Manastirliu në Spitalin Infektiv: Masa përgatitore për sezonin vjeshtë-dimër, sigurohen 270 mijë vaksina ndaj gripit

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, bashkë me ekspertë të Institutit të Shëndetit Publik dhe mjekët e Spitalit Infektiv në QSUT, kanë folur për masat parapërgatitore nga strukturat përkatëse shëndetësore për sezonin vjeshtë-dimër.

“Po ndjekim një plan masash, i cili tashmë është futur në planin e masave kombëtare, të përvitshëm, sa i përket mbrojtjes së jetës dhe shëndetit të qytetarëve. Kemi marrë masat sa i përket forcimit të rrjetit të survejancës, shtrirjes së sistemeve dixhitale që i përkasin aspekteve të monitorimit, situatës epidemiologjike dhe vaksinimit”, tha Ministrja Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bëri me dije se janë siguruar 270 mijë vaksina ndaj gripit për të gjitha grupet e riskuara.

“Për sa i përket këtij viti, masat janë marrë që të kemi 270 mijë vaksina të gripit, të cilat janë të targetuara për popullatën e riskuar dhe ISHP është duke punuar për të garantuar që menjëherë me fillimin e sezonit të vjeshtës, ne të kemi edhe vaksinat kundër gripit”, tha Manastirliu.

Prof. Silva Bino, Shefe e Shërbimit të Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP ka apeluar qytetarët për t’u vaksinuar me dozën përforcuese.
“Ne vëmë re që vaksina ka efektivitet, por i rëndësishëm është doza përforcuese, sepse pas një kalimi kohe efektiviteti zbehet dhe natyrisht të gjithë personat mbi 60-vjeç këtë stinë të vaksinohen njëkohësisht ndaj gripit dhe ndaj COVID dhe kjo është mbrojtja më e mirë që përdor gjithë bota”, tha Bino.

Prof. Gjeorgjina Kuli, Shefe e Shërbimit të Pediatrisë Infektive dhe prof. Najada Çomo, shefe e Shërbimit Infektiv theksuan rëndësinë e vaksinimit kundër gripit dhe Covid19.

Bazuar në planin vjeshtë-dimrit është siguruar vaksinimi falas ndaj gripit për grupet e riskuara për 270 mijë qytetarë, ndërkohë që furnizimi me vaksinën ndaj COVID-19 vijon. Spitali Infektiv është ne gatishmëri të plotë për përballimin e çdo situate.

Për sa i përket masave të tjera kanë të bëjnë me përmirësimin më tej survejancës, këtë vit do të shtohet edhe procesi i sekuencimit, gjithashtu është në përfundim edhe krijimi i sistemit të ri dixhital të vaksinimit, i cili do të menaxhojë më mirë gjithë procesin e vaksinimit./Top Channel

Postime të ngjashme

3 rregulla të thjeshta për të humbur peshë shpejt
Shqipëria, drejt “superplakjes” raporti: Nevoja për shërbime të kujdesit afatgjatë në rritje
8 mënyra të thjeshta për të shmangur sëmundjet
Ozempic, bari inovativ antidiabetik me mbrojtje nga risqet kardiovaskulare edhe në Shqipëri
Dërgonin pacientët e Onkologjikut në klinika private, Prokuroria mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim zyrtarë dhe mjekë të QSUT (EMRAT)
Pse luleshtrydhet myken kaq shpejt? Gabimi që bëjmë të gjithë
Këto janë efektet anësore të ujit me limon
Mishrat e dhëmbëve: Çfarë tregon ngjyra e tyre për shëndetin tonë