Të rriturit me probleme të gjuhës e të folurit, roli i logopedit

Dr. Panorea Koti, logopede

Jo vetëm fëmijët, por edhe të rriturit hasen shpesh me vështirësi në të folur apo vështirësi të gjuhës për arsye nga më të ndryshmet. Logopedia është shkenca që përpiqet t’i rikuperojë këto probleme në komunikim.

Problemet kryesore të të folurit dhe trajtimi

Një ndër problematikat më të shpeshta të të folurit është apraksia, mesazhet që nga truri për tek goja ndërpriten. Në këtë rast personi me apraksi nuk mund të lëvizë gjuhën ose buzët në pozicionin e duhur për të artikuluar tingujt në mënyrë korrekte, edhe pse muskujt nuk janë të dobët. Ata e dinë se çfarë duan të thonë, por truri i tyre e ka të vështirë të koordinojë lëvizjet e nevojshme të muskujve për të artikuluar të gjithë tingujt në fjalë. Kanë vështirësi në imitimin dhe prodhimin e tingujve, mund të vihen re shtrembërime të zërit apo zëvendësime.

I foluri i tyre është shumë i ngadaltë, vihet re që kanë një ritëm të dëmtuar dhe bëjnë gabime gjatë të folurit. Në momentin e parë që i takon, tek pjesa e përshëndetjes, ata flasin rrjedhshëm dhe pa gabime, por kur biseda bëhet më konkrete, dallohen problematikat e tyre.

Logopedi mund të punojë me persona me apraksi në të folur për të përmirësuar aftësitë e komunikimit. Fokusi i ndërhyrjes është në përmirësimin e planifikimit, organizmin dhe koordinimin e lëvizjeve të muskujve për prodhimin e gjuhës.

Disartria është një tjetër çrregullim motor i të folurit. Kjo rezulton nga lëvizja e dobët e muskujve të përdorur për prodhimin e gjuhës, duke përfshirë buzët, gjuhën, zërin ose diafragmën. Ajo shkaktohet nga një dëmtim i trurit. Lloji dhe ashpërsia e disartrisë varet nga zona që ka prekur sistemin nervor. Një person me disartri mund të ketë një të folur “të ngathët”, “të zhurmshme” ose “të mbytur”, e cila mund të jetë e vështirë të kuptohet, por mund të ketë edhe persona që flasin shpejt, por me një zë “të mbytur” që duket sikur mërmërit.

Logopedi mund të vlerësojë një person me vështirësi në të folur dhe të përcaktojë natyrën dhe ashpërsinë e problemit. Logopedi do të shikojë lëvizjet e buzëve, gjuhës, muskujve të fytyrës si edhe frymëmarrjen apo cilësinë e zërit.

Belbëzimi, problem që zgjat shumë

Nga ana tjetër, belbëzimi ndikon në rrjedhshmërinë e të folurit. Ai mund të fillojë gjatë fëmijërisë dhe në disa raste zgjat përgjatë gjithë jetës. Çrregullimi karakterizohet nga ndërprerje në prodhimin e tingujve gjatë të folurit. Për shembull, disa fjalë përsëriten dhe të tjera paraprihen nga “um” apo “ah”. Belbëzimi përfshin përsëritjen e fjalëve ose pjesëve të fjalëve, si dhe zgjatjen e tingujve të fjalës. Personat që belbëzojnë shpesh duken shumë të tensionuar dhe sikur “nuk kanë më frymë” për të folur. Disa persona me belbëzim zgjedhin që të mos flasin më, pra të mos kenë komunikim verbal.

Gjatë vlerësimit, logopedi duhet të jetë i vëmendshëm sa i përket shpeshtësisë së mosrrjedhshmërisë që personi prodhon në situata të ndryshme. Logopedi ndalet edhe tek reagimet e pacientit dhe mënyrën sesi ai përpiqet të menaxhojë belbëzimin. Gjithashtu, logopedi duhet të jetë i kujdesshëm për metodat e menaxhimit të belbëzimit për të mos ndikuar negativisht tek pacienti.

Kanceri i gojës,vështirësitë në të folur dhe gëlltitje

Kanceri i gojës gjithashtu mund të ndikojë jo vetëm në të folur, por edhe në gëlltitje. Ai mund të prekë çdo pjesë të zgavrës së gojës, duke përfshirë buzët, nofullën e sipërme dhe të poshtme, gjuhën, mishrat e dhëmbëve, faqet apo fytin. Kjo varet nga vendndodhja dhe madhësia e tij. Vlerësimi dhe trajtimi nga logopedi janë të rëndësishme për të rivendosur aftësitë e kuptueshmërisë gjatë të folurit dhe gjatë gëlltitjes.

Trajtimi konsiston në kontrollin më të mirë të muskujve që do ta ndihmojnë pacientin për të folur më qartë dhe në realizimin e procesit të gëlltitjes.

Ndërkohë që kanceri i laringut ndodh kur qelizat tumorale formohen në indet e laringut.

Shenjat më të shpeshta të tij janë ndryshime në zë, vështirësi në gëlltitje, kollë e ashpër, gulçitje, humbje në peshë apo edhe dhimbje të shpeshta veshi. Kanceri i laringut kërkon ndërhyrje kirurgjikale.

Pas saj, qëllimi parësor i logopedit është që pacienti të ketë një burim të ri të shëndoshë për të folur. Mundësitë që ekzistojnë janë tre:

E folura ezofagale në rastin kur personi merr ajër përmes gojës, e ndalon tek fyti, më pas e lëshon atë (laringu artificial). Një person mund të përdorë instrument elektronik ose mekanik që i mundëson të folurën.

Punktura trakeo-ezofagale është një mundësi tjetër, e cila konsiston në një procedurë kirurgjikale dhe është një nga metodat më popullore të prodhimit të të folurit.

Afazia, një problematikë gjuhësore shumë serioze

Tek problematikat më të shpeshta gjuhësore do të doja të theksoja afazinë, e cila është një çrregullim komunikimi që rezulton nga dëmtimi i pjesëve të trurit që janë përgjegjës për gjuhën.

Simptomat specifike dhe ashpërsia e afazisë ndryshojnë në varësi të vendndodhjes dhe shtrirjes së dëmtimit të trurit.

Individët me dëmtim të pjesës së përparme të trurit mund të mos kenë rrjedhshmëri, por mund të kuptojnë mjaft mirë atë çka njerëzit thonë. Personat që kanë dëmtime në rajonet e pasme të trurit mund të kenë rrjedhshmëri gjatë të folurit, por të pakuptimtë. Gjithashtu ata nuk kuptojnë të tjerët kur flasin./ Shendeti.com.al

 

Postime të ngjashme

3 këshilla për të ulur konsumin e sheqerit dhe për të qetësuar sistemin nervor
Rriten importet e ilaçeve, KLSH: 80% janë kopje e origjinalit, pa cilësi dhe më shtrenjtë
Ndahet nga jeta akademiku Rexhep Qosja
Pas një viti sfidash, vaksinat mRNA japin shpresë të re në luftën kundër kancerit
Çfarë duhet të bëni në mëngjes për tretje më të mirë gjatë gjithë ditës
5 shenja që tregojnë se sistemi juaj nervor është i mbingarkuar
Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a
Shkencëtarët zbulojnë dy pijet me kafeinë që mund të ulin rrezikun e goditjes në tru dhe sulmit në zemër, ja sa duhet të konsumoni për përfitime shëndetësore