Dëmet që shkaktojnë rrezet e diellit mbi lëkurën

Gjatë stinës së verës rrezatimi i diellit është më i lartë dhe ekspozimi për një kohë të gjatë në diell mund të çojë në dëmtim të lëkurës.
Ka shumë raste kur këto dëmtime bëhen serioze dhe neglizhenca bën që në lëkurë të mbeten shenja të pariparueshme.

Amarda Gica, mjeke dermatologe, tregon për gazetën “Shëndet +”, se si të mbrohemi nga dielli, cili është orari kur nuk duhet të ekspozohemi fare në diell dhe për kujdesin që duhet të tregojmë për fëmijët gjatë ekspozimit në diell. Gjithashtu ajo thekson që duhet të bëjmë kontrolle të nishaneve para ekspozimit në diell dhe të drejtohemi tek mjeku
specialist në qoftë se kemi pësuar djegie nga dielli.

Doktoresha, çfarë të përdorim për të mbrojtur lëkurën nga rrezet e dëmshme të diellit?

Mbrojtja më e mirë është të mos tentojmë ekspozimin në oraret e pikut sidomos tani në stinën e verës. Pra, nga ora 10 deri në orën 15 alternativa më e mirë është të mos ekspozohemi. Në qoftëse ekspozohemi, të përdorim sa më shumë nga mjetet mbrojtëse, duke filluar që nga kapelet me strehë të gjerë, syzet e diellit etj. Dhe pa diskutim kremrat
mbrojtës nga dielli. Për ata që janë më të ndjeshëm edhe veshjet që janë me mëngë të gjata janë mbrojtja më e mirë.

A duhen ekspozuar foshnjat në diell dhe a rekomandohet përdorimi i vajrave apo kremrave mbrojtës?
Deri në moshën 6-muajshe është mirë që të mos ekspozohen fare, sepse nuk e kanë të nevojshme. Pas 6 muajve duhet të përdoren kremra që janë për fëmijë, kremra
specifik me faktor fizik më shumë se me faktor kimik. Kështu që, duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm dhe në zgjedhjen e kremrave të fëmijëve, të përpiqemi të marrim ato kremra që janë me mbishkrimin që rekomandohen për fëmijë. Megjithatë, mirë është që edhe në momentin që fëmijët ekspozohen, siç theksova dhe më lart, të përdorin rroba me mëngë të gjata, me ngjyra të hapura, me kapele.

A është e dëmshme ngjyra e tepërt që marrim në plazh?

Ngjyra tregon që je ekspozuar shumë në diell, që do të thotë se në një farë mënyre dielli e ka bërë atë shndërrimin në lëkurën tonë. Kështu që për ne dermatologët, e mira e të mirave është që të mos marrim ngjyrë fare ose në qoftë se duam, më mirë e marrim me kremra nxirës jo nëpërmjet rrezeve të diellit.

Po për sa i përket kremrave nxirës a janë të dëmshëm?

Solaret janë të dëmshme dhe japin dëmtime shumë më tepër se rrezet e diellit. Në qoftë se ka diçka që ne themi është absolutisht e ndaluar është solari që shërben për nxirjen artificiale. Ndërsa kremrat me efekt nxirës janë më pak të dëmshëm se ekspozimi në rrezet e diellit.

Nëse jemi djegur pak dhe nuk është e nevojshme konsulta me mjekun, çfarë mund të përdorim?

Patjetër, mund të përdoren kremra që janë për rigjenerimin e lëkurës, të evitohet ekspozimi ne diell të paktën për disa ditë në mënyrë që lëkura të rigjenerohet dhe të përdorim kremra për djegie të shkallës së parë apo për djegie sipërfaqësore dhe kremra mbrojtës që merren pasi ke marrë rreze.

Kur djegia bëhet e rrezikshme dhe duhet të drejtohemi tek mjeku specialist?

Në momentin që në lëkurë shfaqen flluska apo djegia është bërë më e thellë atëherë duhet të trajtohet si duhet në mënyrë që të mos ketë shanse që të acarohet dhe të shkojë
drejt infektimit. Në qoftë se situata keq menaxhohet mund të ngelin dhe njolla apo shenja./ Shendeti.com.al

Postime të ngjashme

Si ta ruani avokadon të freskët për më gjatë? Truket e thjeshta që funksionojnë
Temperaturat e larta? Ja cilat ushqime duhet të shmangni dhe çfarë të konsumoni më shumë
60 kursantë të Akademisë së Sigurisë në spital me simptoma helmimi, Policia: AKU ka marrë mostra të ushqimeve të konsumuara
Helmohen sërish kursantët e Akademisë së Sigurisë, 30 persona përfundojnë në spital
Kripa në ushqim: 4 truke për ta reduktuar atë pa humbur shijen
I nxehti ekstrem, kush janë kategoritë më të rrezikuara
Studimi: Si po përhapen në TikTok informacione të rreme rreth kremrave të diellit
Cila është koha më e mirë për të marrë vitaminën D? Ekspertët japin përgjigje