Përshtati në shqip: Kesilda Gjoka
Dhimbja e qafës është një problem shumë i përhapur dhe çdo njeri e ka përjetuar të paktën njëherë në jetë. Ajo përfshin qafën, shpatullat, por edhe krahët. Dhimbja mund të jetë e lehtë ose mund të krahasohet me një shok elektrik në krahë. Simptomat e tjera, si mpirja ose dobësimi i muskujve në krahë, mund t’ju ndihmojnë në identifikimin e shkaktarëve të dhimbjes së qafës.
Shkaqet
Disa nga shkaktarët e dhimbjes së qafës:
- Mbajtja e çantave të rënda
- Distonia Cervikale
- Spondiloza Cervikale
- Mbajtja e telefonit mes qafës dhe shpatullës
- Stresi emocional
- Fibromialgjia
- Hernia diskale
- Meningjiti
- Tendosja e muskujve
- Osteoartriti
- Qëndrimi i gabuar
- Artriti reumatoid
- E fjetura me bark ose me shumë apo pak jastëk
- Stenoza spinale
- Dhimbja e kokës nga tensioni
- Sindroma e përkohshme mandibululare
- Tronditje nga dëmtimet
- Dëmtimi i qafës
Kur duhet të konsultoheni me mjekun
Zakonisht, dhimbja e qafës e shkaktuar nga tendosja e muskujve largohet vetë pas disa ditësh. Për dhimbjet të cilat vazhdojnë për disa javë, mënyra më e efikase për t’i trajtuar është masazhimi ose terapia fizike.
Provoni këto teknika për të qetësuar dhimbjet:
Akull ose ngrohtësi. Aplikoni akull (të mbuluar nga një kompresë) ose një qese me bizele të ngrira, në qafë për 15 minuta 3 herë ose më shumë gjatë ditës. Ose mund të bëni një dush me ujë të ngrohtë për të qetësuar muskujt.
Tendosja. Shtriqni lehtë muskujt e qafës duke kthyer qafën majtas- djathtas, poshtë-lartë.
Masazh. Masazhimi i qafës ndihmon në qetësimin e muskujve.
Qëndrim i rregullt. Praktikoni qëndrimin e mirë, sidomos para kompjuterit. Mbani të mbështetur kurrizin dhe sigurohuni që monitori i kompjuterit të jetë në nivelin e syrit.
Planifikoni një vizitë me mjekun
Konsultohuni me mjekun nëse keni dhimbje të qafës që:
- Përkeqësohet pavarësisht kujdesit
- Vazhdon edhe pas disa javë përkujdesjeje
- Dhimbja kalon në krah ose këmbë
- Shoqërohet nga dhimbja e kokës, mpirje ose ndjesi shpimi
Kërkoni menjëherë kujdes mjekësor
Telefononi ambulancën ose kërkoni t’ju shoqërojë dikush në urgjencë nëse keni dhimbje të forta qafe të shoqëruar me:
Lëndim traumatik. Për shembull, aksident me makinë, aksident gjatë zhytjes ose rrëzim.
Dobësim të muskujve. Dobësimi i muskujve të këmbëve, krahëve ose vështirësi në ecje mund të jetë shenjë e një problemi më serioz.
Temperaturë e lartë. Nëse keni dhimbje të qafës dhe temperaturë, atëherë ju mund të keni meningjit, një infeksion i membranës e cila mbulon shtyllën kurrizore dhe trurin.
Burimi: Mayo Clinic /Shendeti.com.al

