Denisa Canameti
Pas dy muajsh mungesë dhe pas shumë ankesash përballë kryeministrit, më në fund ka ardhur herceptina për pacientët me kancer gjiri. Mungesa për disa muaj e këtij medikamenti, ka krijuar edhe një listë pritje relativisht të gjatë. Mësohet se sot, herceptinën po e marrin pacientët që duhet ta kishin marrë që me 28 nëntor. Në Shqipëri kanceri i gjirit po shtohet prej disa dekadash. Është kanceri më i shpeshtë tek gratë, në distancë të largët nga kancerët e tjerë.
Ne e kemi pak më të lartë se në vendet e tjera të Mesdheut, por pak më të ulët se në vendet perëndimore”, ka deklaruar Alban Ylli, shef i Departamentit të Sëmundjeve Kronike (tetor 2017). Çdo vit diagnostikohen 550 raste të reja dhe pothuajse 35% e tyre humbin jetën për shkak se sëmundja kapet në stade të avancuara.
Bazuar në të dhënat e Agjencisë Ndërkombëtare mbi Kërkimet mbi Kancerin në Botë (GLOBOCAN), e cila përllogarit një vlerësim të situatës reale në çdo vend të botës, kanceri i gjirit ka incidencën më të lartë ndër llojet e kancerit që prekin gratë kudo në botë. Pjesa më e madhe e vdekjeve nga kanceri i gjirit ndodh në vendet me të ardhura të ulëta e mesatare, ku shumica e grave me kancer gjiri diagnostikohen në faza të vonshme (ISHP)./ Shendeti.com.al

