Për gazetën “Shëndet+” mjeku endokrinolog Isuf Kalo
Tre janë aksidentet më të shpeshta e më të rënda arteriosklerotike që ndodhin te diabetikët e mjekuar keq:
- Infarkti i miokardit (nga bllokimi i arterieve që furnizojnë me gjak muskulin e zemrës).
2.Tromboza apo hemorragjia cerebrale (nga bllokimi apo çarja e arterieve që furnizojnë trurin) dhe
- Gangrenat në këmbë (nga bllokimi i arterieve që furnizojnë gjymtyrët e poshtme).
Në qoftë se pyesim diabetikun që pëson infarkt të miokardit do të zbulojmë se aksidenti s’ka ardhur aspak papritur, por përkundrazi, ka dhënë gjatë një kohe relativisht të gjatë një sërë sinjalesh që i sëmuri s’ka ditur t’i deshifrojë, ose s’i ka vënë fare në hesap.
Mos humbisni: Diabeti dhe ndërlikimet e zemrës, trurit e këmbëve
Një nga këto është dhimbja e fortë shtrënguese që shfaqet në gjoks për fare pak minuta dhe që kalon vetvetiu. Atë çast të sëmurit sikur i bllokohet frymëmarrja. Mund të ketë pak djersë, mpirje të krahut të majtë. Por gjithçka kalon shpejt, vetvetiu, pa asnjë mjekim (“Ç’është kjo kështu?!”). Ajo përsëritet prapë, një herë, dy herë, mbase shumë herë, por zakonisht ndodh kur ngjit shkallët, kur vrapon, kur ecën kundër erës. I sëmuri qëndron, çlodhet pak dhe ajo kalon. (“E mo, s’është gjë, lodhje është, natyrisht, dhe mosha tani!”). Ajo shfaqet kur flet gjatë, pas emocioneve (ndofta u preka). Më pas dhe në qetësi, në gjumë (ndonjë ëndërr), pas të ngrënit (Mos më ka rënduar ndonjë ushqim!). Dhe sëmundja përparon. Në të gjitha këto raste ajo ka dhënë shenja e sinjale, por i sëmuri nuk i ka përfillur e nuk i ka kuptuar ato. Ai vazhdon t’i justifikojë, t’i shpjegojë ashtu siç do vetë, ndërsa për mjekun këto shenja përbëjnë tashmë një diagnozë. Ajo quhet stenokardi. Sinjalet e mësipërme dëshmojnë se muskulit të zemrës nuk i shkon gjak sa duhet, sepse tubi i arterieve është ngushtuar nga brenda prej pllakave arteriosklerotike. Sëmundja e arteriosklerozës, pra, është zhvilluar. Jemi me vonesë. Procesi ka ecur më përpara se ç’duhet, por megjithatë është akoma larg së keqes. E kjo është në dorën e të sëmurëve që ta ndalojnë në këtë fazë zhvillimin e sëmundjes dhe fundi të jetë i gëzueshëm.
A mund të zbulohet arterioskleroza e arterieve koronare (kështu quhen arteriet e zemrës), në fazë më të hershme psh. që në “aktin e parë”? Sigurisht, mundësitë janë që të gjitha. Elektrokardiograma është një nga mënyrat më të thjeshta. Por e bërë vetëm një herë dhe sidomos në qetësi, kur i sëmuri nuk ka kriza zemre, ajo mund të dalë normale e të na verë “të flemë mbi dafina”. Zbulimi i hershëm i arteriosklerozës koronare varet nga këmbëngulja e mjekut, nga zelli dhe “meraku” i të sëmurit.
Çdo diabetik, pavarësisht nga forma e diabetit apo mjekimi që përdor, sidomos kur kalon moshën 40 vjeç, e ka të domosdoshme të bëjë përpara se të jenë shfaqur shenjat e stenokardisë një kontroll me anën e një prove më të saktë: regjistrimin e elektrokardiogramës pas një ushtrimi fizik (në vendin tonë për këtë qëllim bëhet prova ushtrimore me biçikletë).
Me anën e saj mund të zbulohen çrregullimet e hershme të qarkullimit në arteriet e zemrës dhe të merren që në këtë kohë masa energjike për të ndaluar ecurinë e mëtejshme të procesit.
Të njëjtat gjëra dalin po të pyesim dhe të hetojmë diabetikët që bëjnë aksidente në arteriet cerebrale (trombozë apo hemorragji të tyre). Këto aksidente jashtëzakonisht të rënda vënë në rrezik jetën e të sëmurit dhe, në rastet që kalojnë mirë, lënë prapëseprapë pasoja (paraliza) apo një sërë defektesh të tjera.
Procesi zhvillohet njësoj si në arteriet e zemrës, me po atë ngadalësi e fshehtësi. Megjithatë, as këtu aksidenti nuk ndodh papritur, përkundrazi, ai jep për shumë kohë shenja, sinjale të herëpashershme. Një vizitë e thjeshtë te okulisti që para aksidentit mund të zbulojë në fundin e syrit shenja të sklerozës së arterieve retinale. Një prekje apo dëgjim i thjeshtë nga ana e mjekut të arterieve të qafës mund të zbulojë në to zhurma apo shenja të dëmtimit nga arterioskleroza. Por më të rëndësishme se këto e më të hershme akoma janë shenjat që ndien vetë i sëmuri. Këto shenja ai duhet t’i vëzhgojë e t’i vlerësojë me plot seriozitet.
