Ministrat përballë të rinjve si pjesë e rëndësishme e të ardhmes së një vendi. Pyetje nga më të ndryshmet për t’i vënë ligjvënësit përballë përgjegjësisë për veprimet që kryejnë, sidomos kur flitet fjalë për të rinjtë, një forcë që nuk duhet të neglizhohet.
Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA) vuri sot në një panel ministrat Erion Veliaj (Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë), Lindita Nikolla (Ministre e Arsimit), Ilir Beqaj (Ministër i Shëndetësisë) dhe Saimir Tahiri. (Ministër i Punëve të Brendshme). Përballë tyre, të rinj që donin të dinin lidhur me vendimet e marra nga këto ministri, vendime që i prekin ata personalisht.
Pse janë rritur tarifat e universiteteve? Pse universitetet private po vlerësohen njësoj si shtetërori pavarësisht standardit të ulët? Ç’po bën ministria për të ngujuarit? Po puna e Ministrisë së Brendshme për të mbrojtur rendin? A do të trajnohen punonjësit e shkollave lidhur me edukimin seksual?
Këto ishin vetëm disa prej pyetjeve të ngritura nga të rinjtë, ndërsa morën përgjigje nga anëtarët e kabinetit ministror. Përgjigjet e dhëna ishin të përgjithshme, gjithsesi ishin një hap i mirë për të afruar më tepër ministrat me të rinjtë.
Vendet në zhvillim, me numër të madh popullsie të re në moshë, mund t’i shohin ekonomitë e tyre të lulëzojnë, nëse ato sot investojnë më shumë në arsimimin dhe shëndetin e të rinjve dhe nëse i mbrojnë të drejtat e tyre, thekson raporti Gjendja e Popullsisë së Botës 2014, publikuar sot nga UNFPA, Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë.
Përfitimet potenciale ekonomike mund të realizohen përmes “dividentit demografik,” i cili është momenti kur popullsia në moshë pune e një vendi është më e madhe se popullsia e varur apo më e vogël në moshë, thekson raporti.
Por, për të maksimizuar dividentin, vendet duhet të sigurohen që popullatat e tyre të reja në moshë pune të kenë aftësitë e duhura për të siguruar mundësi punësimi dhe mundësi të tjera që të krijojnë të ardhura.
“Rekordi i sotëm prej 1.8 miliardë të rinj paraqet një oportunitet shumë të madh për të transformuar të ardhmen,” deklaron Drejtori Ekzekutiv i UNFPA, Dr. Babatunde Osotimehim. “Të rinjtë janë inovatorët, krijuesit, ndërtuesit dhe liderët e së ardhmes. Por ata mund ta transformojnë të ardhmen vetëm nëse kanë aftësitë, shëndetin, vendimmarrjen dhe zgjedhjet e duhura në jetë,” shton ai.
Me politikat dhe investimet e duhura në kapitalin njerëzor, vendet mund t’i fuqizojnë të rinjtë për të drejtuar zhvillimin social dhe ekonomik dhe për të rritur të ardhurat për frymë, raporton UNFPA.
Sipas UNFPA, hendeku midis pjesëmarrjes së fuqisë punëtore meshkuj dhe atyre femra është jashtëzakonisht i madh në shumë prej ekonomive të rajonit përfshirë Shqipërinë. Kjo kërkon zbatimin e politikave që rrisin aksesin e vajzave dhe grave të reja në tregun e punës dhe politika të tilla sociale që ndihmojnë gratë të baraspeshojnë punën dhe familjen.
Disa shtete në rajon, si Shqipëria, kanë planifikuar buxhete për rininë. Por është e paqartë se sa nga ky buxhet është shpenzuar për adresimin e çështjeve më të ngutshme të të rinjve, sepse Ministritë apo entitetet e përfshira shpesh mbulojnë një gamë të gjerë fushash përveç të rinjve, si p.sh. sportet.
Një sistem arsimor cilësor mund të rezultojë në një rritje të konsiderueshme në Produktin e Brendshëm Bruto (PBB) për frymë në vendet e rajonit. Rritjet e parashikuara janë veçanërisht të larta në vendet me lindshmëri të lartë por me norma lindshmërie në rënie (kryesisht në Azinë Qendrore, Turqi dhe Shqipëri). Raporti tregon se këto ndryshime demografike që po ndodhin në rreth 60 vende të botës, po hapin një dritare oportuniteti për dividend demografik. Dhe se sa i madh do jetë ky dividend, kjo do të varet nga investimi që këto vende do të bëjnë për të rinjtë sot, në mënyrë që ata të realizojnë plotësisht potencialin e tyre.



