Kanceri i stomakut, 6 faktorët që çojnë në shfaqjen e sëmundjes

Bisedoi: Elona Tereziu, gazeta Shëndet+ dhe Shëndeti Online

”Kanceri i stomakut është sëmundja e pestë më e shpeshtë kancerogjene në mbarë botën dhe e treta në lidhje me vdekshmërinë. Prek dy deri në tre herë më shumë meshkujt sesa femrat, dhe haset më shpesh pas moshës 50 vjeç.”

Edlira Elezaj, mjeke gastrohepatologe, në një intervistë për gazetën “Shëndet+” rendit faktorët e riskut që çojnë në shfaqjen e kësaj sëmundjeje, komplikacionet me të cilat shoqërohet, ekzaminimet e nevojshme, si dhe trajtimin e duhur.

Doktoreshë, çfarë e shkakton kancerin e stomakut dhe cilët janë faktorët e riskut?

Në shkaktimin e sëmundjes luajnë rol një sërë faktorësh ndër të cilët përmendim:

  • Infeksionin nga helikobakter pilori, një mikrob ky që jeton ne mukozën gastrike dhe që transmetohet me rrugë fekal orale. Personat e infektuar nga helikobakter pilori kanë një rrisk 2-5 herë më të lartë për të zhvilluar kancer stomaku sesa personat që nuk e mbartin këtë mikrob.
  • Është parë se të afërmit e personave me kancer stomaku kanë një rrisk 2-4 herë më të lartë për të zhvilluar sëmundjen sesa personat që nuk kanë të afërm me këtë sëmundje.
  • Dieta ushqimore e pasur me proteina, sidomos mishi i konsevuar dhe i tymosur luan rol në formimin e nitrozokomponimeve që janë lëndë kancerogjene dhe që kontribojnë në shkaktimin e kancerit, ndryshe nga dieta e pasur me perima e fruta të freskëta që  luan rol positiv.
  • Konsumimi i alkolit (mbi 2-3 pije në ditë) si dhe i duhanit luajnë një rol të rëndësishëm në shkaktimin e sëmundjes e cila është takuar më shpesh në persona që konsumojnë alkol dhe duhan.
  • Disa gjendje të quajtura prekanceroze siç janë polipet adenomatoze, metaplazia intenstinale, anemia pernicioze (mungesa e vit B12) kontribojnë në shkaktimin e kësaj sëmundje.
  • Stomaku i operuar. Personat që kanë bërë rezeksion stomaku, një pjesë e tyre pas 25 – 30 vjetesh mund të zhvillojnë një kancer stomaku.

Gjatë ekzaminimit të stomakut

Me çfarë shenjash, komplikacionesh shoqërohet sëmundja?

Shenjat klinike janë në varësi të lokalizimit të tumorit si dhe stadit të zhvillimit të tij.

Fatkeqësisht një pjesë e madhe kapet në faza të avavcuara, pasi shpesh të sëmurët i injorojnë shqetësimet e fazës së fillimit duke i lidhur me situata të caktuara, psh me ndryshimin e ushqimit, ftohjen e këmbëve, ndonjë medikament të përdorur dhe është për të ardhur keq që një pjesë e tyre vetëmjekohet, madje edhe duke marë ndonjë medikament në farmaci, duke maskuar në këtë mënyrë shenjat klinike e duke i lënë mundësi kancerit të zhvillohet më tej.

Ankesat më të shpeshta të këtyre të sëmurëve janë dhimbjet në regjionin e stomakut, rënia në peshë, mungesë oreksi, neveri ndaj ushqimeve, në veçanti mishit, ngecje ushqimi, defekim me ngjyrë të zezë etj.

Cilat janë ekzaminimet kryesore që duhet të kryejnë këta persona?

Ekzaminimi kryesor e i  padiskutueshem që vë diagnozën është gastroskopia, me sedacion duke i siguruar pacientit një komoditet maksimal. Me anë të këtij ekzaminimi merret material për biopsy, për prezencë të helikobakter pilori dhe konfirmim ose jo të malinjitetit të lezioneve që gjenden gjatë gastroskopisë.

Ekzaminime plotesuese janë skaneri, eko abdominale, EUS, markuesit tumorale etj.

Si bëhet trajtimi i kancerit të stomakut?

Përpara se të flasim për trajtimin dua të theksoj rëndësinë qe ka parandalimii i zhvillimit të kësaj sëmundje. Dua të theksoj lidhur me këtë të fundit, crrenjosjen e helikobakter pilori me antibioterapi adekuate. Shmangien nga dieta e ushqimeve sidomos mishit të konservuar e të tumosur, marja e një diete të larmishme me perime e fruta të freskëta, konsulta me mjekun specialist porsa tiu shfaqen shqetesimet e para gastrike, sidomos popullata në rrisk që unë e përmenda në fillim të intervistës.

Përsa i përket trajtimit ky i fundit varet nga disa faktorë siç është lokalizimi i tumorit, stadi kur diagnostikohet sëmundja, tipi histologjik i saj si dhe gjendja e pacientit në lidhje me moshën, sëmundjet shoqëruese etj.

Është fat që sëmundja të diagnostikohet në fazat e hershme të saj e pacienti nëpërmjet ndërhyrjes kirurgjikale, radioterapisë e kimioterapisë të shërohet plotësisht.

Ndryshe nga rastet kur sëmundja diagnostikohet në stade të avancuara (me prekje të organeve përreth) trajtimi do të ishte paliativ për të përmirësuar cilësinë e jetës e për mbijetesë.

Një këshillë?

Mesazhi im: Konsulta me mjekun specialist në çdo rast me shqetësime gastrike, mosrefuzimi i gastroskopisë, procedurë kjo e patjetërsueshme dhe e pazëvendësueshme që çon në diagnostikim të hershëm të sëmundjes që është baraz me shërim të plotë e shpëtim jete.

Postime të ngjashme

Shkarkohet drejtori i Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor! Ja kush emërohet
Kastraveci: Këto janë përfitimet e tij më të rëndësishme
Çfarë dihet për rastet e hantavirusit të lidhura me shpërthimin vdekjeprurës në anijet turistike
Zakonet që do t'ju "shpëtojnë" nga fryrja e barkut
PCOS tani quhet PMOS. Çfarë duhet të dini rreth ndryshimit të emrit dhe çfarë do të thotë kjo për kujdesin
Sterilizimi, shtyhet seanca ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj
Studimi i ISHP: Të rriten taksat për pijet me sheqer, të ulen për të shëndetshmet
Ngacmoi seksualisht pacienten 21-vjeçare, arrestohet kirurgu