Denisa Canameti
Dy janë shkaqet e njohura të helmimeve ushqimore: mikroorganizmat sëmundje shkaktuese dhe substancat kimike. Vitet e fundit akuzohet edhe konsumi për kohë të gjatë, nëpërmjet ushqimeve dhe ujit, i sasive të vogla të substancave të ndryshme dhe atyre me veprim teratogjen, mutagjen dhe kancerogjen. Në një intervistë për “Shëndet+” mjeku infektolog Gentian Stroni, thotë se:
97%e helmimeve ushqimore kushtëzohet nga shkeljet higjieno-veterinaro-teknologjike-ushqimore;
24% lidhen me shkeljet higjieno-sanitare;
79% merren në lokalet e ushqyerjes masive.
Gastroenteritet akute përbëjnë rreth 80% të rasteve me diarre dhe janë shkaku kryesor i vdekjeve në botë (çdo vit vdesin 4 milionë fëmijë nën 5 vjeç). Mbi 200 sëmundje transmetohen përmes ushqimeve dhe çdo vit sëmuren 6 miliardë njerëz. Rrezikohen më shumë dhe mund të kenë ndërlikime serioze të moshuarit, fëmijët e vegjël, personat me neoplazi, diabetikët, ata me rezeksion të stomakut, hipotoni të zorrëve, ata që marrin shpesh antibiotikë, kortikosteroide, antiacide, të kequshqyerit, personat me aktivitet të ulur fizik e tjerë.
Doktor, çfarë janë gastro-enteritet dhe cilat janë problematikat që ato sjellin?
Gastroenteritet akute në popuj të ndryshëm janë emërtuar në mënyra të ndryshme dhe këto emërtime vijnë gjithmonë të lidhura me problematikën që ajo shkakton.
Problematika e gastro-enteriteve është të vjellat dhe diarrea. Meqenëse lidhen me këtë gjë, shpesh marrin edhe emërtime si “vrapi”, “galopi romak apo grek”. Të gjitha këto lidhen me nevojën urgjente për të shkuar në tualet.
Sa problematike kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten gastro-enteritet?
Historia lidhet që nga lufta midis kështjellave: në kështjellë ishte një ushtri që mbrohej dhe jashtë një ushtri pushtuese. Ushtria kundërshtare shfrytëzonte burimet hidrike dhe ushqimore për të bërë të mundur pushtimin. Këtë e bënte nëpërmjet infektimit të burimeve hidrike ose ushqimore. Kjo është për sa i përket kohës së lashtë.
Sot mund të marrim si shembull forcat ushtarake në Irak që ktheheshin si pasojë e problematikës që ushtarët kishin gjatë udhëtimit të tyre për në vendin ku ata duhet të luftonin.
Çfarë i shkakton gastro-enteritet?
Gastroenteritet akute janë me shkaktarë infektivë. Ndër to janë: bakteret, viruset, protozoaret dhe majat ose myket. Dhe shkaktarë të tjerë joinfektivë, siç mund të jenë elementet kimike që në rastin konkret ne do mund t’i konsiderojmë si aksidental, pra rënia e helmeve të ndryshme ose të qëllimshëm në rastet kur pretendohet të hidhet një helm në ushqim.
Cilat janë pasojat?
Shkaktarët e parë janë shkaktarët bakterialë, ku ndër më të njohurit ose ndër më të shpeshtët janë Salmonella, Shigella, Escherichia coli. Mund të ketë edhe të tjera si përshembull kolera, por kolera është më e rrallë. Po flas për këto të tria, pasi këto japin problematikën kryesore, ashtu siç ndodhi edhe 2 vjet përpara me kastravecin ose sallatorin spanjoll, i cili u akuzua për një pjesë të mirë të problemeve që ndodhën të jepeshin në Francë apo në Gjermani.
Në fakt nuk është vetëm kaq, sepse esherika koli akuzohet ndryshe edhe për atë që quhet sëmundja e hamburgerit apo e fast-food-it.
Cili bakter gjendet më tepër në ushqimet e shpejta apo fast-foodet duke sjellë kështu shumë raste me gastro-enterite?
Aktualisht në Amerikë sot, por edhe në vitet më përpara, akuzohet esherika koli për shkaktimin e gastro-enteriteve akute, veçanërisht në sferat e ushqimit të shpejtë.


