Në Ditën Botërore të Diabetit, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi gjatë një aktiviteti ndërgjegjësues, të organizuar nga Shoqata e Diabetit në Shqipëri, se do të lehtësohet procedura e përfitimit të barnave me rimbursim dhe pacientët nga rrethet nuk kanë më nevojë të vijnë në Tiranë për konsultën në QSUT.
Në takimet që shoqata Together for Life ka organizuar me pacientët me diabet, në bashkëpunim me Shoqatën e Diabetit në Shqipëri, vetë pacientët kanë ngritur problemin me sistemin e referimit, pasi detyroheshin të vinin periodikisht për konsultë në QSUT nga rrethet për të përfituar terapinë e rimbursimit.
“Ne kemi mundësuar prej pak ditësh një procedurë të re për lehtësimin e personave me diabet që kanë nevojë për konsulta në QSUT. Nuk është më e nevojshme që pacientët nga rrethet të vijnë në QSUT, por konsultat po realizohen nëpërmjet telemjekësisë mes QSUT dhe spitaleve rajonale, ku vetë pacienti merr shërbimin dhe përfiton trajtimin me rimbursim, pa patur nevojë të bëjë kilometra të tëra për të ardhur në Tiranë”, deklaroi Manastirliu.
Gjatë aktivitetit ministrja Manastirliu deklaroi gjithashtu se “pas fëmijëve 0-18 vjeç fishat e diabetit do të jenë falas edhe për studentët”.
“Me buxhetin e vitit 2019 do të mundësojmë që edhe për studentët, pra të gjithë personat me diabet deri në 23 vjeç, fishat e diabetit të jenë falas, duke bërë një tjetër hap drejt lehtësimit të personave me diabet dhe familjeve të tyre”, tha Manastirliu./ Shendeti.com.al




