Përgatiti në shqip: Blertina Koka
Kanceri i fshikëzës së urinës është një lloj kanceri që fillon në fshikëzën e urinës – një organ në formë tullumbace në pjesën e legenit, që mban urinën. Ky lloj kanceri shfaqet fillimisht në qelizat që rrethojnë pjesën e brendshme të fshikëzës së urinës. Ai zakonisht prek moshat e treta, megjithatë ekziston rreziku edhe për moshat më të reja. Pjesa më e madhe e rasteve me kancer të fshikëzës së urinës diagnostikohen në faza të hershme – kur mund të trajtohen lehtësisht. Gjithsesi, ekzistojnë gjasat e ripërsëritjes së kancerit edhe nëse ai diagnostikohet dhe trajtohet që në fazat e para, prandaj mbijetuesit e këtij lloji kanceri i nënshtrohen testeve për disa vite radhazi pas trajtimit për të kontrolluar për rishfaqje të kancerit.
Shenjat dhe simptomat e kancerit të fshikëzës janë:
Gjak në urinë – e kuqe e zjarrtë ose në ngjyrën coca-cola. Ka raste kur urina duket normale dhe gjaku mund të zbulohet vetëm nëpërmjet analizave mikroskopike të urinës.
Urinim të shpeshtë
Dhimbje gjatë urinimit
Dhimbje të shpinës
Dhimbje në pjesën e legenit
Kur duhet të shkoni tek mjeku
Lini një takim me mjekun nëse keni një nga këto simptoma që mund t’ju shqetësojnë, si gjaku në urinë.
Shkaktarët
Nuk është e përcaktuar saktë se çfarë e shkakton kancerin e fshikëzës. Ai është lidhur me përdorimin e duhanit, një infeksion parazitar, ekspozimi ndaj rrezatimit dhe substancave të ndryshme kimike ej.
Kanceri i fshikëzës zhvillohet kur qelizat në këtë organ fillojnë të rriten në mënyrë jonormale. Këto qeliza më pas formojnë masën tumorale.
Llojet e kancerit të fshikëzës
Lloje të ndryshme të qelizave në fshikëzën e urinës mund të bëhen kancerogjene. Lloji i qelizës së fshikëzës ku shfaqet edhe kanceri përcakton llojin e këtij kanceri, në bazë të të cilit përcaktohet edhe trajtimi.
Tri llojet e kancerit të fshikëzës janë:
Karcinoma me qeliza sipërfaqësore – shfaqet tek qelizat që rrethojnë pjesën e brendshme të fshikëzës. Qelizat sipërfaqësore zgjerohen kur fshikëza është plotë dhe tkurren pasi boshatiset. Të njëjtat qeliza rrethojnë pjesën e brendshme të uretrës, prandaj mund të formohen tumore edhe në këtë pjesë. Karcinoma e qelizës tranzicionale është lloji më i zakonshëm i kancerit të fshikëzës.
Karcinoma me qeliza skuamoze – Këto qeliza shfaqen në fshikëz pas një infeksioni ose acarimi. Me kalimin e kohës ato mund të bëhen kancerogjene. Ato janë më të përhapura në vende ku një infeksion i caktuar parazitar bëhet shkak për përhapjen e infeksioneve të fshikëzës.
Adenokarcinoma – Adenokarcinoma fillon tek qelizat që përbëjnë gjëndrat të cilat sekretojnë mukus në fshikëzën e urinës.
Disa lloje të kancerit të fshikëzës përfshijnë më shumë se një lloj qelize.
Ndërlikimet
Kanceri i fshikëzës së urinës shpesh ripërsëritet. Prandaj, mbijetuesit e kancerit duhet t’i nënshtrohen kontrolleve të herëpashershme për vite me radhë pas trajtimit me sukses të sëmundjes. Lloji i testeve që ata duhet t’i nënshtrohen varet nga lloji i kancerit të fshikëzës, trajtimeve që kanë përdorur dhe shumë faktorë të tjerë.
Zakonisht mjekët rekomandojnë një test çdo 3-6 muaj për ekzaminimin e pjesës së brendshme të uretrës dhe fshikëzës së urinës.
Përgatituni për takimin
Konsultohuni së pari me mjekun e familjes nëse keni ndonjë shenjë apo simptomë që ju shqetëson. Mjeku mund t’ju rekomandojë analiza dhe procedura të mëtejshme për të kontrolluar shenjat dhe simptomat. Nëse mjeku dyshon për kancer të fshikëzës së urinës, mund t’ju referojë tek një mjek që është i specializuar në trajtimin e sëmundjeve dhe gjendjeve të traktit urinar (urologu). Në disa raste, mund t’ju referojë tek specialistë të tjerë, si ata që trajtojnë kancerin (onkologët).
Përgatituni për një takim me mjekun
Është mirë që të parapërgatiteni për këtë takim me mjekun duke ditur këto informacione:
Çfarë mund të bëni:
Kujdes me kufizimet para takimit: Kur lini një takim, pyeteni mjekun nëse duhet të bëni ndonjë gjë më parë, për shembull nëse duhet të ndiqni një dietë më strikte.
