Një mjek shpenzon mesatarisht vetëm 8 minuta me pacientët për të përcaktuar diagnozën, duke e drejtuar të sëmurin pas disa pyetjeve në bërjen e ekove apo analizave të tjera.
Nefrologu Myftar Barbullushi duke iu referuar këtij studimi tha se është kohë shumë e pakët komunikimi për pacientët.
“8 minuta ishte mesatarja e kontaktit të mjekut më të sëmurët, një kohë minimalisht e domosdoshme për të dhënë një diagnozë. Një kohë që pasohej nga shprehja “të shkosh të bësh një eko, të bësh një skaner, një rezonancë”, tha Barbullushi.
Në kohën kur internet ka rritur ndjeshëm përdoruesit e tij, mbi 50% e qytetarëve të pyetur janë përgjigjur se kërkojnë informacion për shqetësimet e tyre në “Google” dhe jo duke iu drejtuar mjekëve.
“Në 650 pacientë që u pyetën rastësisht, diku 480 thanë se doktori ynë më rëndësishmë është “Google”. Dhe një nga arsyet që zgjidhin internetin ishte mosbesimi apo puna e pakët e mjekut me pacientin, apo më e rëndësishmja koha e shkurtër e pacientit me mjekun”, u shpreh nefrologu.
Gjithashtu, krahasuar me vendet e tjera të zhvilluar, studimi evidenton edhe një fakt, bluzat e bardha në Shqipëri sakrifikojnë më pak në misionin e tyre.
“Tendenca e mjekësisë tonë është drejt ecjes dhe tendencës së mjekësisë botërore, por me një ritëm të çalë, me mungesa dhe pa sakrifica. Vetëm 13% e mjekëve ishin të gatshëm të sakrifikonin edhe ekonomikisht për shkencën dhe edukimin. Pjesa tjetër nuk e bënte këtë gjë”, theksoi Barbullushi./ Manjola Hasa


