Përshtati në shqip: Arlinda Rexhmati
“Le të jetë ushqimi ilaçi juaj, dhe ilaçi juaj ushqim”.
Janë fjalë të famshme këto të “babait të mjekësisë”, Hipokratit. Atij i pëlqente që hudhrën ta përdorte për shërimin e një sërë problemesh shëndetësore.
Edhe shkenca moderne ka konfirmuar kohët e fundit shumë nga përfitimet shëndetësorë të hudhrës.
Ja disa prej tyre:
- Hudhra përmban komponentë me veti të fuqishme medicinale
Shkencëtarët kanë zbuluar se shumica nga vetitë shëndetësore të hudhrës shkaktohen nga përbërjet e squfurit që formohen kur një hudhër grimcohet, shtypet apo përtypet. Ndoshta një nga përbërësit më të njohur është allicina, që mund të gjendet vetëm kur hudhra është e freskët, kur sapo është prerë apo shtypur. Përbërës të tjerë që mund të luajnë një rol në përfitimet shëndetësore të hudhrës përfshijnë disulfat diallyl dhe cistein s-allyl. Përbërësit e squfurit të hudhrës hyjnë në trup nga trakti tretës dhe qarkullojnë nëpër gjithë trupin duke ushtruar efektet e tyre biologjike të forta.
- Hudhra është shumë e ushqyeshme, por ka shumë pak kalori
Hudhra është shumë e ushqyeshme kalori për kalori. Një thelb hudhre(3 gram) përmban:
- Manganez – 2% të vlerës së përditshme
- Vitaminë B6 – 2% të vlerës së përditshme
- Vitaminë C – 1% të vlerës së përditshme
- Selenium – 1% të vlerës së përditshme
- Fibër – 0.06 gram
- Sasi të konsiderueshme kalciumi, bakri, kaliumi, fosfori, hekuri dhe vitamine B1
Të gjitha këto vijnë me 4.5 kalori, 0.2 gram proteinë dhe 1 gram karbohidrate. Hudhra përman gjithashtu dhe sasi të vogla lëndësh të tjera ushqimore.
- Hudhra mund të luftojë sëmundje si i ftohti i zakonshëm
Suplementet e hudhrave njihen për vetitë që kanë në përmirësimin e sitemit imunitar. Një studim i madh, 12 javësh, zbuloi se një suplement i hudhrës në ditë, reduktonte numrin e të ftohurave me 63% krahasuar me një placebo. Zgjatja e simptomave të të ftohurës u reduktua me 70%, nga 5 ditë në grupin me placebo, në vetëm 1.5 ditë në grupin me hudhër.
- Mund të ulë tensionin e gjakut
Sëmundjet kardiovaskulare si ataket kardiake dhe goditjet në tru janë nga vrasësit më të mëdhenj në botë. Tensioni i lartë i gjakut ose hipertensioni është një nga nxitësit më të rëndësishëm të këtyre sëmundjeve. Studimet kanë zbuluar se hudhra ka një impakt të rëndësishëm në uljën e tensionit të gjakut në ata njerëz që e kanë atë të lartë.
- Hudhra përmirëson nivelet e kolesterolit, gjë që mund të ulë riskun për sëmundjet e zemrës
Hudhra mund të ulë kolesterolin total dhe atë LDL. Për ata persona me kolesterol të lartë, hudhra mund ta ulë kolesterolin total apo atë LDL me rreth 10 – 15%.
- Hudhra përmban antioksidantë që mund të ndihmojnë për të parandaluar Alzhaimerin dhe demencën
Dëmtimi oksidativ nga radikalet e lira kontribuon në procesin e plakjes. Hudhra përmban antioksidantë që mbështesin mekanizmat mbrojtës të trupit ndaj dëmtimit oksidativ. Kombinimi i efekteve në reduktimin e kolesterolit dhe presionit të gjakut me vetitë antioksidante, mund të reuktojë riskun për sëmundje si Alzhaimeri dhe demenca.
- Performanca sportive mund të përmirësohet me suplemente të hudhrës
Hudhra është përdorur që në kulturat e lashta për të reduktuar lodhjen dhe për të rritur aftësitë për të punuar. U jepej dhe atletëve olimpikë në Greqinë e lashtë.
- Hudhra mund t’ju ndihmojë të detoksifikoni metalet e rënda në trupin tuaj
Në doza të larta, përbërjet sulfurike të hudhrës, është zbuluar se se mund të mbrojë ndaj dëmtimit të organeve nga toksiciteti i metaleve të rënda.
9.Hudhra mund të përmirësojë shëndetin e kockave
Akoma nuk është provuar me studime në njerëz, por studimet në kafshë kanë treguar se hudhra mund të minimizojë humbjen e kockave duke rritur estrogjenin në femra. Ndërsa një studim në gratë pas menopauzës tregoi se një dozë e përditshme hudhre, ul në mënyrë sinjifikante një shënjues të defiçencës së estrogjenit, gjë që sugjeron se suplementet e hudhrës mund të kenë efekte pozitive dhe në shëndetin e kockave edhe te gratë.
Burimi: Healthline

