë specializantët vetëm nëse e kanë tashmë dëshminë e mbrojtjes së gjuhës së huaj në nivelin C1 në institucionet e njohura nga Ministria e Arsimit.
Në intervistën e dhënë për gazetën Shëndet + pas protestës së kandidatëve për specializim, dekani Xheladin Draçini shpjegon gjithçka ka ndodhur dhe masat që pritet të merren ndaj individëve, të cilët, sipas tij, kanë shkelur ligjin.
Zoti Draçini, si është krijuar një situatë e tillë? Përse kjo protestë sot?
Në Fakultetin e Mjekësisë ka filluar një proces specializimesh i cili është rregulluar me dy dokumente: Me rregulloren e studimeve specalizimeve afatgjata, cikli i tretë, të miratuar më 1 dhjetor 2016, dhe udhëzimi përkatës 62, i datës 1 dhjetor 2016.
Dalja e këtyre dy dokumenteve ka caktuar fillimin e procesit të specializimeve afatgjata në Fakultetin e Mjekësisë. Një nga hallkat ka qenë aplikimi nga data 9 – 16. Në udhëzim përshkruhet shumë qartë dokumentacioni që duhet në dispozicion të aplikuesve me qëllim që ata të mund të kualifikohen për vazhdimin e mëtejshëm.
Më tej këto dokumente vlerësohen nga dekanati i Fakultetit të Mjekësisë. Udhëzimi ia ngarkon dekanatit të Fakultetit të drejtën për të bërë verifikimin e dosjeve dhe përcaktimin e një liste paraprake e cila përcakton personat që kanë të drejtë të vazhdojnë në fazat e mëtejshme, të cilat janë: intervista dhe testimi me shkrim. Mbasi mbaron kjo fazë, aplikantët kanë dhe dy ditë në dispozicion për ta saktësuar, verifikuar, ankimuar procesin dhe më pas prodhohet lista përfundimtare. Vazhdon pastaj intervista dhe gjithë procesi tjetër.
Dokumentacioni është i pasur, përcaktohet shumë qartë në udhëzim se çfarë duhet të jetë. E para, cikli i studimeve. Janë disa kërkesa të veçanta që nënkuptojnë ciklin 6-vjeçar për mjekësinë e përgjithshme, ose 5-vjeçar të farmacisë apo stomatologjisë. Pra, e përcakton shumë qartë se cili duhet të jetë niveli i studimeve që duhet të paraqesë.
Diploma e rregullt, lista e notave e rregullt, licenca e ushtrimit të profesionit, e cila në kohën e aplikimit duhet të jetë në dokumentacionin përkatës të personit, si në çdo aplikim të rregullt. Si dhe gjuha e huaj.
Mund të na e sqaroni pak më qartë çështjen e gjuhës së huaj?
Gjuha e huaj rregullohet nga udhëzimi 52. Udhëzimi 52 ka dalë më datë 3 dhjetor 2015. Udhëzimi 52 i Ministrisë së Arsimit e Sportit është zyrtarisht i pranishëm në Fakultetin e Mjekësisë, por mund të verifikohet nga kushdo edhe në faqen e ministrisë. Paraqet karakteristikat që duhet të përbëjë gjuha e huaj si pjesë e studimeve universitare. Është pjesë e kornizës ligjore shqiptare dhe evropiane. Përcakton nivelet për ciklin e parë dhe të dytë të studimeve, përcakton nivelet dhe për ciklin e tretë. Për ciklin e parë të studimeve, universitetet përcaktojnë vetë një nivel nga B1 te C1. Për ciklin e tretë të studimeve vendoset niveli C1.
Pra, udhëzimi përcakton nivelin e gjuhës, përcakton afatin e dokumentit ligjor që vërteton mbrojtjen e gjuhës, përcakton dhe institucionet të cilat duhet të kenë një marrëveshje me Ministrinë e Arsimit e cila garanton licencimin e tyre dhe të drejtën e tyre që të përdorin testet ndërkombëtare dhe gjuha e huaj duhet të jetë e mbrojtur me teste ndërkombëtare. Më kuptoni, është shumë i qartë udhëzimi në këtë pikë dhe është prej një viti në dijeninë e të gjithë botës akademike në Shqipëri.
Megjithatë, një vit në botën akademike mjekësore është pak për të rregulluar pozicionin, sepse çdo njeri që ka mbaruar studimet mjekësore, ka pasur një nivel të caktuar të gjuhës të rregulluar me udhëzimet e mëparshme, të cilat ky udhëzim i ka shfuqizuar.
