Plot 801 operacione kardiake janë realizuar gjatë vitit 2017 nga mjekët e Shërbimit të Kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Është vendosur kështu një rekord i ri jo vetëm për numrin e operacioneve, por edhe për realizimin me sukses të tyre, duke e renditur Kardiokirurgjinë Shqiptare në vendin e parë nga vendet e Ballkanit Perëndimor për rezultatet e padiskutueshme me një vdekshmëri prej 0.6%.
Një fakt i tillë është bërë i ditur nga mjeku kardiokirurg Edvin Prifti, i cili punon prej disa vitesh pranë QSUT-së.
Në një postim në faqen e tij në Facebook, mjeku shprehet me entuziazëm për rezultatin pozitiv, të arritur padyshim nga puna e palodhur dhe sakrificat e gjithë stafit të mjekëve dhe infermierëve të QSUT-së.
“Shërbimi i Kardiokirurgjisë QSUT, në operacionin e 801 për vitin 2017 dhe interventet vijojnë. Ky rekord i jashtëzakonshëm për nga numri i operacioneve kardiake e vendos klinikën tonë në vendin e dytë në Ballkanin Perëndimor dhe në 6 qendrat me numrin më të madh të operacioneve në Ballkan, përjashtuar Turqinë. Gjithashtu ky shërbim është në vendin e parë nga vendet e Ballkanit perëndimor për rezultatet e padiskutueshme me një vdekshmëri prej 0.6%, duke u vendosur në qendrat me vdekshmërinë nga më të ulëtat në Evropë. Urime kolegëve dhe gjithë stafit infermieror që me sakrificat dhe punën e tyre bëhet i mundur një rezultat i tillë. Urime dhe Gëzuar 2018 në emër të atyre që i dedikohen luftës për jetën edhe në ditët e festave të fundvitit”, shkruan mjeku bashkëngjitur fotove.
2017 duket se ka qenë një vit i suksesshëm për mjekët e Shërbimit të Kardiokirurgjisë. Që në fillim të këtij viti ata kryen për herë të parë në vendin tonë procedurën e implantimit të qelizave staminale autolog, procedurë e cila konsiston në ndërthurjen e terapive kirurgjikale, terapive qelizore dhe atyre gjenetike.
Përdorimi i qelizave staminale është fjala e fundit e shkencës në nivel botëror, e cila ka të bëjë me qeliza burimore dhe pluripotenciale, të cilat përdoren në organet e dëmtuara për të rigjeneruar pjesët e dëmtuara.
Ky intervent ka rëndësi jetike për të gjithë ata pacientë me funksion të ulur të zemrës, për shkak të infarktit të miokardit.
Ekipi kardiokirurgjikal, kryesuar nga prof. Edvin Prifti, dr. Klodian Krakulli, dr. Altin Veshti, prof. Arben Baboçi, dr. Ketjon Mekshi, ekipi kardioanestezist dhe perfuzionist dr. Saimir Kuçi, dr. Ervin Bejko së bashku me mjekun hematolog prof. Polikron Pulluqi dhe dr. Laureta Dibra, kardiologe, punën dhe studimet e shumë viteve i finalizuan me sukses gjatë interventit kirurgjikal të pacientit S. M. 68-vjeç, me diagnozë “Sëmundje Iskemike e Zemrës” me funksion të ulët të ventrikulit të majtë, infarkt i gjerë anterior i kaluar”.
Urojmë të kenë po aq sukses edhe në vitet në vazhdim/ Shendeti.com.al


