Urdhri i Infermierit të Shqipërisë, publikon të dhëna dhe problematika mbi punësimin e infermierëve shqiptarë në Gjermani, kushtet dhe mundësitë ekzistuese. Ky vend evropian kërkon brenda 5 viteve, 150 mijë punonjës shëndetësorë. Një ofertë shumë e mirë punësimi kjo edhe për Shqipërinë.
Përfaqësues të sindikatave të shëndetësisë të vendeve të Ballkanit dhe të Evropës Juglindore zhvilluan së fundmi një vizitë në Berlin të Gjermanisë, në kuadrin e një takimi të përbashkët ku diskutuan rreth problematikave të emigrimit të punonjësve shëndetësorë. Gjermania është një nga vendet e zhvilluara evropiane që ka shumë nevoja për punonjës shëndetësorë, sepse ka një popullsi të plakur, por edhe me mundësi financiare për të paguar kujdesin dhe kujdestarinë ndaj moshës së tretë. E nisur nga ky fakt, sipas të dhënave që u dhanë gjatë këtij takimi, Gjermania kërkon brenda 5 viteve, 150 mijë punonjës shëndetësorë. Pra, është një ofertë shumë e mirë punësimi edhe për Shqipërinë. Aktualisht nisur edhe nga fakti që ne në Shqipëri kemi me mijëra infermierë të diplomuar dhe të licencuar, përfaqësuesit shqiptarë në këtë takim hodhën idetë e tyre, për të punësuar profesionistë të këtij kujdesi edhe nga vendi ynë në Gjermani. Sigurisht, që ky ishte një takim i dytë se para disa kohësh është zhvilluar edhe një takim pararendës me drejtues të institucioneve shëndetësore të Hamburgut në Gjermani, të cilët paraqitën kërkesat e e tyre për punonjësit shëndetësorë dhe çfarë kërkesash kanë ata për nivelet e këtyre punonjësve.
Kriteret
Kryesisht këta punonjës kërkohen për shërbime në familje, infermierë në familje, ose edhe si infermierë në shtëpitë e të moshuarve. Problemi qëndron tek fakti se ata si prioritet kanë vendet e Bashkimit Evropian. Shqipëria nuk është ende anëtare e tij dhe kërkohen edhe marrëveshje bilaterale me qeveritë e vendeve përkatëse për të patur një mundësi të tillë. Por problemi më i madh është se kërkesa e tyre kryesore është gjuha. Dhe infermierët shqiptarë nuk e kanë këtë mundësi sepse duhet që t’u futen kurseve të gjuhës gjermane. Përveç kësaj, ka rëndësi të madhe edhe niveli profesional. Ata bëjnë testime dhe kërkojnë një nivel të lartë për të të njohur si punonjës shëndetësor dhe për t’u shërbyer. Pra, këto janë dy problemet që duhen zgjidhur, përveç asaj të marrëveshjeve bilaterale ndërqeveritare që ndikojnë gjithashtu. Ne kemi problemin e gjuhës dhe atë teknik. Për këtë, u bënë propozime që niveli i formimit profesional të infermierëve në shkollat tona të ngrihet në nivel evropian. Aktualisht në Shqipëri, diplomohen më shumë infermierë sesa i duhen asaj. Detyrimisht që këta duhet të përgatiten në një nivel të tillë që të jenë të aftë për të përballuar tregun e huaj. Sepse edhe Italia, Anglia dhe shumë vende të tjera evropiane kanë nevojë për punonjës shëndetësorë. E dyta është se këto vende të zhvilluara që kërkojnë të marrin punonjës nga vendet e Ballkanit, bëjnë mirë të investojnë tek to për t’i përgatitur si duan ata. Sepse realisht, fakti që ata janë të përgatitur është një investim i palës shqiptare, familjeve dhe shtetit tonë dhe vendet evropiane e marrin të gatshëm këtë produkt. Prandaj, kërkohet që ata të investojnë për kurset e gjuhëve të huaja, asaj gjermane në rastin konkret. Gjithashtu, të investojnë edhe për hapjen e shkollave për kujdes shëndetësor, për t’i përgatitur në nivelin që ata kërkojnë, meqë ne kemi mundësi dhe fuqi punëtore në Shqipëri. Nesër ndoshta mund të jemi edhe ne në atë situatë që është sot Gjermania, por mundësitë financiare të shqiptarëve për të paguar kujdestarinë apo një shtëpi pleqsh, janë më të vogla sesa të gjermanëve, se i kanë pensionet shumë të vogla. Ndërkaq, një problem tjetër që u diskutua është dhe ai i kontratave, sepse ka sipërmarës të ndryshëm që ndërmjetësojnë dhe marrin punonjës që u lidhin atyre në fakt kontrata që cilësohen skllavëruese, me paga shumë të ulëta krahasuar me nivelin e pagës që ka Gjermania. Por ne arritëm në përfundimin se shqiptarët nuk duhet të bien pre e këtyre kontratave skllavëruese, duhet të gjejnë rrugën ligjore dhe të bëjnë zgjedhjet e duhura me zyrat e punës dhe të ndërmjetësimit që të mos bien viktimë e të tilla sipërmarrjeve që bëjnë ndërhyrje në dëm të tyre.



