E kuptuam Ilir, tëmthi yt vlen më shumë se i yni

Nga Ergys Mërtiri

Ish-ministri Beqja është operuar këto ditë në një spital privat në Tiranë nga guri në tëmth. Mesa duket reformatori i madh i shëndetësisë, nuk ka pasur dhe aq besim tek sistemi i tij, megjithëse kohë më parë ai iu bënte thirrje qytetarëve të besojnë tek shëndetësia shqiptare. Ironia e fatit është e pamëshirshme ndonjëherë, jeta i është e dhembshme njeriut, për t’ia besuar një sistemi për të cilin të gjithë thonë: Mos pafsh hasmin!

Natyrisht, nuk do të uronim kurrë që jeta e ministrit të mbetej në dorën e mjekësisë së këtij shteti dhe mendojmë se ka bërë mirë që ka zgjedhur një spital privat, në pamundësi kohe për tu operuar jashtë shtetit, nga vetë shpejtësia e reagimit që kërkon sëmundja. Megjithëse ministri do të trajtohej si mbret në QSUT dhe nuk do t’i mungonte asgjë nga shërbimi e kujdesi, përsëri askush me dy pare mend nuk do të ishte aq aventurier sa të operohej aty, aq më pak vetë ministri që e ka krijuar këtë sistem dhe e njeh atë mjaft mirë.

Siç është e mirënjohur tashmë, stafet mjekësore të spitaleve tona, të mbushur me mjekë e drejtues të punësuar mbi kritere klienteliste e klanore, nuk ofrojnë aspak garanci për jetën dhe shëndetin e njeriut. Përveç kësaj, mangësitë në ilaç e aparatura e bëjnë kurimin në to një makth të vërtetë. Ruajna Zot pastaj në raste kur në spital ikin dritat gjatë operacionit, siç ka ndodhur shpesh! Por, si i bëhet me një popull të tërë, që nuk i ka mundësitë financiare të ministrit, e nuk e ka pushtetin e tij, për të pasur garancitë normale për jetën dhe shëndetin?! Fatkeqësia se, ndërsa Beqja e heq gurin nga tëmthi i vet në spitale private, qytetarët janë të detyruar t’ia dalin tëmthat vendit në spitalet e tij.

Duke e falënderuar ministrin për mesazhin që na përcolli pa dashje mbi garancitë që sistemi shëndetësor ofron në Shqipëri, shpresojmë që ai dhe shpura politike ku bën pjesë, t’i bëjnë një nder të fundit këtij vendi në shërbim edhe të shëndetësisë: Të largohen sa më shpejt nga politika. Na mbetet veç t’i urojmë ministrit shërim të shpejtë dhe suksese në jetë.

Marrë nga Civitas

Postime të ngjashme

Shtatë fëmijë të Kopshtit nr. 10 në Vlorë përfundojnë në spital, dyshohet për helmim nga ushqimi
Produktet e pasigurta në treg, alarmi vjen nga Belgjika; kontrollet në Shqipëri ranë me 33% në 2025
Trajtimi me medikamentet GLP-1 RA, mjekja zbulon gabimet më të zakonshme që bëjnë pacientët
Buxheti 2027/ Spahiu: 117.8 miliardë lekë për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale
Pagesat nga xhepi për shëndetësinë, Raporti i KE: Qytetarët paguajnë tri herë më shumë se mesatarja e BE-së
Mjekja zbulon dietat që janë efektive për rënien nga pesha
Përtej vitaminës D: Si ndikon drita e diellit në metabolizëm dhe sheqerin në gjak
Pudinga me copëza xhami në treg, AKU: Mos e konsumoni