Nga Fatos Olldashi, neurokirurg në Spitalin e Traumës
Njerëzit nuk duhet të ecin shumë për t’u shëruar nga hernia diskale. Gabimi që bëjnë njerëzit është se kujtohen për sëmundjen atëherë kur ajo ndodh.
Gjithashtu i marrin këshillat nga të sëmurë që e kanë kaluar më përpara këtë sëmundje, dhe kështu bëjnë gabime.
Sapo ndodh dhimbja, shtojnë aktivitetin fizik, nisin notin sepse noti është sporti më i mirë për hernien diskale. Jo. Kjo nuk është e mirë.
Kur ndodh dhimbja, duhet të zhvillosh një aktivitet të kufizuar fizik, aq sa të lejon dhimbja. Aktiviteti fizik nuk është trajtues, është parandalues.
Ne duhet të kujtohemi që të bëjmë aktivitet fizik kur nuk kemi dhimbje. Noti është aktiviteti më i mirë në rastet kur nuk ka dhimbje. Aktiviteti fizik forcon muskulaturën, forcon ligamentet, mban trupin në formë, ruan mbipeshën që të parandalojnë hernien diskale. Por në momentin që ka ndodhur hernia diskale, ne duhet të presim që të qetësohen dhimbjet.


