Privatësia e pacientëve, aksesi i palëve të treta

Privatësia e pacientëve, trajnimi i stafit mjekësor
1. Përveç nëse parashikohet ndryshe me ligj, asnjë person nuk do të jetë i pranishëm gjatë trajtimit mjekësor, përveç mjekut dhe stafit mjekësor që kryen trajtimin dhe personat, prania e të cilëve është miratuar nga ana e pacientit dhe nëse kjo është e pashmangshme, pacientë të tjerë, kur rrethanat nuk e bëjnë të mundur trajtimin në një hapësirë të veçantë.
2. Për qëllime të trajnimit të profesionistëve shëndetësor, studentëve universitarë, të shkollave të larta ose të mesme, të regjistruar në studime mjekësore, apo për trajnime profesionale mjekësore mund të jenë të pranishëm, vetëm nëse pacienti apo përfaqësuesi ligjor ka dhënë pëlqimin e tij.
3. Te ofruesit e shërbimeve shëndetësore që janë caktuar për trajnimin e stafit mjekësor, pëlqimi i pacientit ose përfaqësuesit ligjor nuk është i nevojshëm për praninë e personave të përcaktuar në pikën 1, nëse kjo gjë autorizohet nga autoriteti përgjegjës për një interes të rëndësishëm publik, nën masa të përshtatshme mbrojtëse.

Zhvillimi i materialeve trajnuese që përdoren për demonstrime gjatë trajnimeve dhe kërkimeve mjekësore
4. Materialet trajnuese që përdoren për demonstrime gjatë trajnimeve mjekësore dhe shkencore, imazheve, video regjistrime ose regjistrime zanore mund të përdoren me kusht që të dhënat shëndetësore të anonimizohen.
5. Materialet e përdorura për demonstrime gjatë trajnimeve mjekësore dhe shkencore, imazhet, video regjistrimet ose regjistrimet zanore, përfshirë të dhënat personale, mund të përgatiten për qëllim të zhvillimit të materialeve trajnuese me pëlqimin e pacientit apo përfaqësuesit ligjor.
6. Tek ofruesit e shërbimeve shëndetësore që janë caktuar për trajnimin e stafit mjekësor,
pëlqimi i pacientit ose përfaqësuesit ligjor nuk është i nevojshëm për regjistrimin e imazheve,  regjistrimeve video dhe/ose audio të përcaktuara më lart, nëse ai është i autorizuar nga autoriteti përgjegjës për një interes të rëndësishëm publik, nën masa të përshtatshme mbrojtëse.

Kërkimi shkencor
7. Për qëllime të kërkimeve shkencore1, studiuesit mund të kenë akses në të dhënat shëndetësore me lejen e drejtorit të ofruesit të shërbimit shëndetësor. Publikimi nuk duhet të përfshijë të dhëna shëndetësore që mund të jenë të lidhura me një person të identifikuar apo të identifikueshëm, por vetëm të dhëna anonime. Gjatë kërkimit, studiuesit nuk kopjojnë të dhënat shëndetësore që nuk janë bërë anonime.
8. Emrat e studiuesve që kanë akses në regjistrime duhet të regjistrohen, së bashku me qëllimin dhe kohën në të cilën i lejohet aksesi. Regjistrimi i aksesit mbahet për 10 vjet dhe pastaj fshihet.

Transmetimi i të dhënave te palë të treta
9. Të dhënat shëndetësore mund të transmetohen te palë të treta, nëse pacienti ka dhënë pëlqimin për transmetimin, nëse kjo është në interesin jetik të subjektit të të dhënave ose të një personi tjetër dhe nëse subjekti i të dhënave është fizikisht ose mendërisht i paaftë për të dhënë pëlqimin e tij, ose nëse është i autorizuar me ligj.
10. Kërkesa për transmetimin e të dhënave te palë të tretë bëhet me shkrim dhe përcakton të dhënat shëndetësore që janë objekt i kërkesës së bashku me qëllimin e kërkesës. Të dhënat e kërkuara duhet të jenë të përshtatshme dhe të nevojshme për përmbushjen e qëllimit të kërkesës.
Në rast se ofruesi i kujdesit shëndetësor vëren se të dhënat e kërkuara nuk janë në përpjesëtim me qëllimin e transmetimit, ai njofton menjëherë Komisionerin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
11. Të dhënat shëndetësore mund të transmetohet, ndër të tjera, në institucionet e mëposhtme:
a) te agjencitë për zbatimin e ligjit dhe prokurorë që kryejnë/ndjekin hetime penale;
b) te gjykatat në procedura penale dhe civile;
c) te autoritetet që kryejnë procedura në rast kundërvajtje;
d) te agjencitë kombëtare të sigurisë;
e) te organet përgjegjëse që kryerjen kontrolle për shkelje etike kundër personelit mjekësor;
f) te institucione të sistemit shëndetësor brenda vendit për kurimin e pacientit si dhe në
Ministrinë e Financave në rastet kur bëhet mbulim i pjesshëm i shpenzimeve të trajtimit
shëndetësor;
g) te sistemi i informacionit shëndetësor që administrohet nga ISKSH.
12. Kur kryerja e një transmetimi nuk është parashikuar në pikën 16 të këtij Kreu ai do të kryhet në përputhje me nenin 7 të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe pikën 14 të këtij Kreu.
13. Përveç kur është parashikuar ndryshe me ligj, transmetimi i të dhënave shëndetësore
regjistrohet së bashku me marrësit e tyre, subjektet e të dhënave në transmetimin e të dhënave, qëllimin dhe datën e transmetimit. Këto të dhëna mbahen për 5 vjet.

 

Ky artikull u prodhua nga “Together for Life” në kuadër të projektit “Të drejtat e pacientëve në sistemin e drejtësisë”, si pjesë e skemës së granteve të projektit “Përfshirja e shoqërisë civile për një sistem drejtësie funksional dhe të barabartë për të gjithë në Shqipëri”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga Save the Children në partneritet me Qendra e Shërbimeve dhe Praktikave Ligjore të Integruara. Përmbajtja e këtij materiali është përgjegjësi e vetme e “Together for Life” dhe jo domosdoshmërisht paraqet pikëpamjet e Bashkimit Evropian, Save the Children dhe Qendrës së Shërbimeve dhe Praktikave Ligjore të Integruara.

Postime të ngjashme

Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Gjashtë këshilla të provuara shkencërisht për një tru të shëndetshëm
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Përdorimi i bimëve mjekësore në trajtimin e çrregullimeve të sistemit tretës
 Nga bananet te çokllata e zezë, 6 ushqime që ulin nivelet e stresit
Cilat ushqime ndihmojnë shëndetin e syve?
Çfarë i bën kafja trupit dhe sa zgjat efekti i saj
Angjinarja: Perimi i pranverës që forcon kockat dhe zemrën