Tregoni për të gjitha simptomat që keni përjetuar, përfshirë edhe ato që duket sikur nuk kanë lidhje me arsyen përse keni shkuar tek mjeku.
Tregoni për detaje personale, si sëmundjet e mëparshme ose gjendjen shëndetësore aktuale.
Bëni një listë të të gjitha medikamenteve (përfshirë edhe vitaminat ose suplementet) që po merrni.
Merrni një pjesëtar familje ose shoqe me vete, nëse keni mundësi. Ai /ajo mund t’ju rikujtojë diçka që e keni harruar.
Shkruani më parë pyetjet që duhet t’i bëni mjekët, duke i renditur sipas rëndësisë.
Disa nga pyetjet më të domosdoshme që duhet t’i bëni mjekut janë:
A kam kancer të fshikëzës?
Në çfarë faze është?
A duhet të bëjë analiza të tjera?
Çfarë alternativash ofrohen për trajtimin e këtij lloji kanceri?
A mund të më kurojnë këto trajtime?
Cilat janë rreziqet potenciale të secilit trajtim?
…dhe shumë pyetje të tjera që ju shqetësojnë.
Çfarë duhet të prisni nga mjeku
Mjeku mund t’ju shtrojë një sërë pyetjesh. Ai mund t’ju pyesë
Kur keni filluar t’i përjetoni këto simptoma?
A kanë qenë të vazhdueshme apo të herëpashershme?
Ju duket sikur diçka jua lehtëson simptoma apo jua përkeqëson më shumë?
Stadet e kancerit të fshikëzës së urinës:
Stadi 1: Në këtë fazë kanceri shfaqet në shtresën e brendshme të fshikëzës së urinës, por që nuk është përhapur akoma në muret muskulore të këtij organi.
Stadi 2: Në këtë fazë, kanceri është përhapur në muret e fshikëzës, megjithatë është akoma brenda këtij organi.
Stadi 3: Qelizat kancerogjene janë përhapur në të gjithë fshikëzën dhe indet rrethuese të saj.
Stadi 4: Në këtë fazë, qelizat kancerogjene mund të jenë përhapur në nodujt limfatikë dhe organe të tjera, si kocka, mëlçi ose mushkëri.
Trajtimet dhe ilaçet
Opsionet për trajtimin kancerit varen nga një sërë faktorësh, si lloji apo stadi i kancerit, gjendja shëndetësore e përgjithshme dhe preferencat tuaja për trajtim. Duke pasur parasysh këta faktorë, mjeku mund të përcaktojë se cili trajtim është më i mirë për ju.
Trajtimet për fazat e para të kancerit të fshikëzës
Nëse masa tumorale është e vogël dhe kanceri nuk është përhapur tek muret e fshikëzës, mjeku mund t’ju rekomandojë:
Ndërhyrje kirurgjikale për të hequr tumorin: Tumoret sipërfaqësore të fshikëzës urinare trajtohen me resekcion transuretral apo TUR.
Ndërhyrje kirurgjikale për të hequr tumorin dhe një pjesë të fshikëzës.
Terapia biologjike (imunoterapia), funksionon duke sinjalizuar sistemin imunitar të trupit që të ndihmojë në luftimin e qelizave kancerogjene. Kjo terapi menaxhohet zakonisht nëpërmjet uretrës dhe direkt në fshikëz (terapia intravezikale).
Nëse kanceri ka depërtuar thellë në fshikëz, duhet të kryhen ndërhyrje për heqjen e gjithë fshikëzës, krijimin e një mënyre të re për daljen e urinës nga trupi, kimioterapia dhe terapia me rreze.
Parandalimi
Edhe pse nuk ka ndonjë mënyrë të garantuar për të parandaluar kancerin e fshikëzës, mund të merrni hapa për të ulur rrezikun. Për shembull:
Mos pini duhan: Mos pirja e duhanit do të thotë se kimikatet e cigares që shkaktojnë kancer nuk mund të grumbullohen në fshikëzë. Nëse pini duhan, flisni me mjekun që t’ju sugjerojë një plan për heqjen dorë nga ky ves i keq.
Kujdes me substancat kimike që ju rrethojnë: Teorikisht, lëngjet, sidomos uji, mund të tresin substancat toksike të grumbulluara në urinë dhe mund t’i nxjerrin më shpejt nga fshikëza. Prandaj studime të ndryshme kanë treguar se konsumimi sa më shumë i ujit ndihmon për të ulur rrezikun e kancerit të fshikëzës.
Konsumoni sa më shumë fruta dhe perime: Zgjidhni një dietë të pasur me fruta dhe perime të shumëngjyrshme. Antioksiduesit tek këto ushqime ndihmojnë në uljen e rrezikut të zhvillimit të kancerit.
(Burimi: Mayo Clinic)


