Burrë apo grua, mjeku është figurë e respektuar

Bisedoi: Denisa Canameti

Vjola Fera është drejtoreshë e Qendrës Shëndetësore të Kamzës. Ka pak muaj që e ka marrë atë detyrë, e megjithatë duket tejet entuziaste teksa flet për projektet për ta çuar përpara këtë qendër shëndetësore. “Kemi plane dhe kam besim që do të ecim, në të kundërt do të kem kurajën të tërhiqem”, thotë Vjola në një intervistë për gazetën “Shëndet+”. Lidhur me të qenit drejtuese në një terren të vështirë si ai Kamzës, Vjola thotë se besimi që kanë njerëzit te figura e mjekut ia lehtëson punën. “Njerëzit kanë respekt për mjekun, nuk ka rëëndësi nëse është burrë apo grua”.

Doktoreshë, ju nuk keni shumë kohë në krye të Qendrës Shëndetësore të Kamzës, si e gjeni veten me këtë staf, në këtë spital?

Kur të besohet një detyrë, ke bërë një farë kompromisi, ke venë veten përballë përgjegjësisë. Pra, është një lloj sfide që ti ia bën vetes. E bën apo nuk e bën dot. E gjej veten mirë, të mirëpritur. Besoj se do ta fitoj këtë sfidë, meqë e quajta të tillë që në fillim. Por, edhe po nuk ia dola, do ye kem guximin që t’i them vetes dhe personelit që do ye tërhiqem. Por nuk e mendoj. Ne kemi venë qëllime dhe përparësi bashkë me personelin për ta çuar përpara këtë qendër shëndetësore.

Cilat janë këto përparësi?  

Synojmë që të gjithë bashkë të arrijmë maksimalen e mundshme dhe të japim më të mirën në këtë punë. Idea është të arrish maksimumin në kushtet që je dhe me mundësitë që ke. Siç thotë edhe poezia e famshme “Në mundsh të mendosh, por jo në shkatërrim/Të ëndërrosh, por jo rob ëndërrimesh”.

Duhet të jemi realistë për kushtet në të cilat jemi dhe të japim maksimimun për të ndryshuar gjërat pozitivisht, që të kemi mundësi t’i vëmë sa më mirë në funksion të qytetarëve.

Menaxhimi apo drejtimi ka të bëjë me evidentimin e kapaciteteve. Pra, të dish se cilat janë anët më të mira dhe më pozitive në këtë qendër shëndetësore dhe këto kapacitete t’i vësh në shërbim të pacientëve.

Cilat janë anët më të mira të kësaj qendre shëndetësore?

E para, është stafi që është këtu. Bluza e bardhë. Ky profesion jo vetëm në Shqipëri, është mision. Kur bën zgjedhjen për të qenë mjek, merr përsipër të jesh misionar dhe të vihesh në shërbim të të tjerëve. Mjekësia është humanizëm. Dhe mjekët këtu janë pikësëpari profesionistë, por edhe shumë humanë. Dua të sjell në vëmendje diçka. Për sa i takon statusit tip, ne jemi Qendër Shëndetësore. Por ekziston fryma e spitalit për Kamzën. Pse? Ekziston kjo frymë falë këtyre specialistëve dhe këtij personeli mjekësor që shërben këtu. Është i lartë numri i popullsisë që ne mbulojmë. Zgjidhjen e parë njerëzit vijnë dhe e gjejnë tek ne. Prandaj rendis si pikën e parë më të fortë, personelin.

Krahas burimeve njerëzore, një tjetër pikë e fortë është edhe mundësia që po na jepet për një klinikë të re. Kjo qendër po rikonstruktohet. Fondi për të është rreth 640 milionë lekë, ndërsa 200 milionë lekë të tjera do të shkojnë për pajisjet mjekësore dhe mobilimin, në mënyrë që 77 mjekë dhe infermierë të kësaj qendre t’ju ofrojnë pacientëve një shërbim më të mirë të kujdesit shëndetësor.

Në qendrën e re do të vijnë eko, aparatura, do të bëhet shtim kapacitetesh, pajisje e laboratorit, kështu që do të rritet cilësia e shërbimit.

Ndërkohë, një pikë e dobët është besimi që kanë qytetarët te shëndetësia në Kamëz? Shpesh Kamza bëhet problem në Qendrën Universitare dhe ndodh që dhe mjekët e QSUT-së të ankohen: Na bllokon Kamza… Pse?

Sikur dy orë të vini pasdite, do të gjeni të paktën 30-40 vizita me serume, plus të tjerëve. Atëherë, kur pret kaq shumë urgjenca, si mund të thuhet që ka probleme me mjekët dhe besueshmërinë? Por, a na mungojnë specialistët? Po, na mungojnë. Ama, nuk është faji ynë që mungojnë  specialistët. Kemi dy mjekë të dalë ne pension dhe me miratimin e Ministrisë së Shëndetësisë po i mbajmë në punë. Ne na duhen, se po u hoqën ata, bie shërbimi.

Sa specialitete mbuloni?

Kemi pneumolog, kardiolog, kirurg, nefrolog. Kemi laboratorin deri diku të kompletuar. Problemi i Kamzës nuk qëndron te besimi që kanë njerëzit, sepse njerëzit kanë besim përderisa ka numër vizitash.

