Dasma që përfundoi në fatkeqësi

Të gjithë dasmorët përfunduan në spitale me gjithë anëtarë të ndryshëm të familjeve të tyre, që konsumuan mishin e përgatitur nga lokali

Mark Brunga

Dasmoret e shtruar ne spitalin e Durresit (5)Përdorimi i mishit të pakontrolluar nga specialistët dhe therjet jashtë kontrollit mund të “bëjnë gjëmën” edhe në gëzimet më të mëdha të njerëzve. Përdorimi i mishit të therur privatisht ka çuar një dasmë në prag katastrofe duke rrezikuar rëndë jetën e të gjithë dasmorëve, rreth 150.

Dasma u zhvillua fundjavën e fundit të gushtit në qendër të fshatit Qerret të Durrësit. I zoti i dasmës ka rezervuar lokalin për dasmën, por dasmorët përfunduan në spitale të ndryshme, në rrezik për jetën.

Fillimisht numri i të sëmurëve s’u publikua i plotë, por më pas bazuar në numërimin e bërë duke llogaritur numrin e dasmorëve u tha se numri i tyre shkonte rreth 200, përfshirë burra e gra, të moshuar e fëmijë. Numri i të sëmurëve ka shkuar më shumë se ai i dasmorëve, pasi këta të fundit kanë marrë një pjesë të mishit me vete, mish i konsumuar nga familjarët e tyre.

Në spitalin e Durrësit pasditen e së dielës përfunduan rreth 30 dasmorë të helmuar nga ushqimi. Ky numër u rrit deri të hënën duke shkuar në mbi 40.

Të sëmurët thanë se dasma u organizua të shtunën në drekë në një lokal në fshatin Qerret, por simptomat e helmimit kanë nisur të shfaqen një ditë më pas, kur dasmorët janë ndier keq me dhimbje barku e koke. Mjeku infeksionist i spitalit rajonal të qytetit të Durrësit, Bajram Cala, tha se të sëmurët e parë mbërritën rreth orës 17:00 të së dielës. Ata, sipas mjekut, shfaqën dhimbje të forta barku, diarre, temperaturë të lartë.

Dasmoret e shtruar ne spitalin e Durresit (4)Pacientët

Në spital ndodheshin disa familje që u përkisnin fiseve të ndryshme. Në një dhomë ndodhej një grua e moshuar, Burbuqe Almeta, e cila kishte të shtruar në 2 krevate 3 fëmijët: djalin dhe dy vajzat. Një vajzë tjetër e kishte të shtruar në spitalin e Shijakut, ndërsa dhëndri kishte dalë nga rreziku dhe ishte më mirë. Të gjithë kishin qenë në dasmë dhe siç kishin qëndruar në një tavolinë, tashmë ndodheshin në dhomën e spitalit nën mjekim intensiv.

Djali i saj thotë se u ndje keq në orët e mëngjesit dhe për këtë shkak nuk kishte shkuar dot në dasmën e dhëndrit. Po të njëjtën gjë thotë dhe Lutfi Dako, i cili ka të shtruar nënën, gruan, vajzën dhe mbesën. Ai thotë se numri i të sëmurëve mund të jetë mbi 200, pasi ka të shtruar në Durrës, Shijak dhe në spitalet e Tiranës.

Mjekët

Sipas mjekes Nadire Kërtusha, nga të dhënat paraprake dyshohet se shkak për helmimin e tyre mund të ketë qenë mishi. “Nga analizat e të gjithë pacientëve që janë shtruar këtu, ata kanë qenë në dasëm. Nga komunikimet që kemi bërë me Drejtorinë e Shëndetit Publik dhe Drejtorinë e Higjienës që kanë shkuar në lokalin ku u bë dasma, kemi dyshime se mund të jetë mishi. Një pjesë e mishit ishte i freskët, ndërsa një pjesë tjetër i ngrirë. Megjithatë, ende nuk kemi një rezultat përfundimtar. Gjendja e pacientëve është e mirë, por është shqetësuese se prurjet vazhdojnë”, deklaroi mjekja në një intervistë mediatike. Nga njoftimet e bëra nga policia dhe mjekët mësohet se ekspertët e mjekësisë shkencore kanë shkuar në lokal dhe kanë marrë mostra të ushqimeve të përdorura për të bërë hetimet përkatëse lidhur me shkaqet që kanë çuar në helminin masiv të dasmorëve.

Dasmoret e shtruar ne spitalin e Durresit (3)Mjekimi dhe hetimi

Kjo ngjarje ka qenë e paprecedentë për spitalin e Durresit. Pacientët e helmuar në dasëm janë kuruar disa ditë në spitale. Edhe dita e martë në spitalin rajonal të qarkut të Durrësit ka qenë një ditë intensive kurimesh për dasmorët e helmuar. Ndërkohe që burime nga spitali bënë me dije se në orët e para të ditës së martë kanë dalë nga spitali vetëm dy pacientë kurse rreth 34 të tjerë vazhduan të jenë nën kujdesin dhe kurat mjekësore.

Në dyert e spitalit të dielën dhe të hënën u drejtuan rreth 31 të rritur dhe 14 fëmijë. Ndëkohë ekipet shëndetësore të epidemiologjisë shkuan në lokalin ku u zhvillua dasma dhe morën vendimin për mbyllje, ndërsa lokali u gjobit me rreth 20 000 lekë.

Mjeku infeksionist Beqir Gelaj, në kontaktin telefonik për “Shëndet+” u shpreh se gjendja e të sëmurëve pati jë përmirësim të ndjeshëm. Gjithsesi ata janë mbajtur nën mjekim dhe kujdes të vazhdueshëm.

Drejtori i Shëndetit Publik, Kristo Huta, tha se ka pasur bashkëpunim me autoritetet e AKU-t dhe hetimi vazhdon. Shefi i Shërbimit të Higjienës, Nestor Memsuri, tha se në dasmë janë përdorur dy burime ushqimore të mishit: një viç i therur nga i zoti i dasmës dhe një tjetër i blerë në Durrës. Sipas Memsurit, një pjesë e mishit është marrë nga dasmorët me vete në shtëpi, pasi nuk e kishin konsumuar.

Postime të ngjashme

Ozempic, bari inovativ antidiabetik me mbrojtje nga risqet kardiovaskulare edhe në Shqipëri
Dërgonin pacientët e Onkologjikut në klinika private, Prokuroria mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim zyrtarë dhe mjekë të QSUT (EMRAT)
Pse luleshtrydhet myken kaq shpejt? Gabimi që bëjmë të gjithë
Këto janë efektet anësore të ujit me limon
Mishrat e dhëmbëve: Çfarë tregon ngjyra e tyre për shëndetin tonë
Shifra shqetësuese: Vdekjet nga kanceri i rektumit po trefishohen te të rinjtë
5 superushqime që do t'ju ndihmojnë të flini më mirë dhe më gjatë
Erëzat që zvogëlojnë inflamacionin dhe forcojnë trupin