Është pak e vështirë të gjesh gjithë faktorët që ndikojnë në nivelet e vitaminës D në trupin tonë. Kjo vitaminë prodhohet kur rrezet e diellit prekin lëkurën.
Gjithashtu këtë vitaminë mund ta marrim nga ushqimet (zakonisht është vitaminë e shtuar, pasi janë të pakta ushqimet që e kanë natyrshëm vitaminën D) ose përmes shtesave ushqimore.
Procesi përmes të cilit trupi krijon vitaminën D është kompleks. Ajo fillon kur trupi ynë përthith rrezet e diellit. Mëlçia dhe veshka gjithashtu marrin pjesë në prodhimin e kësaj vitamine në mënyrë që trupi ta përdorë.
Janë një numër faktorësh që ndikojnë në nivelet e vitaminës D në trupin tonë. Shkolla Mjekësore e Harvardit rendit më të rëndësishmet:
1. Vendi i banimit: sa më larg ekuadorit të jeni, aq më pak rreze UVB (që prodhojnë vitaminën D) do të arrijnë sipërfaqen e tokës gjatë dimrit. Ka zona ku njerëzit nga nëntori deri në shkurt prodhojnë pak ose aspak vitaminë D. Ditët e shkurtra dhe veshjet që mbulojnë tërësisht duart dhe këmbët gjithashtu kufizojnë ekpsozimin ndaj rrezeve UVB.
2. Cilësia e ajrit: grimcat e karbonit në ajër nga djegiet e ndryshme shpërndahen dhe thithin rrezet UVB duke ulur kështu prodhimin e vitaminës D. Në kontrast, ozoni thith rrezatimin UVB, kështu që vrimat e shkaktuara nga ndotja në shtresën e ozonit mund të shkaktojnë rritjen e niveleve të vitaminës D.
3. Përdorimi i kremit të diellit: kremrat e mbrojtjes nga dielli bllokojnë rrezet UVB. Teorikisht kjo nënkupton se përdorimi i këtij kremi ul nivelet e vitaminës D. Por në fakt, shumë pak njerëz e përdorin kremin rregullisht. Shumica janë të çrregullt në këtë proces, kështu që ndikimi i tij në prodhimin e vitaminës D duket se nuk është shumë i rëndësishëm.
4. Ngjyra e lëkurës: melamina është një substancë e lëkurës që e bën atë më të errët. Ajo “konkurron” për rrezet UVB me një substancë të lëkurës që nxit prodhimin e vitaminës D në trup. Si pasojë, njerëzit me lëkurë të errët kanë nevojë për më tepër ekspozim në diell sesa njerëzit e tjerë që gjenerojnë të njëjtën sasi vitamine D.
5. Pesha: yndyra e trupit thith vitaminën D, kështu që thuhet se ajo mund të kthehet në një burim të vitaminës D në ditët me shi, kohë kur prodhimi i vitaminës ulet shumë. Por studimet kanë treguar se të qenët obezë lidhet me nivelet e ulëta të vitaminës D dhe se të jesh mbipeshë mund të ndikojë në prodhimin e kësaj vitamine.
6. Mosha: Krahasuar me të rinjtë, të moshuarit kanë nivele më të ulëta të substancës që i kthen rrezet UVB në vitaminë D. Janë kryer edhe eksperimente shkencore që tregojnë se të moshuarit prodhojnë më pak vitaminë D sesa të rinjtë./ Arlinda Gjypi