Për vitin 2016: kirurgjia ka 4265 vizita; numri i vizitave të mjekëve të familjes: 49 000; vizitat pediatrike: 21 000. Përballë këtyre shifrave nuk mund të thuhet që në Kamzë ka shërbim të dobët shëndetësor dhe nuk ka besim te personeli shëndetësor.

Po të dhënat e checkup-it?

Në Qendrën shëndetësore të Kamzës ka arritur realizimi në përqindje 58%.

Kur prisni të dilni në qendrën e re?

Me kontratë e kemi në gusht. Por them se përderisa punimet po ecin shumë mirë, do të ikim më shpejt.

Ju ka krijuar vështirësi ky ambient i improvizuar?

Pak po. Kamza nuk është se të ofron mundësinë që të marrësh diku tjetër një klinikë me hapësira më të përshtatshme. Kjo ka qenë klinikë më parë.

Ka shumë mjekë Kamza që janë në prag pensioni?

Ka, por po i mbajmë me shkresa të miratuara nga ministri.

Keni bërë kërkesë për shtim të specialistëve?

Absolutisht po. Në objektivin tim si drejtuese është që kur të kemi ambjentet e reja, të mos quhemi më qendër shëndetësore, por poliklinikë specialitetesh. Sigurisht, duhet të jemi objektivë që nuk mund të kërkojmë të bëjmë gjithçka menjëherë.

Cila është marrëdhënia me pacientët?

Unë nuk i kam ikur profesionit të mjekes. Edhe më parë i kam provuar disa poste: të nëndrejtores, mjekes së urgjencës, mjekes së familjes, dhe mund të them që e kam në parim që pacienti ka gjithmonë të drejtë. Është e vështirë të qëndrosh indiferent ndaj nevojave dhe kërkesave të pacientëve. Çdokush që vjen ka nevojë, ka dhimbje, ka një problem dhe idea është ta mirëkuptosh dhe ta presësh mirë.

Drejtuesit e këtij spitali kanë qenë burra (sidomos në vitet e fundit), a ka pasur nga ata që e panë me dyshim pozicionin tuaj këtu, për shkak të faktit që jeni grua?

Mendoj që kishte ardhur kohë që qendra shëndetësore të drejtohej nga një grua dhe njerëzit që më mbështetën, janë njerëz që besojnë thellësisht në forcën e gruas.

Sa e gjeni mirëkuptimin e familjes për energjitë e tepërta që harxhoni në punë? A arrini ta menaxhoni kohën si për punën, ashtu edhe për familjen?

Ka kohë, ndoshta që në vitet kur isha studente, kur bënim mjeke roje, kam bërë kompromis me familjen janë mësuar me ritmin e jetës së një mjeku. Megjithatë, jam një nënë e përkushtuar, përpiqem të jem gjithë kohës e pranishme me familjen, pasi ata janë gjithçka në jetën time.

A mund të jetë gjinia përcaktues i suksesit më shumë sesa aftësitë?

Suksesi mendoj se i dedikohet profesionalizmit. Nëse zotëron shumë mirë një profesion dhe mundohesh të ndjekësh karrierën në të njëjtën linjë me profesionin, them që pak rëndësi ka gjinia.

Cilat cilësi, sipas mendimit tuaj, janë karakteristike për gratë që mbajnë pozicione ekzekutive?

Cilësitë e një gruaje në drejtim do të ishin po të njëjtat me të një burri në drejtim. Profesionalizmi, fryma e bashkëpunimit në grup, në vendimmarrje dhe menaxhim i mirë.

Pjesa më e madhe e banorëve të Kamzës janë të ardhur, për pasojë kanë mbartur me vete dhe mentalitetet që gruaja është për shtëpi dhe që gruaja nuk mund t’u japë drejtim problemeve: A ka pasur nga ata qytetarë që ju kanë parë me dyshim kur kanë ardhur për t’u ankuar apo për të shprehur ndonjë shqetësim?

Njerëzit e duan mjekun. Kështu ndodh edhe në Kamzë. Pavarësisht dhe përtej çdo mendësie, figura e mjekut mbetet e respektuar në sytë e njerëzve.

Doktoreshë, mendoni se e gjeni veten mirë këtu?

Nuk ka ngelur që ta bëjmë shkencën ne. Thjesht duhet të jemi konkretë në gjërat që bëjmë dhe të mirëmenaxhojmë./ Shendeti.com.al

Postime të ngjashme

3 këshilla për të ulur konsumin e sheqerit dhe për të qetësuar sistemin nervor
Rriten importet e ilaçeve, KLSH: 80% janë kopje e origjinalit, pa cilësi dhe më shtrenjtë
Ndahet nga jeta akademiku Rexhep Qosja
Pas një viti sfidash, vaksinat mRNA japin shpresë të re në luftën kundër kancerit
Çfarë duhet të bëni në mëngjes për tretje më të mirë gjatë gjithë ditës
5 shenja që tregojnë se sistemi juaj nervor është i mbingarkuar
Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a
Shkencëtarët zbulojnë dy pijet me kafeinë që mund të ulin rrezikun e goditjes në tru dhe sulmit në zemër, ja sa duhet të konsumoni për përfitime shëndetësore