Denisa Canameti, gazeta “Shëndet+” dhe Shëndeti Online
Një nënë shtatzënë në muajin e nëntë humbi jetën bashkë me fëmijën e saj disa muaj më parë në maternitetin e Tiranës “Koço Gliozheni”. Disa mjekë u vunë nën akuzë, ndërkohë që një nga gjërat që u anashkalua, ishin pajisjet jo të mira që mund të bënin diagnostikimin e duhur dhe të shpëtonin jetën e nënës dhe fëmijës.
Sot, mjekët e Koço Gliozhenit i bëjnë thirrje njëri-tjetrit që të dhurojnë para për blerjen e një aparature ekografie në spitalin ku punojnë, në mënyrë që të mund të ofrojnë një shërbim cilësor. Shkak për këtë është mungesa e investimeve në këtë maternitet nga Ministria e Shëndetësisë. Dhurimi nuk është i jashtëligjshëm, por është krejtësisht i jashtëlogjikshëm. Sepse është përgjegjësi e Ministrisë së Shëndetësisë që të analizojë gjendjen e aparaturave në shërbimin spitalor dhe mbi këtë bazë të përcaktojë përparësitë dhe nevojat për investime në fushën e pajisjeve mjekësore.
Edhe pse ky maternitet pret rreth 5 mijë lindje në vit, aktualisht ka vetëm 2 ekografi funksionale (nga 4 ekografi gjendje), por që cilësia e të cilave lë për të dëshiruar. Këto pajisje janë sjellë në këtë institucion që në kohën e përurimit të tij. Prej atëherë investimi në infrastrukturë dhe pajisje mjekësore ka qenë zero. Kërkesat e panumërta për aparatura në Ministrinë e Shëndetësisë janë refuzuar njëra pas tjetrës, duke e lënë këtë institucion në kushtet e asgjësë.
I kontaktuar nga gazeta “Shëndet+”, drejtuesi i këtij materniteti, doktor Arben Rrugia, shprehet se blerja e ekografisë “është nismë e njërit prej mjekëve dhe njëkohësisht shef shërbimi të këtij institucioni”, ndërsa nuk dëshiron të prononcohet diçka më tepër lidhur me komunikimin që institucioni që ai drejton ka pasur me Ministrinë e Shëndetësisë lidhur me kërkesat për aparatura të reja.
Orion Gliozheni: Aparatura e ekografisë, e nevojshme. MSH-ja ka refuzuar çdo kërkesë për investim
Doktor Orion Gliozheni, shef shërbimi në maternitetin “Koço Gliozheni”, si nismëtar për blerjen e ekografisë tregon për “Shëndet+” se bëhet fjalë për një nismë vullnetare.
“Detyrim nuk ka, sepse është një nismë me baza vullnetare. Na ka shkuar goja mbrapa prej vitesh për të marrë një aparaturë ekografie. Ky spital nuk ka asnjë investim që prej momentit që është ndërtuar. Janë po ato aparatura që sollën kur u ndërtua dhe që tani janë totalisht jashtë çdo parametri bashkëkohor. Një aparat ekografie në këtë spital është i domosdoshëm.
“Ministria e Shëndetësisë nuk arrin ta kuptojë, nuk dëshiron ta kuptojë dhe është e paaftë ta kuptojë. Por me gjithë këmbëngulet tona, nuk e ka sjellë. Nga ana tjetër, kur përballemi me rastet e vështira, me pacientët, përgjegjësinë e mbajmë ne mjekët. Duhet menduar që teknologjia ecën përpara. Nuk mund të dërgosh aparat ekografie në Gjirokastër që ka 100 lindje në vit dhe të mos sjellësh në një maternitet që ka 5 mijë lindje në vit.
