Blerina Bombaj, dietologe
- Ecni 6 ditë të javës, të paktën ½ orë me ritëm të shpejtë. Konsumoni 5 -9 racione fruta – perime (1 racion fruta = 150gr; 1 racion perime = 75gr), çdo ditë. Zgjidhni perime me ngjyra, veçanërisht të verdha, portokalli dhe jeshile të thellë. Preferoni agrumet, kumbullat vishnje, boronicat, manaferrat, mjedrat, pjeshkat, mollët, rrushin e kuq pa pesticide dhe qershitë e tharta. Rrisni konsumin e brokolit, lakrës, lulelakrës, rukolës, lakrës kale dhe lakrës se Brukselit, të cilat duhet të jenë të pagatuara ose të gatuara ne avull për pak minuta. Shtoni konsumin e hudhrës dhe qepës në kombinim me perimet e lartpërmendura.
- Arrini dhe mbani një peshë të shëndetshme. Nëse jeni mbipeshe, rrezoni disa kilogramë deri sa të arrini peshën optimale. Evitoni pijet me sheqer të tipit cola, fanta, limonata, cajra dhe lëngje të tjera freskues. Pini ujë të pastër dhe mundësisht nga shishe qelqi ose shishe plastike, të cilat nuk kanë qëndruar në diell. Evitoni ushqimet e nxehta në paketime plastike. Ushqimet kalorike (të pasura ne sheqer ose yndyre, konsumojini sa më rrallë). Evitoni fast/food-et.
- Reduktoni konsumin e mishit në më pak se 3 racione në javë (1 racion = 90gr). Nëse dëshironi të konsumoni produkte të përpunimit të mishit, sigurohuni të jenë pa nitrate dhe konservues.
- Evitoni ushqimin e pjekur deri në djegie, veçanërisht mishin dhe produktet e tjera shtazore. Evitoni mishin në zgarë dhe barbeque. Gatimi më i përshtatshëm është ai me zierje që nuk kalon 100gradë C.
- Sigurohuni të merrni 1400-1500mg Kalcium/ditë dhe 1100IU vitaminë D në formën D3. Masni vitaminën D në gjak dhe merrni suplement deri sa ajo të arrijë mbi 30ng/mL. Nivelet ekzakte optimale të vitaminës D në gjak, për parandalimin e kancerit të gjirit, nuk janë të ditura ende.
- Pini 3-5 kupa çaj jeshil në ditë, pa sheqer.
- Evitoni pijet alkoolike. Akoma edhe sasi te vogla alkooli mund të rrisin rrezikun e kancerit te gjirit, pavarësisht llojit të pijes alkoolike. Gratë që pinë alkool, duhet të marrin suplement të acidit folik në sasinë e RDA- (Recommended Dietary Allownces)
- Për kancerin e gjirit ER negativ/PR negativ, yndyrat duhet të reduktohen në më pak se 30% të kalorive ditore dhe yndyrat e ngopura të mbahen në limite minimale (bulmeti me yndyrë, gjalpi, yndyra e mishit, margarina, djathi, vaji i palmës). Për të arritur këtë qellim, mund të kërkoni ndihmën e një dietologu klinik.
- Këshillohuni me një dietolog klinik për të marrë një orientim të personalizuar në bazë të mjekimit tuaj, të statusit ushqimor dhe gjendjes suaj fizike, veçanërisht gjatë trajtimit terapeutik mjekësor. Si rregull, marrja e multivitaminave nuk këshillohet, por nëse rekomandohen, duhet të ofrojnë sasitë e mikroushqyesve jo më shumë se ato që gjenden ne referencat përkatëse (RDA), përveç vitaminës D. Plotësimi i dietës me kalcium mund të jetë i nevojshëm në disa paciente. Përgjithësisht, lëndët ushqyese duhet të vijnë nga ushqimi dhe jo suplementet. Marrja me shumicë e disa mikroushqyesve si p.sh., acidit folik, mund të rrisë rrezikun e kancerit të gjirit në disa paciente.
- Gratë me kancer të gjirit ER pozitv/PR pozitiv, të cilat përjetojnë afshe për shkak të terapisë hormonale ose menopauzës se hershme, duhet të evitojnë suplementet me isoflavone ose bazë soje. Siguria e këtyre suplementeve nuk është ende e qarte. Ndryshime në stilin e jetesës si mbajtja e temperaturës së freskët te bërthamës së trupit, praktikimi i frymëmarrjes së qetë dhe të ngadaltë, dhe aktiviteti i rregullt fizik, ndihmojnë në përmirësimin e afsheve. Ushqimet pikante, pijet e nxehta apo alkooli, mund të nxisin afshet e nxehta, përpiquni t’i evitoni.


