Si regjistrohet pasuria e paluajtshme?

Për të gëzuar të drejtat mbi një send/ pronë, duhet së pari që kjo pronë të njihet ligjërisht si e tillë. Si veprohet për të siguruar njohjen e pronësisë mbi pronën e paluajtshme?

Njohja e të drejtës ligjore mbi pronësinë ndodh pas regjistrimit të pasurisë, ndarjes ose përpjesëtimit të saj pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Kërkesa për kryerjen e një shërbimi nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP), në zbatim të ligjit nr. 33/2012, bëhet nga kërkuesi vetë ose nëpërmjet përfaqësuesit të tij, noterit apo asistenti i noterit. Pranë Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme funksionon Regjistri Elektronik i përpunimit të kërkesave, i cili garanton trajtimin e praktikave sipas radhës së paraqitjes së kërkesave. Kjo procedurë kryhet brenda 15 ditëve me një kosto prej 700 lekësh. Kërkuesi pajiset me një numër identifikimi të kërkesës dhe Kodin e Sigurisë, me anë të të cilëve mund të verifikojë gjendjen e trajtimit të kërkesës së tij. Kthimi i përgjigjes elektronike dhe i materialeve të kërkuara nga kërkuesi kryhet nëpërmjet dërgimit te “Dokumentet e mia” ne e-albania dhe informimit me email për shkarkimin e përgjigjes elektronike. Por, nëse qytetari dëshiron përgjigjen në format letër, e merr nëpërmjet shërbimit postar. Çdo tarifë për shërbimin në ZRPP, paguhet në llogarinë bankare të Zyrës së Regjistrimit. 

Pronari/bashkëpronarët paraqesin një kërkesë me shkrim nëse dëshirojnë të ndajnë pasurinë e përbashkët në dy a më shumë pjesë. Regjistruesi bën regjistrimin e ndarjes, duke mbyllur kartelën për pasurinë e paluajtshme që ndahet, hap kartela të reja dhe përditëson hartat kadastrale për pasuritë e paluajtshme të reja, që dalin nga ndarja dhe regjistron në kartelat e reja të gjithë informacionin që kishte kartela e mbyllur.  

Në asnjë rast regjistruesi nuk lejon ndryshimin e pronësisë së pasurisë së paluajtshme, që fshin të drejtat reale mbi të. Kur një pronar dëshiron ta ndajë në pjesë pasurinë e paluajtshme të tij, regjistruesi i kërkon atij të dorëzojë një plan rilevimi të nënndarjeve të propozuara, të përgatitura prej një topografi të licencuar. Në të gjitha rastet pronarët dorëzojnë në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme certifikatën origjinale të pasurisë që do të bashkohet ose do të ndahet, si dhe pajisen me certifikata të reja pronësie për pasuritë e krijuara. 

Dokumentacioni i nevojshëm 

  1. Dokument identifikimi i përdoruesit: Kartë Identiteti ose pasaportë biometrike  
  2. Kërkesë e të interesuarit  
  3. Plan-rilevimi. 
  4. Certifikatë pronësie 
  5. Kartela e pasurisë 
  6. Kontratë pjesëtimi ose vendim gjykate 

Hapat e procedurës në portalin e-albania  

  1. Identifikohuni si qytetar ose si biznes në portal 
  2. Zgjidhni shërbimin “Kërkesë për regjistrimin e bashkimit, ndarjes apo pjesëtimit të pasurisë së paluajtshme’ 
  3. Klikoni butonin “Përdor” 
  4. Plotësoni formularin elektronik me të dhënat e nevojshme mbi Zyrën vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, mbi pronën, mbi shërbimin/shërbimet e kërkuara dhe taksat e nevojshme.
    5. Klikoni butonin “Dërgo” në faqen e fundit të formularit. 
  5. Shkarkoni mandatpagesën me të cilën mund të paraqiteni në bankë për të kryer pagesën e nevojshme. 
  6. Punonjësi i ZRPP-së proceson kërkesën e ardhur dhe në varësi të vendimit që merret kthen përgjigje me e-mail aplikuesit, me URL-në e shkarkimit të përgjigjes elektronike të ruajtur tek “Dokumentet e mia” në e-albania, ose me njoftimin e arsyes së refuzimit. 

Ky material është plotësisht i financuar nga Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri – AWEN, nëpërmjet fondeve të Agjencisë Ndërkombëtare për Zhvillim dhe Bashkëpunim – Sida.

AWEN dhe Sida nuk janë domosdoshmërisht dakord me opinionin e shprehur. Vetëm ‘Together for Life’ është përgjegjës për përmbajtjen.

Postime të ngjashme

"Shet produkte të rrezikshme"- Komisioni Europian gjobit TEMU-në me 200 mln dollarë
8 fruta me përmbajtje të ulët sheqeri
Shpërthimi i Ebolas, OBSH shpall emergjencë globale
3 gjëra që duhet të bëni për të pasur lëkrë me shkëlqim
Zakonet që do t'ju "shpëtojnë" nga fryrja e barkut
5 mite dhe të vërteta rreth sëmundjeve venoze
“Sterilizimi”/ Shtyhet gjyqi për ish-ministrin Ilir Beqaj, ja kur do të mbahet seanca e radhës
Asambleja e OBSH, ministrja Sala prezanton prioritetet e Shqipërisë në shëndetësi