Hemodializa u dha me koncesion në Shkodër ndërkohë që reparti ekzistonte

Kontrollit të Lartë të Shtetit ka kallëzuar në prokurori ish drejtorin e Spitalit Rajonal Shkodër, SRSH, për shpërdorim detyre, i cili akuzohet se pasi Ministria e Shëndetësisë vendosi t’i transferonte privatit me koncesion shërbimin e hemodializës, nxorri jashtë përdorimi pajisjet e repartit ekzistues që ishin në gjendje pune dhe të mirëmbajtura me kontrata shërbimi.

“Përpara ose në kohën që Ministria e Shëndetësisë vendosi të kryejë një investim për një repart Hemo-Dialize në SR Shkodër, drejtori i Spitalit nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të vënë në dijeni MSH për ekzistencën e repartit të hemodializës i cili funksiononte në këtë spital që në vitin 2005,” tha KLSH në një njoftim për shtyp.

“Në fakt, drejtori i SRSH, duhej të informonte MSH, Qendrën Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, se SRSH, kishte një repart Hemo-Dialize në funksion të plotë e madje me kontrata mirëmbajtjeje që prej investimit fillestar,” shtoi KLSH.

Ne tetor 2015 Ministria e Shëndetësisë i dha me koncesion shërbimin e dializës në 5 qytete përfshirë Shkodrën për një periudhë 10 vjeçare kompanisë Dia Vita, me një kontratë që përllogaritet të arrijë vlerën 8.6 miliardë lekë në total.

Nga auditimi i KLSH-së u konstatua se që nga viti 2005 deri në muajin qershor 2016 në Spitalin Rajonal Shkodër ka funksionuar reparti dhe ofrohej shërbimi pa ndërprerje i dializës me 9 pajisje hemodialize.

Në fillim të vitit 2016, Ministria e Shëndetësisë me një sërë shkresash, ka njoftuar Spitalin e Shkodrës se duhet të transferojë të sëmurët që do të marrin shërbimin e dializës në qendrën e re të dializës në zbatim të kontratës së koncesionit.

“Pajisjet ekzistuese të hemodializës, rezultojnë se janë lënë të mbyllura tek reparti i vjetër i Hemo-Dializës dhe janë jashtë funksionit, për arsye të braktisjes dhe jo për arsye të mosfunksionimit të tyre,” tha KLSH.

Sipas KLSH-së drejtoria e Spitalit të Shkodrës duhet të kërkonte nga Ministria e Shëndetësisë dhe specialistët e Agjencisë Shqiptare të Pajisjeve Mjekësore, që të inspektonin ambientet e hemodializës ekzistuese, për të gjykuar nëse pajisjet do të vazhdonin të funksiononin për SR Shkodër apo do të dhuroheshin në një spital tjetër si ai i Kukësit që nuk e ofronte këtë shërbim.

Sipas KLSH-së vlera e amortizuar e 9 pajisjeve të hemodializës të nxjerra jashtë përdorimi në Spitalin e Shkodrës përllogaritet në 11.6 milionë lekë.

Besar Likmeta, Birn Albania

Postime të ngjashme

“Sterilizimi”/ Shtyhet gjyqi për ish-ministrin Ilir Beqaj, ja kur do të mbahet seanca e radhës
Asambleja e OBSH, ministrja Sala prezanton prioritetet e Shqipërisë në shëndetësi
Polifenolet: Sekreti i të ushqyerit të shëndetshëm dhe mirëqenies
'Çohu o dreq mos bëj si e sëmurë'/ Infermierja te Psikiatria keqtrajton pacientët, reagon QSUT: Rast i papranueshëm, janë marrë masa për punonjësen
Qetësia mendore në punë: 6 mënyra për të ulur stresin dhe për t’u përqendruar
Mashtronin njerëzit me ilaçe false për sëmundje të rënda, goditet rrjeti kriminal që operonte në 15 shtete të Europës
Shkarkohet drejtori i Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor! Ja kush emërohet
Kastraveci: Këto janë përfitimet e tij më të rëndësishme