“Kemi bërë kërkesa disa herë. Dhe përgjigjja ka qenë: Nuk kemi para. Deri në zgjedhje nuk ka para. Në këto kushte, me dashamirësinë më të madhe për t’i shërbyer spitalit, biseduam me një fondacion të njerëzve të biznesit që do të kontribuojnë për blerjen e kësaj ekografie. Kjo është një formë për t’i sensibilizuar pak më shumë këta njerëz që janë jashtë profilit. Unë u bëra një thirrje kolegëve të mi për donacion.
“Nëse dikush dëshiron ta interpretojë këtë nismë, le ta dijë që nuk kam përfitime. Unë kam bërë donacionin tim. Është hapur në internet një faqe dhe një numër llogarie ku çdokush mund të shikojë aparatin e ekografisë dhe koston, si dhe është e hapur të shihet se sa ka kontribuar secili, për transparencë.
“Aktualisht në këtë maternitet janë 4 aparatura ekografie, janë prodhime të vjetra jashtë çdo standardi. Janë aparatura për t’u vënë në muze. Ne bëjmë 50.000 ekzaminime ekografie në vit. Pavarësisht se janë profesionistët ata që i bëjnë, lënë shumë për të dëshiruar nga pikëpamja profesionale. Ministria nuk ka bërë asnjë investim në infrastrukturë dhe është gjynah.
MSH: Mungesa e investimeve në teknologji dhe infrastrukturë sjell kujdes shëndetësor jo efiçent dhe jo efektiv
Në Ministrinë e Shëndetësisë ekziston një sektor i pajisjeve dhe sistemeve mjekësore. Disa nga objektivat e këtij sektori, sipas rregullores së brendshme të Ministrisë së Shëndetësisë (miratuar me urdhër ministri nr.498, dt. 24.11.2015), janë:
- Vlerësimi i gjendjes së furnizimit të spitaleve me pajisje mjekësore dhe identifikimi i mungesave të tyre.
- Në bashkëpunim me Drejtorinë e Planifikimit Financiar dhe Administrimit Spitalor, planifikimi dhe rialokimi i fondeve për blerje të pajisjeve mjekësore.
- Inspektimi i mirëfunksionimit të pajisjeve mjekësore në spitale, si dhe rekomandimi i masave për përmirësimin e gjendjes.
Ndërkohë, “Politika Kombëtare për Menaxhimin e Pajisjeve Mjekësore në Shqipëri” është një dokument i cili përshkruan politikën e sektorit shëndetësor në fushën e menaxhimit të pajisjeve mjekësore në Shqipëri. Ky dokument është zhvilluar në zbatim të Strategjisë Afatgjatë të Zhvillimit të Sistemit Shëndetësor në Shqipëri, e hartuar nga Ministria e Shëndetësisë (MSH) dhe e aprovuar nga Këshilli i Ministrave (KM) në vitin 2004, si dhe të Marrëveshjes së Stabilizim –Asociimit (MSA) e nënshkruar nga Qeveria Shqiptare dhe Komuniteti Evropian (KE) në 2006.
Në të thuhet fare qartë: “Efektiviteti i kujdesit shëndetësor modern varet si nga aftësitë e personelit për një përdorim të sigurtë dhe eficent të pajisjeve mjekësore, ashtu edhe nga cilësia e pajisjeve mjekësore në dispozicion të personelit mjekësor për të ofruar siguri dhe besueshmëri të rezultateve gjatë gjithë kohës së përdorimit të tyre. Të gjitha pajisjet kanë një jetëgjatësi të kufizuar, kështu herët apo vonë do të paraqesin defekte apo prishje.
“Investimet në teknologji të re pa investime në infrastrukturën për të mbajtur dhe ruajtur në parametrat e duhura të punës atë që është investuar, do të çojë në shkurtimin e jetëgjatësisë së parashikuar të pajisjeve, në keqësimin dhe vështirësimin e kushteve të punës, në demotivimin e personelit dhe të gjitha këto në një kujdes shëndetësor jo efiçent dhe jo efektiv. Nga kjo del nevoja e mbështetjes së institucionalizuar të menaxhimit të teknologjisë mjekësore”.



