Radha e gjatë e prindërve në Urgjencën e Pediatrisë ka degraduar sot në dhunë. Pas mosmarrëveshjes se kush nga fëmijët do të vizitohej më parë, një nga prindërit, me profesion polic, ka nxjerrë pistoletën e punës, duke shkaktuar panik brenda ambienteve të spitalit.
Lidhur me këtë ngjarje të paprecedentë të ndodhur ditën e sotme ka reaguar edhe deputeti i PD-së, Bardh Spahia, i cili e shpjegon panikun e shkaktuar në Pediatri si rrjedhojë e numrit të ulët të personelit shëndetësor, ilaçeve dhe sallave që duhet të jenë në dispozicion të fëmijëve të sëmurë.
Nëpërmjet një postimi në faqen e tij në Facebook deputeti shkruan se ndonëse jemi në kulmin e epidemisë së gripit dhe fruthit, janë vetëm 2 mjekë në turn dhe shumë pak infermiere.
Ndër të tjera, deputeti i bën thirrje ministres së Shëndetësisë të lërë manipulimet mediatike dhe të ndërhyjë me shpejtësi për të shpëtuar gjendjen kritike të Urgjencës së Pediatrisë sa nuk është vonë.
Lexoni postimin e plotë:
Paniku i shkaktuar sot në Pediatri ka vetëm një shpjegim: ka një krizë të thellë dhe problematika të mëdha në numrin e personelit shëndetësor, në ilaçe dhe salla që duhet të jenë në dispozicion të fëmijëve të sëmurë. Jemi në kulmin e epidemisë së gripit dhe fruthit dhe Pediatria në QSUT, ku përballen për urgjencë qindra fëmijë në ditë, ka vetëm dy mjekë në turn dhe shumë pak infermierë. Kjo gjendje shkakton një irritim të prindërve që u duhet të durojnë këtë krizë të gjithanshme të sistemit, në kurriz të shendetit të fëmijëve të tyre. Është i trishtueshëm fakti që kaosi, mangësitë dhe dështimi i sistemit shëndetësor i çon prindërit në situata të tilla ekstreme si rrjedhojë e dëshpërimit.
I bëj thirrje ministres së Shendetësisë të lërë manipulimet mediatike, por të ndërhyjë me shpejtësi për të shpëtuar gjendjen kritike të Urgjencës së Pediatrisë sa nuk është vonë.
Epidemia e gripit tek fëmijët nëse nuk përballohet në kohë dhe me kurat e duhura mund të shkaktojë viktima./ Shendeti.com.al