Shenja të tilla janë: mpirje e lehtë në gjymtyrët e një ane, mpirje e buzës apo e gjuhës, marrje mendsh vetëm për pak çaste, ndjenjë boshllëku (humbjeje), vështirësi në të folur vetëm për pak çaste, zhurmë në vesh të shoqëruar apo jo me përzierje të lehtë, humbje për një çast të shikimit, miza të ndritshme para syve, dhimbje koke e përqëndruar vetëm në një anë, pasiguri në ecje (sikur shkel në boshllëk, por për pak çaste) e të tjera.
Këto shenja as nuk duhen mbivlerësuar duke krijuar alarm të kote, as nuk duhen nënvleftësuar, sidomos kur shfaqen në persona diabetikë mbi 40 vjeç, që janë dhe të dhjamosur, me tension të lartë, që pinë duhan apo që kanë faktorë të tjerë favorizues. Secila prej këtyre shenjave zbulon çaste të mosfurnizimit të rregullt me gjak në zona të caktuara të trurit, si pasojë e ndryshimeve arteriosklerotike të arterieve që çojnë gjakun në to. Këto shenja të lehta janë si fllad përpara “furtunës” që do të vijë më pas. Prandaj, marrja e masave energjike në këtë kohë është vendimtare për ta shpëtuar të sëmurin, sepse akoma është shpejt.
Edhe në trombozën e arterieve të gjymtyrëve të poshtme, që shkakton deri gangrenizimin e tyre, ngjarja zhvillohet në të njëjtën mënyrë. Është i njëjti “skenar” apo ata “aktorë” e “protagonistë”. Ndryshon vetëm “skena” dhe vendi i ngjarjes. Këtë herë “drama” zhvillohet në arteriet e këmbëve. Këto arterie, ndryshe nga dy të parat, mund të vrojtohen me lehtë. Pulsacionet e tyre mund t’i ndjejë jo vetëm mjeku, por fare mirë mund të mësojë t’i prekë dhe vetë i sëmuri.
Gangrenat në gishtat e këmbëve të diabetikëve janë ndërlikime të shpeshta, të rënda dhe invalidizuese, që i detyrojnë ata të qëndrojnë për muaj të tëra në spital.
Kur gishti i këmbës, apo vendi i gangrenës nxihet dhe enjtet, të sëmurët vrapojnë te mjeku. Ka të tjerë që para apo pas kësaj s’lënë ilaçe apo melheme “popullore” pa provuar.
Kurse ilaçi “çudibërës” është vetëm kujdesi për të mos arritur deri këtu, kujdesi për ta parandaluar gangrenizimin përpara se të formohet. A nuk është për t’u habitur që kjo nuk bëhet si duhet kur masat mbrojtëse janë aq të thjeshta dhe nuk kushtojnë asgjë?
Mbyllja e arterieve dhe gangrena që shkaktojnë nuk krijohen sa hap e mbyll sytë, por për një kohë të gjatë, duke dhënë që më parë shenja dhe paralajmërime.
Një nga këto shenja është dhimbja që shfaqet papritur në pulpet e këmbëve gjatë ecjeve, gjë që e detyron të sëmurin të qëndrojë dhe më pas të çalojë. Ky sinjal i përkohshëm zhduket vetvetiu e pa mjekim, por ai përbën një nga shenjat .paralajmëruese me shumë domethënie për atë që mund të ndodhë më pas. Kjo shenjë dëshmon se qarkullimi në arteriet e këmbëve është penguar e nuk bëhet siç duhet. Këmbët e ftohta që nuk ngrohen as me çorape leshi e që e detyrojnë të sëmurin të verë borsa apo shishe me ujë të nxehtë janë një tjetër shenjë e mosqarkullimit të mirë të gjakut në këmbë. Shumë herë paralelisht më të është i dëmtuar dhe rrjeti nervor e i sëmuri nuk e ndien nxehtësinë e gabimisht mund të digjet, pa i dhimbur, nga borsa apo shishet e nxehta që vë në këmbë. Djegia mund të krijojë plagë që jo vetëm s’mbyllen, por enjten dhe përparojnë duke shpejtuar gangrenën. Plagët në këmbët e një diabetiku të tillë dhe te të gjithë diabetikët në përgjithësi janë shumë të rrezikshme. Ato mund të shkaktohen nga këpucët e ngushta, kallot, nga gërvishtjet e çpimet kur ecin zbathur, këpucët me majë, nga prerja pa kujdes e thonjve etj.
Dobësimi e më pas zhdukja e pulsacioneve në arteriet e këmbëve është një shenjë objektive që paraprin këto ndryshime. Veçanërisht në diabetikë të tillë kujdesi për këmbët duhet të jetë me të vërtetë i jashtëzakonshëm.
Nëse duhani, p.sh., është i dëmshëm për njerëzit në përgjthësi e për gjithë diabetikët në veçanti, ai bëhet në mënyrë të jashtëzakonshme i rrezikshëm e i dëmshëm për ata që vuajnë nga arteriopatitë, si ato koronare, cerebrale, të këmbëve e kudo qofshin.
Kujdesi për këmbët, mjekimi korrekt i diabetit, lënia e duhanit dhe ecja e përditshme me karakter ushtrimor janë të vetmet mënyra efikase për t’u mbrojtur nga gangrena dhe dëmtimet e tjera të qarkullimit./ Shendeti.com.al