Duke marrë parasysh këtë fakt dhe kërkesat, Universiteti i Mjekësisë së Tiranës (po flas pak jashtë kompetencës sime, por duke qenë anëtar i senatit e kam këtë të drejtë) dhe senati akademik mori në shqyrtim shqetësimin e natyrshëm të manifestuar në ankimimet dhe kërkesa të ndryshme që kishin sjellë pranë fakultetit dhe mori një vendim që, e theksoj, nuk është në shkelje të ligjit, i cili ka përcaktuar që, për momentin, mund të pranohet në procesin tonë niveli B2 i gjuhës angleze, por vetëkuptohet me të dy parametrat e tjerë të pandryshuar. Pra, niveli B2, por me një afat jo më shumë se dy vjet të mbrojtur dhe në institucione të njohura, të licencuara pranë Ministrisë së Arsimit.
Pikërisht këtë kornizë ligjore ka zbatuar Fakulteti i Mjekësisë. Dua të theksoj faktin që në një moment të caktuar, dekanati i Fakultetit të Mjekësisë bashkë me Universitetin e Mjekësisë kanë prodhuar një listë kandidatësh e cila ishte në kundërshtim me ligjin.
Ishte e ndërtuar në kundërshtim me udhëzimin, me rregulloren, udhëzimin 52 të ministrisë dhe ligjin e arsimit të lartë. Për arsye personale, nuk kam qenë i përfshirë në aktivitetin e fakultetit për një periudhë njëjavore. Sapo jam kthyer në punë, jam vënë në dijeni që një vendim i Fakultetit të Mjekësisë ishte në kundërshtim me ligjin.
Çfarë bëtë pasi mësuat një gjë të tillë?
Në përmbushje të detyrimit tim si përfaqësues ligjor i Fakultetit, kam kontaktuar menjëherë rektorin e Universitetit të Mjekësisë, të cilit i kam shtruar problemin tim dhe në vendim të përbashkët është ngritur një grup kontrolli për procesin, i përbërë nga unë dhe nga dy profesorë të nderuar të Fakultetit të Mjekësisë. Grupi i kontrollit ka marrë në shqyrtim gjithçka, duke pezulluar procesin dhe efektin e dy vendimeve të marra dhe ka prodhuar një relacion zyrtar i cili i është dorëzuar rektorit të Universitetit të Mjekësisë Tiranë. Rekomandimi i këtij grupi kontrolli ka qenë që vendimi 6 dhe vendimi 7, të publikuar nga dekanati i Fakultetit të Mjekësisë janë të ndërtuar në shkelje dhe kundërshtim të kritereve ligjore aktuale.
Pas kësaj rektori ka prodhuar një shkresë duke kërkuar që rezultatet të merren në administrim sipas konkluzioneve të grupit të kontrollit dhe të zbatohet ligji i arsimit të lartë, rregullorja e specializimeve dhe udhëzimi fjalë për fjalë. Në këto kushte dekanati i Fakultetit të Mjekësisë ka bërë menjëherë shfuqizimin e të dy vendimeve dhe ka marrë në rishqyrtim të gjithë dokumentacionin dhe ka prodhuar një listë ligjore të rregullt, e cila është aktualisht në dispozicion të të gjithë aplikantëve.
A nuk mendoni se aplikantëve u është bërë një padrejtësi?
Nuk ka as të pranuar, as të përjashtuar, ka vetëm një listë ku janë të pranishëm të gjithë ata persona që përmbushin plotësisht kriteret ligjore.
Me rektorin kam ngritur që dje të gjitha shqetësimet e mia personale mbi faktin që këta persona pa dyshim, përmbushin një pjesë të madhe të kritereve ligjore, por disa të tjera jo, dhe i kam kërkuar që të krijojë të gjitha hapësirat edhe mundësitë, gjë për të cilat ishte dakord, për t’u diskutuar me Ministrinë e Arsimit dhe për të rregulluar afatet e për të krijuar mundësinë që këta persona të rregullojnë gjendjen e tyre ligjore.
Me aplikantët ka qenë vetëm problemi i gjuhës?
Jo, në proces nuk është vetëm problemi i gjuhës. Ka patur edhe nga ata që nuk kanë pasur një licencë aktive, që nuk kanë pasur listë notash. Të gjitha këto janë kushte madhore që nuk të lejojnë që ta vazhdosh procesin më tej.
Në këtë rast janë dy probleme: një problem që është ligjor, të cilin unë do ta zbatoj pa asnjë hezitim, është edhe një çështje morale për të cilën do të investoj maksimalisht që studentët tanë të mund të gjejnë hapësirën e tyre ligjore brenda këtij procesi.
A do të merren masa administrative për urdhrin e dhënë në kundërshtim me ligjin?
Masat administrative do t’i shikoj në fund të procesit se sa do jenë të arsyeshme dhe deri në çfarë niveli.
Dua të theksoj se nuk i është bërë dëm askujt. Aplikantët mbeten aplikantë. Lista që kanë nxjerrë përsëri dje, është një listë që është e shkruar, që është paraprake, jo një listë përfundimtare apo e përmbyllur. Është paraprake sepse do të marrë parasysh dhe ankimimet dhe të gjithë reagimin ligjor që do të vijë qoftë nga universiteti, qoftë nga ministria.



