Për gazetën Shëndet + dhe Shëndeti Online: Boris Miska, specialist i ISHP-së
Dihet se gjatë stinëve të ndryshme të vitit kemi ulje dhe ngritje në trafikun rrugor, përshkallëzim të aksidenteve e mundësi potenciale që ato të ndodhin më shpesh.
Kjo është shume evidente gjate dimrit, që përkon me përkeqësim të motit, ulje të temperaturave, reshje të dendura shiu e dëbore, rrugë të rrëshqitshme, ngrica etj.
Në këto kushte duhet të bëjmë më shumë kujdes, pasi vetëm kështu parandalojmë ngjarje e trauma që mund të na kushtojnë shumë shtrenjtë.
Për këtë qëllim, është e domosdoshme që të ofrohen këshilla për drejtuesit e mjeteve dhe në tërësi për të gjithë ata që lëvizin gjatë këtyre ditëve me temperatura të ulëta.
Gjatë stinës së ftohtë, disa kushte të faktorëve atmosferik, si mjegulla, shiu, dëbora dhe akulli, e bëjnë më të vështirë drejtimin e automjetit.
Për këto arsye është mirë që gjatë lëvizjeve me makina të respektohen kufijtë e shpejtësisë, duke sjellë në vëmendje të tyre rreziqet më të mundshme me të cilat mund të përballen në udhëtim.
Ka disa tregues të rëndësishëm për drejtimin e mjetit, që duhet të njohim gjatë lëvizjeve në kushtet e përkeqësimit të motit.
Të mbajmë parasysh kontrollin fizik të mjetit, sigurimin e zinxhirëve për gomat, furnizimin me karburant, veshjet e ngrohta, ushqim, përdorimin e solucionit kundrangrirës për motorin e makinës.
Ngricat, dëbora e vështirësojnë shumë lëvizjen me makina. Në këto kushte, nuk rekomandohet lëvizja pa zinxhir. Është mirë që të informoheni për motin përpara lëvizjeve, në mënyrë që të mos përballeni me situata të papritura. Duhet të evitojmë në maksimum lëvizjet natën në mot të ftohtë.
Mjegulla e bën rrugën më të padukshme ul shíkueshmërinë, zvogëlon mundësinë e frenimit në asfalt. Në këto raste duhet të ulim shpejtësinë, të ruajmë distancën, të mbajmë dritat ndezur.
Siguria në radhë të parë është e duhet të jetë pjesë e kulturës sonë, ndaj, veçanërisht në këto ditë me mot të keq e në kushte të vështira, u rekomandojmë drejtuesve të automjeteve të tregojnë kujdes maksimal gjate udhëtimit të tyre, duke u kujtuar sërish të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, si e vetmja mundësi qe shmang e parandalon aksidentet dhe na jep më shumë siguri për jetën në rrugë.
Drejtues mjetesh, ja çfarë duhet të keni parasysh që të garantoni një udhëtim të sigurt për fëmijët dhe familjen:
- Përpara se të niseni për udhëtim, informohuni rreth motit dhe rrugës që do përshkoni.
Kontrolloni makinën për nivelin e vajit, ujit, gomat, gomën rezervë, zinxhirë gome, dritat, trekëndëshin e kuq dhe kutinë e emergjencës, jelekun fosforeshent për çdo të papritur gjatë rrugës.
• Bateri dhe ngarkues që përdoret në makine për celularin tuaj.
• Mbani airbegët në modulin “ON”.
• Në kohë të ftohtë duhet të mbani me vete batanije, ujë dhe fruta.
• Një kartë rimbushëse, si dhe një karikues celulari makine.
• Regjistroni numrat e emergjencës në celularin tuaj.
• Mos pini alkool, si përpara ashtu edhe gjatë udhëtimit.
• Evitoni në maksimum udhëtimet natën.
• Mos ecni me shpejtësi mbi normat e lejuara./ https://shendeti.com.al/

