Përshtati në shqip: Arlinda Rexhmati
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpalli fillimin e programit pilot për prekualifikimin e insulinës njerëzore, në mënyrë që të rritet trajtimi për diabetin në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Ky vendim është pjesë e një sërë hapash që OBSH do ndërmarrë për të adresuar barrën diabetike që po rritet në të gjitha rajonet. Rreth 65 milion njerëz me diabet të tipit 2 kanë nevojë për insulinë, por vetëm gjysma e tyre kanë mundësi ta sigurojnë atë, kryesisht për shkak të çmimeve të larta. Të gjithë personat me diabet të tipi 1 kanë nevojë për insulinë që të mbijetojnë.
“Diabeti po pëson rritje në të gjithë botën, e më shpejt në vendet me të ardhura të ulëta. Shumë njerëz që kanë nevojë për insulinë përballen me vështirësi financiale në mënyrë që ta sigurojnë atë, ose dhe nuk e përdorin fare, duke rrezikuar kështu jetët e tyre. Iniciativa e prekualifikimit që po ndërmerr OBSH, është një hap vital drejt sigurimit të këtij produkti që shpëton jetë, për këdo që ka nevojë,” u shpreh drejtori i përgjithshëm i OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Prekualifikimi i insulinës mund të çojë në çmime më të ulëta
Prekualifikimi i insulinës nga OBSH pritet që të rrisë aksesin duke shtuar qarkullimin e produkteve me cilësi të sigurt në tregun ndërkombëtar, duke siguruar më shumë mundësi zgjedhjeje dhe çmime më të ulëta për vende të ndryshme.
Insulina u zbulua si mënyrë për të trajtuar diabetin pothuajse 100 vjet më parë dhe ka qenë në listën e OBSH për ilaçet thelbësore që kur u publikua në vitin 1977.
Pavarësisht furnizimit të bollshëm, çmimet e insulinës janë aktualisht një pengesë për trajtimin në shumicën e vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme. 3 prodhues kontrollojnë shumicën e tregut global për insulinën, duke vendosur çmime që janë shumë të larta për shumë njerëz dhe vende.
Aksesi ndaj insulinës, një sfidë në shumë vende
Të dhëna të mbledhura nga OBSH në vitet 2016 – 2019, nga 24 vende, në katër kontinente, treguan se insulina njerëzore ishte e disponueshme vetëm në 61% të institucioneve shëndetësore dhe insulina analoge në 13%. Të dhënat treguan se furnizimi për një muaj me insulinë do t’i kushtonte një punëtori në Akra, Ganë, ekuivalenten e 5.5 ditë page për muaj, apo 22% të fitimeve të tij.
Më shumë se 420 milion njerëz jetojnë me diabet. Diabeti është shkaku i 7 – të më i shpeshtë i vdekjeve në botë dhe një shkak kryesor i komplikacioneve serioze, të kushtueshme, si ataku kardiak, goditja cerebrale, dëmtimi i mëlçisë, verbimi dhe këputje të gjymtyrëve të poshtëm.
Personat me diabetin e tipit 1 kanë nevojë për insulinë që të mbijetojnë dhe të ruajnë nivelet e glukozës në gjak, në mënyrë që të reduktohet risku për komplikacione të shpeshta si verbëria dhe dëmtimi i rëndë i mëlçisë. Personat me diabet të tipit 2 kanë nevojë për insulinë për të kontrolluar nivelet e glukozës në gjak, që të shmangin komplikacionet kur ilaçet orale bëhen më pak efektive ndërkohë që sëmundja përparon.
Prekualifikimi i insulinës është një nga një sërë hapash që OBSH do të ndërmarrë këtë vit në mënyrë që të adresojë të gjitha këto probleme që përmendëm.
Burimi: OBSH

