Organizata Act for Society zhvilloi sot, një aktivitet sensibilizues në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Aktiviteti kishte në fokusin e tij, lançimin e projektit trevjeçar “Burrat dhe djemtë si partnerë në promovimin e barazisë gjinore dhe parandalimin e dhunës dhe ekstremizmit tek të rinjtë në Ballkan”.
Realizimi i këtij projekti është në bashkëpunim me CARE International Balkans dhe me mbështetjen e @Austrian Development Agency dhe OAK Foundation. Fokusi kryesor qëndron në të kuptuarit se, burrat dhe djemtë nuk duhet të shihen si pengesa për paqen dhe barazinë gjinore por përkundrazi, si partnerë në promovimin e marrëdhënieve dhe komuniteteve të padhunshme dhe të shëndetshme.
Stela Kosova, kooordinatorja e projektit mendon se përpjekjet gjithëpërfshirëse të CARE për parandalimin e dhunës ndërpersonale dhe asaj me bazë gjinore si dhe barazisë gjinore në rajon do të jenë një kauzë mjaft sfiduese për të rinjtë.
Pjesëmarrës në aktivitetin e sotëm ishin rreth 110 persona midis të cilëve ishte edhe përfaqësuesi i Austrian Development Agency, z.Heinz Habertheuer. Habertheuer vlerësoi rolin dhe interesin e të rinjve dhe u shpreh se për të ishte shumë e rëndësishme të shihte se si të rinjtë mund të kontribuojnë për të ndryshuar diçka Gjithashtu, pjesëmarrës të tjerë ishin edhe përfaqësues të shoqërisë civile, mësues dhe nxënës të gjimnazit “Ismail Qemali”.
Aktiviteti nisi me interpretimin e një poezie nga Alket Shahini, një prej pjestarëve të Klubit të të Rinjve, mbi mbrojtjen e të drejtave të grave dhe vajzave. Më tej moderatori dhe njëkohësisht team leader i “Youth Club”, Xhoi Bare bëri hapjen e aktivitetit dhe shprehu entuziazmin e tij për punën krijuese dhe afatgjatë me të rinjtë.
Pjesë e hyrjes së aktivitetit ishin dhe fjalimet përshëndetëse të drejtores së gjimnazit “Ismail Qemali” dhe drejtores ekzekutive së Act for society, znj.Armela Pengili, e cila ndër të tjera u shpreh në mënyrë pozitive mbi kooperimin e projektit me të rinjtë por edhe mbi bashkëpunimin mes organizatës dhe gjimnazit. “Objektivi kryesor i projektit që po lançojmë sot është që të gjithë të japim kontributin tonë për një shoqëri pozitive dhe paqësore, pa dhunë, dhe me të rinj që mbrojnë të drejtat e nënave, motrave të tyre”,- u shpreh Pengili.
Gjatë prezantimit u pohua se projekti synon të ndikojë tek 56.800 njerëz, ndër të cilët të rinj, gjimnazistë, studentë, prindër, anëtarë të komunitetit etj.
Projekti “Burrat dhe djemtë si partnerë në promovimin e barazisë gjinore dhe parandalimin e dhunës e ekstremizmit tek të rinjtë në Ballkan” krijoi mjaft pozitivitet dhe interes tek të pranishmit.
Aktiviteti u mbyll me një kërcim nga Alesja Haxhia, pjestarja e “Youth Club”, tematika e të cilit i adresohej dhunës ndaj grave. Gjuha e trupit elektrizoi sallën dhe emocionoi të pranishmit me mesazhin mjaft domethënës që përcolli.
Pas aktivitetit, pjesëmarrësit u ftuan në koktejin e përgatitur, për të diskutuar rreth, projektit dhe pritshmërive të mëtejshme.


