Tragjike ka qenë vdekja e 18-vjeçares Ketjona Ibrahimi në Spitalin Rajonal të Elbasanit, e cila humbi jetën në rrethana ende të paqarta pas operacionit.
Familjarët e saj kanë hedhur akuza të forta në drejtim të mjekëve. Për herë të parë kanë reaguar edhe nëna dhe motrat e saj, të cilat kanë rrëfyer kalvarin e gjatë të veprimeve që kanë ndjekur deri në kryerjen e operacionit.
Bejaze Ibrahimi, nëna e vajzës tregon për InfoElbasani: “Kishte ca të vjella. E nisëm për në Gramsh. Ja bënë serume dhe gjilpëra. Por nuk pati përmirësim. Tha doktori: unë të gjitha ia bëra s’ka përmirësim. Do ta nisim poshtë me ambulancë. E nisëm me oksigjen për në Elbasan. Edhe atje e çuan në urgjencë. I bënë edhe ata ca poçe serum siç i bënë këtu. Më vonë i bënë analiza e eko jo dyshojmë për atë e këtë. Në llim na thanë për stomakun. Pastaj ka çarë një vezore. Njëherë është mbushur me gjak. Pastaj ka qelb, pastaj ka ujë. I hoqën edhe tëmthin. E futën në operacion. Zgjati katër orë. E sakatuan, nuk fliste më”.
Ndërsa motrat Alba dhe Brunilda Ibrahimi, rrëfejnë: “Na thanë e pastruam nga vezorja për merak kur ajo kishte të vjella dhe dhimbje barku. Pastaj e bënë prapë operacion nga tëmthi. U vonua edhe doktoresha dhe motra përkeqësohej. Nuk na thanë asgjë. Unë akoma se kam kuptuar shkakun e vdekjes së motrës sime. Ata neglizhuan”.
Pas denoncimit të familjarëve, ka nisur ndjekja penale ndaj mjekes kirurge, Juli Maksuti me akuzën “Mjekim i pakujdesshëm”, shkruan “Panorama”.
Ketjona Ibrahimi është paraqitur në spitalin e Gramshit me dhimbje të forta barku dhe të vjella. Pasi ka marrë mjekimet e para atje dhe nuk ka pasur përmirësime, është dërguar në urgjencën e qendrës spitalore “Xhaferr Kongoli” në Elbasan. Në orët e para të mëngjesit nga urgjenca, 18 vjeçarja është dërguar në kirurgji për një konsultë. Atje është dyshuar për hemorragji në vezore dhe organet e riprodhimit. Pas kryerjes së operacionit nuk është gjetur crregullim në këtë pjesë të trupit, por në hapësirën e barkut është konstatuar sasi lëngu. Për këtë qëllim është kërkuar ndihma e mjekut kirurg. Mjekja J. Maksuti ka kryer pastrimin e lëngut dhe e ka futur në reanimacion. Nga ora 14 e pasdites deri në orën 20 vajza ka reaguar mirë dhe ka komunikuar edhe me familjarët. Por në këtë orë ajo ka pësuar arrest kardiak dhe me gjithë ndërhyrjen nuk ka mundur të shpëtojë.
Të gjitha këto detaje janë dhënë nga shefi i Kirurgjisë, Alban Hoxha.
Nga ana e tyre, mjekët e pohojnë se ndaj vajzës u kryen të gjitha ekzaminimet e duhura, por vdekja e saj është shkaktuar nga një tromboembolia pulmonare, apo mpiksje të gjakut në mushkëri. Sipas tyre, vdekja ishte e pashmangshme për vajzën e re.
Për zbulimin e shkakut të vërtetë që çoi në vdekjen e 18-vjeçares do të pritet përfundimi i analizave mjeko-ligjore që do të kryhen nga ekspertiza në Tiranë./ Shendeti.com.al

