Në ditët e para kjo sëmundje infektive ngatërrohet edhe me gripin duke bërë që njerëzit të marrin ilaçet e gabuara dhe duke e vështirësuar shërimin
Denisa Canameti
Variçela (lija e dhenve) është një sëmundje infektive që prek më shumë fëmijët. Megjithatë kjo nuk do të thotë që të rriturit që nuk e kanë kaluar në fëmijëri
janë imun. Infeksionistja Imelda Zeqo shpjegon për lexuesin e gazetës “Shëndet+” se sëmundja e variçelës është një sëmundje që duhet kaluar dhe që nuk zgjat shumë tek fëmijët e shëndtshëm. Të rriturit mund të paraqesin komplikacione serioze, siç është pneumonia.
Çfarë është variçela?
Variçela ose, siç njihet në gjuhën popullore, lija e dhenve është një sëmundje ngjitëse që shkaktohet nga një virus që i përket familjes së herpes viruseve. Është një sëmundje që ngjitet shumë kollaj, sëmundje që lë imunitet dhe nëse e kalojmë një herë në moshën fëminore, nuk ripërsëritet në një episod të dytë.
Mjekët dermatologë thonë që nëse ke kaluar linë, je më i prirur ndaj sëmundjeve të herpesit?
E vërtetë. Sepse shkaktari i variçelës është një virus që i përket familjes së herpes viruseve, pra janë në të njëjtën familje.
Cilat janë burimet e infeksionit?
Burim infeksioni është njeriu. Merret nga njeriu në njeri. Duke qenë se është sëmundje me natyrë virale, siç është gripi, kuptohet që rruga kryesore është nëpërmjet ajrit, nëpërmjet spërklave të pështymës, nëpërmjet teshtimës etj.
Cilat janë shenjat klinike të shfaqjes së variçelës?
Fillon në kuadrin e një gjendjeje virale, duke u shoqëruar me temperaturë të lartë, dhimbje fyti, me dhimbje koke, me gjendje të përgjithshme këputjeje, dhimbje kyçesh, muskujsh etj. Prandaj tre ditët e para mund të ngatërrohet dhe me një grip. Duke u bërë një ngatërresë e tillë, prindërit bëjnë gabimin që nisin mjekimin. Pas 4 ditëve filojnë që të shfaqen edhe shenjat në lëkurë.
Cilat janë ato shenja klinike që e dallojnë?
Mund të dallohet nga mënyra se si shfaqet. Një fëmijë në 3-4 ditët e para mund të ketë një temperaturë 38⁰C -39⁰C në varësi të gjendjes. Ne rekomandojmë që 3-4 ditët e para, çfarëdo diagnoze apo çfarëdo patologjie, të mbahet vetëm me antipiretik, domethënë me medikamente që ndikojnë në uljen e temperaturës.
Thonë që lija kalohet vetëm në fëmijëri…
Jo, nuk është e vërtetë. Kemi shumë raste edhe tek të rriturit të cilët nuk e kanë kaluar linë në moshën e fëmijërisë dhe e kalojnë tani. Megjithatë nuk është e thënë që përderisa nuk e ke kaluar në atë moshë, do ta kalosh patjetër kur të rritesh. Mund të mos prekesh nga lija gjithë jetën.
Nëse një gruaje shtatzënë i bie lia, çfarë problemesh mund të paraqesë për fëmijën?
Ka rrezikshmërinë e vet. Nëna duhet të tregojë kujdesin e zakonshëm që tregojnë nënat shtatzënë, por në këtë rast më të detajuar. Nuk është aq problematike sa mund të jetë rubeola apo fruthi që janë sëmundje infektive dhe fëmija rrezikohet. Në rastin e rubeolës apo fruthit, me dëmtim nënkuptojmë deri në mungesë gjymtyrësh. Kurse variçela, nisur nga përvoja e punës, nuk është aq shumë problematike.
Nëse ndodh gjatë kohës që fëmija është në shkollë, çfarë duhet bërë?
Përderisa thamë që është sëmundje ngjitëse, e mira është që këta fëmijë të izolohen derisa të fillojnë të bien elementet në lëkurë. Ato zënë një si kore. Edhe elementet që dalin në lëkurë kanë një lëng brenda që në rastin se ne biem në kontakt me të, është ngjitës.
Thuhet se një njeri që është i prekur nga lija nuk duhet të bëjë dush gjatë kësaj kohe, pse?
Është mirë që të mos laget trupi, që shenjat e shfaqura në lëkurë të përthahen më shpejt. Të shkojnë më shpejt drejt shërimit. Dhe e dyta, që të mos mbivendosen. Janë kaq delikate saqë mund t’i mbivendoset një infeksion sekondar bakterial duke i qelbëzuar. Kjo është dhe një ndër komplikacionet e tjera që shfaq variçela.
Çfarë ndodh nëse qelbëzohen?
Nëse qelbëzohen tregon që aty kemi prezent dhe një infeksion bakterial.
Si ndikon ambjenti në të cilin qëndrojnë këta individë të prekur?
Higjiena ndikon në momentin që është shfaqur lija. Higjiena duhet të jetë maksimale.
Cilat janë fromat e trajtimit të variçelës?
Format e trajtimit të variçelës janë: 3-4 ditët e para themi që të mos nisen antibiotikë, por të mbahet vetëm me antipiretik ose analgjezik për lehtësimin e dhimbjeve. Ndërsa në momentin që shpërthen në lëkurë, mjekimi është lokal me pudër me mentol dhe preparate që ndikojnë në heqjen e të kruarave.
Çfarë mund të bëjmë në 3-4 ditët e para në kushte shtëpie?
Përveç atyre që përmendëm duhet edhe një dietë e balancuar me lëngje, me supra, fruta.
Çfarë duhet të kuptojmë kur thoni se lë imunitet?
Do të thotë së nëse një fëmijë kalon lijën apo variçelën nuk mund të përsëritet. Nëse dikush e ka kaluar, por i duhet të bashkëjetojë me një tjetër individ që është prekur, nuk infektohet nga spërklat ose format e tjera edhe nëse i rri gjithë ditën mbi kokë të sëmurit.



