Qindra punonjës të shëndetësisë “vrapojnë” në kërkim të krediteve

 doktor1

Pranvera Kola

Frika se mos humbasin vendin e punës, apo licencën profesionale deri në marrjen e provimit të shtetit, ka dyndur me qindra punonjës të sektorit shëndetësor drejt Qendrës Kombëtare të Edukimit në Vazhdim për të kërkuar ndonjë“kredit” nga aktivitetet kualifikuese të mbetura për t’u zhvilluar deri në mbyllje të vitit. Ndonëse programi i ricertifikimit ka nisur prej 5 vitesh, në mbyllje të tij, janë me qindra mjekët, stomatologët dhe farmacistët që kanë neglizhuar freskimin e njohurive në specialitetin e tyre, duke mbetur në nivelin e zero kreditove.

Burime pranë kësaj qendre bëjnë me dije se pas paralajmërimeve të dhëna për pezullimin e licencës dhe humbjen e vendeve të punës është vënë re një interesim i madh pranë qendrës së edukimit dhe urdhrave profesionalë, për të mësuar në lidhje me aktivitetet që do të zhvillohen në 3 muajt e mbetur, në mënyrë që të fitohen disa kredite, të cilat mund të shtyjnë humbjen e vendit të punës.

Neglizhenca në marrjen në kualifikimin e këtyre njohurive ka bërë që në shumë raste pacientit të mos i jepet shërbimi cilësor. Drejtuesit e strukturave spitalore publike dhe private në të gjithë vendin kanë marrë urdhrin që të fillojnë verifikimet mbi numrin e krediteve të fituara nga çdo punonjës i strukturave të tyre.

Në urdhrin më të fundit të marrë nga Bordi i Ricertifikimit dhe Akreditimit, u bënë disa ndryshime në“Dokumentin Rregullator të Ricertifikimit dhe Akreditimit për profesionistët e shëndetësisë”, ku përcaktohet se ndëshkimet nuk do të ndalen vetëm tek personeli i punësuar në publik, por edhe tek strukturat shëndetësore private.

Personeli që nuk ka fituar asnjë kredit deri në mbyllje të vitit humbet kontratën e punës, ndërsa ata që kanë fituar disa kredite, por jo në nivelin e kërkuar duhet që brenda 6 muajsh të japin provimin e shtetit, në të kundërt e humbasin dhe ata vendin e punës.

Postime të ngjashme

Paradoksi i shëndetësisë shqiptare: Të parët në Ballkan për shpenzimet spitalore, të fundit për financimin publik
Si ta ruani avokadon të freskët për më gjatë? Truket e thjeshta që funksionojnë
Temperaturat e larta? Ja cilat ushqime duhet të shmangni dhe çfarë të konsumoni më shumë
60 kursantë të Akademisë së Sigurisë në spital me simptoma helmimi, Policia: AKU ka marrë mostra të ushqimeve të konsumuara
Helmohen sërish kursantët e Akademisë së Sigurisë, 30 persona përfundojnë në spital
Kripa në ushqim: 4 truke për ta reduktuar atë pa humbur shijen
I nxehti ekstrem, kush janë kategoritë më të rrezikuara
Studimi: Si po përhapen në TikTok informacione të rreme rreth kremrave të diellit