Nga Mark Brunga
Familja e Mehmet Dyrmishit nga fshati Gramëz të Fushë Krujës bën apel për ndihmë. Ata kanë një vajzë 28-vjecare që ka 1 vit e gjysmë që i është hequr statusi i paraplegjikes nga kempi epror në Tiranë.
Prej 8 vitesh ajo është trajtuar me një shumë prej 16 mijë lekësh në muaj, ndërsa prej 1 viti e gjysmë i është hequr ndihma e invaliditetit me pretekstin se është në rregull pasi mund të lëvizë.
Matilda ka vuajtur ka epilepsia që në moshën 6-muajshe. Me kalimin e viteve sëmundja ka përparuar, duke i shkaktuar çrregullime mendore. Tani ajo nuk është e mundur as të ushqehet vetë, por vetëm me ndihmën e prindërve.
Çdo veprim ajo e bën pa asnjë lloj vetëdije, prandaj duhet të jetë vazhdimisht nën kujdesin dhe vëzhgimin e familjarëve.
I ati Mehmeti tregon se nuk ka lënë derë pa trokitur por nuk ka gjetur asnjë zgjidhje. Familja e tij jeton në një banesë të rrënuar dhe nuk kanë asnjë mundësi ekonomike për ta kthyer ne kushte normale. Ata e mbajnë frymën gjallë vetëm me 10 mijë lekët që merr nëna e 28-vjeçares për kujdesin e saj.
Të zhytur në dëshpërim nga gjendja shëndetësore e vajzës, varfëria ekstreme, tani edhe heqja e asaj ndihme të vogël që merrnin për vajzën, prindërit e saj apelojnë për ndihmë që të paktën të marrin atë që u takon.

